Denoncoi abuzimet e Ballukut, eksperti: Si u kërcënua familja ime
Eksperti i naftës, Eduard Elezi, ka denoncuar publikisht një rast kërcënimi ndaj familjes së tij, të cilin e lidh drejtpërdrejt me deklaratat dhe akuzat që ai ka bërë në media për abuzime në sektorin e energjisë elektrike në vend.
I ftuar në News24, Elezi deklaroi se pas një interviste ku kishte folur për atë që ai i cilëson si “vjedhje dhe abuzime me qindra miliona euro” nga ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, familja e tij është vënë nën presion.
Sipas tij, bashkëshortja është kërcënuar drejtpërdrejt nga persona të paidentifikuar, të cilët i kanë kërkuar që ai të ndalojë së foluri publikisht.
“I është thënë nuses sime të mbyllë gojën burrit tënd që të mos flasë në media për këto çështje”, u shpreh Elezi.
Ai shtoi se ngjarja ka ndodhur në zonën e digës së Liqenit Artificial në Tiranë, ku bashkëshortes së tij i është dalë përpara në rrugë dhe i është përsëritur i njëjti mesazh kërcënues.
Elezi bëri të ditur se rasti është denoncuar menjëherë në polici, ndërsa çështja i është referuar edhe prokurorisë. Megjithatë, ai ngriti shqetësime serioze mbi mënyrën e trajtimit të kallëzimit, duke pretenduar se hetimet janë mbyllur brenda dy javësh pa u marrë në pyetje persona apo pa u verifikuar pamjet filmike në zonë.
“Besuam se do të kishte një hetim të plotë, por nuk është thirrur askush dhe nuk janë parë kamerat. Hetimi u mbyll shumë shpejt”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo situatë, sipas tij, lidhet edhe me mungesën e hetimeve për çështjet që ai ka ngritur në sektorin e energjisë




