Mbyllen hetimet për skemën mashtruese piramidale
Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për shtetasin kroat, Damir Miserda, i cili akuzohet se ngriti në Shqipëri, së bashku me dy shtetas kosovarë, një skemë mashtruese piramidale, duke dëmtuar më shumë se 300 persona, e duke përfituar rreth 530 mijë euro. Burime brenda kësaj Prokurorie bënë të ditura se u dërgua për gjykim dosja, hetimi i së cilës ka nisur në vitin 2011 dhe fillimisht janë marrë të pandehur e janë dënuar me 10 vjet burgim në mungesë, dy shtetasit kosovarë, Burim Haxhiolli dhe Valon Kyçyku. Në atë kohë, Prokuroria kishte ngritur dyshimet për një person të tretë të përfshirë në skemë, por nuk mundi ta evidentonte. Pas hetimeve të kryera, me ndihmesën edhe të Drejtorisë për Marrëdhënie Juridiksionale me Jashtë, në Prokurorinë e Përgjithshme, u arrit të gjendej se personi i tretë ishte shtetasi kroat Damir Miserda. Tre personat akuzohen për “mashtrim” më shumë se një herë dhe me pasoja të rënda, si edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”; kanë bindur persona të shumtë për t’u anëtarësuar në shoqërinë “Eurolife”, e cila vepron në shërbim të shoqërisë “Gemak”, subjekte këto të regjistruara në Shkup, Maqedoni. Në momentin e anëtarësimit, subjektet e dëmtuara kanë paguar secila shumën 2290 euro, e cila shpërndahej te të pandehurit, që kanë përvetësuar shumën 532.163 euro. Duke i premtuar mundësi për ngritjen e biznesit të vogël, tre të akuzuarit u premtonin anëtarëve që, pas trajnimeve të tyre, do të kishin mundësi të siguronin shuma të konsiderueshme parash. Por, nga hetimi u provua se gjatë seancave “trajnuese”, e vetmja temë që mbahej nga të pandehurit ishte se si të afronin sa më shumë pjesëmarrës në shoqërinë e tyre, të cilët duhej të paguanin 2290 euro për anëtarësim. Kur asnjë nga anëtarët nuk po ndihmohej të ngrinte këtë biznes, ata kallëzuan penalisht në Prokurori tre të akuzuarit.
Vjedhja e thesarit/ Nuk gjendet asnjë kartëmonedhë e vjedhur në treg, mungon numri serial
Megjithëse kanë kaluar tre muaj nga nisja e hetimit për skandalin e vjedhjes së 713 miliardë lekëve nga Thesari i Shtetit, Prokuroria e Tiranës ende nuk ka numrat e serisë se parave të vjedhura në Linzë. Hetuesit kanë kërkuar nga Banka e Shqipërisë t’u servirë dokumentet që të vërtetojnë për numrat e serisë, por kanë marrë përgjigje se këto numra nuk i kanë. Ata i kanë thënë prokurorisë se paratë e reja që vinin nga Zvicra ruheshin në koli, ndërsa akuza ka kërkuar më shumë të dhëna se çfarë numra serie kishin 50-mijëlekëshet e vjedhura nga Bitraj. Hetuesit pohojnë se nuk kanë asnjë dokument nga banka për këto të dhëna, të cilat po e vështirësojnë së tepërmi gjetjen e parave. Më parë, akuza ka konstatuar se edhe paratë që do të asgjësoheshin nuk u merrej numri i serisë, çka ka hedhur dyshimin se shuma e vjedhur në Thesar mund të jetë më e madhe sesa 700 milionë lekë. Me gjithë sekuestrimin e disa llogarive bankare të lojërave të fatit, akuza nuk mund të krahasojë 50-mijëlekëshet në këto llogari me numrat e serisë së parave të vjedhura, pasi nuk ka asnjë të dhënë të tillë. Hetimet po futen në rruge pa krye për shkak të mangësive të theksuara në Bankën e Shqipërisë, e cila nuk ka funksionuar në bazë të rregulloreve dhe udhëzimeve të nxjerra nga Këshilli Mbikëqyrës. Lidhur me këtë çështje janë arrestuar 19 persona mes tyre ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, dhe inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi.
Banorët, protestë kundër arrestimeve/ Gjykata lë në burg krerët e ALUIZNI-t në Shkodër
Ish-kreu i ALUIZNI-t dhe ish-shefi i regjistrimeve në Shkodër do të qëndrojnë në burg. Gjykata e Shkodrës bëri njohjen e masës së sigurisë duke i lënë dje, të dy ish zyrtaret në qeli. Gjykata e qytetit të Shkodrës ka vendosur masën “Arrest me burg” për ish-drejtorin e ALUIZN-it Besnik Kastrati si dhe ish-përgjegjësin e Regjistrimeve Rudi Becin. Dy personat e mësipërm akuzohen për legalizime në kundërshtim me ligjin. Seanca në ngarkim të Kastratit u zhvillua me dyer të mbyllura dhe ndarazi nga seanca e përgjegjësit të sektorit të Legalizimeve Rudi Becit, ndërsa të pranishëm në seancën e Kastratit kanë qenë vetëm familjarët e ish drejtorit. Në përfundim të seancës e cila ka zgjatur disa orë, gjykatësja Ermira Deda ka vendosur masën “Arrest me burg” për ish-drejtorin Besnik Kastrati. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës ka rezultuar se dy zyrtarët kanë kryer legalizimin e disa objekteve gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2013, në kundërshtim me ligjin, ndërsa legalizimi është bërë për disa objekte të futura jashtë radhe. Teksa në ambientet e gjykatës zhvillohej seanca, jashtë ambienteve të saj janë mbledhur dhjetëra protestues, të cilët i cilësuan politike arrestimet e dy ish zyrtarëve.
Pas masës së gjykatës ka reaguar babai i ish-drejtorit të ALUIZN-it. Ai e cilëson të pa drejtë arrestimin e të birit. “Nuk është i drejtë arrestimi i djalit tim. Ky është një shtet komunist”, – shprehet babai i Besnik Kastratit. Besnik Kastrati dhe Rudi Beci, janë hetuar për disa muaj me radhë nga prokuroria. Denoncimi është bërë nga vetë drejtoria e përgjithshme e ALUIZNI-t. Kastrati ka mbajtur postin e drejtorit të degës së ALUIZNI-t në Shkodër vetëm për 5 muaj. Ai u largua nga detyra në muajin tetor të vitit të kaluar dhe u denoncua për shkeljet me procedurat. Vetë Kastrati i mohoi këto akuza, duke deklaruar se “nuk kishte kryer asnjë shkelje dhe pretendimet për shpërdorim detyre ngriheshin për të shkaktuar tymnajë dhe mbuluar dështimet e qeverisë së re”.




