Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e tij këtë të enjte, dy ditë pasi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme.
Deputeti ka thënë se ka për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale dhe për këtë nuk mund të angazhohet në politikë.Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore,” tha ai.Çyrbja është një deputet i Partisë Socialiste që përfaqëson qarkun e Durrësit, me zonën e tij elektorale në Shijak.
Ligjvënësi socialist u pyet nga agjentët e BKH për 5 orë e 15 minuta, për një kallëzim të Edi Palokës në zgjedhjet e 2021.
Paloka e akuzonte për shpërdorim detyre në kohën kur drejtonte hipotekën e Durrësit.
Në atë kohë drejtues politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, ka çuar në SPAK deputetin aktual për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone.
Në të njëjtën kohë, Paloka deklaroi se edhe javët e fundit të fushatës Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor hipoteke.
Deputeti demokrat tha në atë kohë në një deklaratë për mediat, se në SPAK janë depozituar kallëzimet penale për drejtuesit e institucioneve vendore në Durrës që janë përfshirë në blerjen e votave, si dhe një seri shtetasish që duke shpërndarë para apo përmes kërcënimeve synuan të tjetërsojnë vullnetin e votuesve.




