Deputetët e opozitës/ Zgjedhjet në PD, reagojnë Bumçi e Bogdani: Gati drafti, sëshpejti nis analiza e procesit elektoral

Florenc Drizari

 

Bogdani: Shqiptarët e kuptuan që rilindja ka qënë një gënjeshtër e madhe

Bumçi: Degët e PD-së pothuajse kanë mbaruar procesin e regjistrimit të anëtarësisë

 

gertibogdaniPartia Demokratike ndodhet në fazën e fundit rifreskimit të bazës së të dhënave dhe anëtarësisë në rrethe dhe sëshpejti pritet të fillojë një tjetër proces, atë të analizës së zgjedhjeve të 23 qershorit dhe bashkë me të, edhe të rizgjedhjes së strukturave drejtuese, Kryesisë. Deputetë të opozitës bëjnë me dije se është përgatitur një draft i ri dhe që shumë shpjet do të publikohet nga kryetari Lulzim Basha, lidhur me proceset e ardhshmë në partinë më të madhe opozitare në vend.

“Meqënëse jemi pothuajse në fund dhe një pjesë e degëve pothuajse kanë mbaruar procesin e regjistrimit të anëtarësisë, një pjesë është në proces përfundimi dhe mendoj që shumë shpejt mesa kam dëgjuar udhëzimi është përgatitur dhe mund të jetë në qarkullimet e fundit për t`u përmirësuar dhe do të bëhet publike nga kryetari i partisë”,-ka theksuar deputeti Aldo Bumçi.

Edhe pse ky proces sipas demokratëve mori më tepër kohë nga sa ishte parashikuar, për deputetin Aldo Bumçi, procesi i analizës dhe zgjedhjeve të strukturave nuk është i vonuar. Më herët edhe kreu i PD-së, ka theksuar se në këtë proces më shumë rëndësi ka zgjerimi dhe hapja e PD-së ndaj të rinjve, sesa afatet kohore që ishin vendosur më parë. Sipas demokratëve, shtyrja e afateve për mbylljen e këtij procesi është kushtëzuar nga marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës.

“Ne nuk kemi ngut. Ne kemi dalë nga një palë zgjedhje ku pësuam një humbje të fortë dhe asnjë analizë që është afër ngjarjes nuk do ishte objektive, nuk do bëhej me urtësi dhe mund të bëhej me emocionet e momentit. Dhe një farë distance kohore i bën mirë të gjithve për të analizuar më mirë zgjedhjet, arsyet që çuan atje dhe për rimëkëmbjen pasi ky është qëllimi. Një analizë që bëhet në vrap e sipër është një analizë që mund të marrë një drejtim  jo të duhur dhe që nuk i shërben askujt” –ka deklaruar deputeti Aldo Bumçi. Sipas tij, shkaqet e humbjes do të analizohen do të analizohen pa u ndalur tek emra konkret.  “Pikërisht kjo është fryma që unë mendoj se duhet t`i shmangemi. Koka turku kërkoni? Mendoj se asnjë parti nuk mund të ringirhet nëse do të bëjë koka turku”-tha Bumçi.

 

Gerti Bogdani

Nga ana e tij, deputeti demokrat Gerti Bogdani, duke u ndalur në procesin e antarësimeve të reja, tha se demokratët janë të kënaqur nga ky proces dhe se rritja e numrit të anëtarësimeve të reja tregon se shqiptarët vazhdojnë t’i besojnë të djathtës. Sipas tij, “Rilindja”, tregoi se ishte një mashtrim i kryesocialistit Edi Rama ndaj qytetarëve. “Procesi ka shkuar shumë mirë. Gjëja surprizuese do të thoja unë në sensin pozitiv të fjalës ka qënë shtimi i anëtarësisë të Partisë Demokratike megjithëse PD-ja është sot në opozitë. Kjo tregon se Partia Demokratike është ende një forcë që i frymëzon qytetarët shqiptar dhe kam përshtypjen se sot qytetarët shqiptar pas përvjetorit të 1 prillit të koalicionit qeverisës e kanë kuptuar që rilindja ka qënë një gënjeshtër e madhe” është shprehur deputeti demokrat Gerti Bogdani. Më herët edhe përfaqësues të tjetër të Partisë Demokratike, delegatë që merren me administrimin e këtij procesi në qytete të ndryshme të vendit, kanë theksuar se procesi i anëtarësimeve të reja në PD ka qenë i suksesshëm dhe se sëshpejti pritet të publikohen të dhënat përfundimtare në të gjithë qarqet.

 

 

Tritan Shehu: Rrotacioni politik nuk është humbje pas 8 vitesh qeverisje

“Analiza ka filluar, nuk bëhet me shkop magjik”. Kjo është deklarata që vjen nga një prej ish-drejtuesve të lartë në Partinë Demokratike, Tritan Shehu. Sipas tij në diskutimet që ai ka pasur janë diskutuar mendime dhe gjëra të rëndësishme edhe lidhur me shkakun e humbjes së zgjedhjeve në qershor. “PD ka treguar se është një forcë me fuqi të madhe gjeneruese, për këtë arsye ka jetuar dhe është sot. PD ndryshon çdo ditë, sot PD është në opozitë dhe do ndryshojë në shumë elementë të saj nga ajo që ishte në qeverisje. Rrotacioni politik nuk është humbje pas 8 vitesh qeverisje, thellësia e humbjes duhet analizuar. Lufta politike e PD ka tiparin e një lufte të përgjegjshme, të emancipuar, në përputhje me intreresat e vendit, një nga këto është dhe integrimi”,-deklaroi Shehu gjatë një prononcimi për mediat. Më herët ai ka qenë një mbështetës i një analize të plotë të zgjedhjeve të 23 qershorit, ku përveç kësaj, PD të ketë edhe alternativën tjetër përpos kësaj që ofron mazhoranca për qeverisjen e vendit.

 

 

Statusi i vëzhguesit, Berisha: Hap i rëndesishëm i Kosovës drejt NATO-s

Vendimin i Asamblesë Parlamentare në NATO për të pranuar Kosoven me statusin e vezhguesit të saj, është vlerësuar edhe nga përfaqësues të politikës shqiptare. Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, thekson se kjo eshte nje arritje e madhe e Kosoves se pavarur ne rrugen e saj te anetaresimit te plote ne Aleancen e Atlantikut te Veriut.

“Asambleja Parlamentare e Aleancës së Atlantikut te Veriut e mbledhur në Riga vendosi të pranojë Kosovën me statusin e vezhguesit të saj. Kjo është një arritje e madhe e Kosovës se pavarur në rrugen e saj të anëtaresimit të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Urimet më të përzemerta për Kosovën, qytetarët, institucionet, shtetarët, forcat e saj politike për këtë arritje të rëndesishme në rrugen e integrimit euroatlantik!!’, shkruan Berisha.

Kreu i delegacionit të Lituanisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Ojars Eriks Kalnins, ka bërë të ditur se, gjatë takimit në Riga, Parlamentit të Kosovës i është dhënë statusi i vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ndërkohë, Rusia është përjashtuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilën përfaqësohej me një marrëveshje të veçantë me Aleancën atlantiko-veriore.

 

 

Share it :