Gëzim Saliu
Aksidenti, PD: Prokuroria të hetojë ngjarjen. MB: S’ka pasur fshehje të ngjarjes, akuzat, e pavërteta
Partia Demokratike denoncoi dje përplasjen për vdekje të një 19-vjeçari nga eskorta e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, duke theksuar se ngjarja e ndodhur tre net më parë është munduar të mos bëhet publike. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, tha dje nga selia blu se “ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në fshatin Bilal të Bashkisë Manëz, kur eskorta e Kryeparlamentarit ka përplasur për vdekje Marsel Lohjen, 19 vjeç, të cilit iu dha dje pasdite lamtumira e fundit. Ky aksident vdekjeprurës u kthye menjëherë në një ngjarje të rëndë kriminale, pasi për 48 orë, Ilir Meta arriti ta fshihte ngjarjen, duke u përpjekur të mbyllë punët me policinë, prokurorinë dhe familjen e viktimës. Asnjë media nuk raportoi lajmin. Askush nuk foli rreth kësaj ngjarjeje. Përpjekja për të varrosur faktet, të vërtetën, është akt mafioz, është një sjellje prej Pinoçeti, ku jeta e një njeriu nuk ka vlerë, ku me para dhe me forcën e pushtetit, mund të blesh gjithçka”, – tha ajo. Në këtë kontekst, Partia Demokratike i kërkoi Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencë për aksidentin e dy netëve më parë të eskortës së Kryetarit të Kuvendit dhe të informojë publikun për këtë ngjarje. “Ne i kërkojmë prokurorit të Përgjithshëm që të hetojë rrethanat e ngjarjes dhe të bëjë sa më shpejt drejtësi. Ne i kërkojmë medias të hedhë dritë mbi faktet dhe mbi arsyet pse ky aksident që mori jetën e një 19-vjeçari nuk është raportuar. Partia Demokratike i kërkon Ilir Metës të kërkojë ndjesë publikisht për këtë sjellje të turpshme dhe revoltuese me të cilin ai ka fyer secilin nga ne duke u përpjekur të fshehë e të varrosë vdekjen e një 19-vjeçari. Jeta e Marselit, jeta e çdo qytetari shqiptar, është njësoj e rëndësishme sa jeta e çdo zyrtari në këtë vend, qoftë ai edhe Kryetari i Kuvendit”, – deklaroi Vorpsi.
Reagimi i MB-së
Ndaj akuzave të Partisë Demokratike ka reaguar dje Ministria e Brendshme, sipas së cilës, eskorta e kreut të Kuvendit nuk është përfshirë në aksident. Sipas Ministrisë, deklarata e selisë blu për fshehjen e një aksidenti është tërësisht e pavërtetë, pasi theksohej në deklaratë, drejtuesi i mjetit Kastriot Braho, oficer pranë Gardës së Republikës, në momentin e ngjarjes nuk ka qenë me shërbim por me mjetin e tij personal. “Në komunikatën e përditshme të Policisë së Qarkut Durrës (dt. 7.7.2014, faqja 3, me numër rendor të ngjarjes 17, publikuar dhe shpërndarë për gjithë mediat), është përfshirë arrestimi i shtetasit K. B., pasi ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin M. L., 19 vjeç, banues në Maminas. Prokurori pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës Ilir Turja, ka drejtuar dhe ndjekur gjithë veprimet procedurale, që nga momenti kur është marrë njoftimi për ndodhjen e aksidentit. MPB sqaron se shtetasi K. B, oficer pranë Gardës së Republikës, në momentin e ngjarjes nuk ka qenë me shërbim. Shtetasi K. B. ishte duke udhëtuar me automjetin e tij personal me targa AA 067 JP dhe nuk ka qenë në ushtrim të funksioneve të tij”, thuhej në reagimin e ministrisë. Më tej ajo bëri të ditur: “Me marrjen e njoftimit për arrestimin në flagrancë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” neni 290 pika 2 i Kodit Penal, shtetasi K. B. është pezulluar nga detyra si oficer i Gardës së Republikës, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.
Reagimi i policisë: Kemi arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit, udhëtonte me Benz
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen në fjalë, policia e Durrësit njoftoi dje zyrtarisht se dy ditë më parë ka vënë në pranga shtetasin Kastriot Braho, i cili ka aksidentuar 19-vjeçarin me iniciale M. L. Sipas policisë, 43-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip “Mercedes-Benz”, me targa AA 067 JP, në segmentin rrugor Maminas – Manëz dhe në vendin e quajtur Bilalas ka përplasur të riun, duke i shkaktuar vdekjen. Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje rreth orës 21 e 45 minuta, teksa drejtuesi i mjetit Kastriot Braho është arrestuar në flagrancë. Mbi 43 vjeçarin rëndon akuza “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Reagimi i dytë i PD-së pas deklaratave të MB-së
Reagimi i Ministrisë së Brendshme pas denoncimit të Partisë Demokratike për fshehjen e krimit konfirmoi edhe një herë përpjekjen që është bërë për të mbuluar lajmin e aksidentimit për vdekje të 19-vjeçarit nga eskorta e Ilir Metës. Reagimi i Ministrisë së Brendshme nuk i jep asnjë përgjigje shqetësimit tashmë mbarëpublik për mosraportimin e ngjarjes së rëndë. Së pari, përse Ministria e Brendshme nuk e ka raportuar ngjarjen kur ajo ka ndodhur dhe e bën të ditur vetëm pas denoncimit të Partisë Demokratike? Së dyti, si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit paska qenë duke qarkulluar privatisht në një segment që të çon e të sjell nga Gjiri i Lalëzit, një itinerar i bërë shpesh nga z. Meta? Së treti, si shpjegohet që shefi i eskortës së Kryetarit të Kuvendit ka qenë duke lëvizur privatisht ditën kur z. Meta ka qenë në plazhin e Lalëzit dhe është parë gjatë gjithë kohës atje nga dëshmitarë okularë? Ngjarja e dy netëve më parë dhe fshehja e lajmit janë sjellje kriminale. Reagimi i sotëm i Ministrisë së Brendshme synon sërish fshehjen e ngjarjes. Ky reagim është gjithashtu kriminal.
Denoncimi/ PD: Ndërtimi në sheshin e Korçës, për interesa klienteliste
Partia Demokratike denoncoi dje ndërtimin e një objekti në sheshin para teatrit Çajupi në Korçë. Pas sipas koordinatorit për Ndihmë Ligjore, Ervin Salianji ky ndërtim prish sheshin kryesor të qytetit për interesa qeveritare. Ai tha se ky akt është shprehje e interesave klienteliste të qeverisë dhe miqve të tyre në pushtetin lokal. “Kjo që po ndodh sot këtu, në një prej 2 shesheve kryesore të qytetit, është simboli i vërtetë e kësaj qeverisje. Një qeverisje pa transparencë, pa llogaridhënie. Qytetarët e Korçës nuk e dinë se pse ka mbirë ky rrethim. Nuk ka asnjë tabelë se nga kush dhe çfarë është ky rrethim në mes të qytetit. Është si të godasësh qytetin e Korçës në thelb të identitetit të tij. Ky është një nga dy sheshet kryesore të këtij qyteti”, – u shpreh Salianji. Më tej ai theksoi se Partia Demokratike e dënon këtë arrogancë dhe papërgjegjshmëri të strukturave qeveritare vendore dhe qendrore të cilat kanë të njëjtën mendësi dhe të njëjtin mentalitet në mënyrën e funksionimit të qeverisjes. “Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë akt, këtë çiban që bëhet për interesa klienteliste të qeverisë dhe miqve të saj në kurriz qytetit të Korçës, qytetarëve të saj dhe bizneseve që po asfiksohen nga dita në ditë”, – u shpreh koordinatori për Ndihmë Ligjore në Partinë Demokratike.




