Dënimi nga Gjykata/ I vuri flakën shtëpisë në gjendje të dehur, dënohet 1 vit burg

 Sonja Caka

 

 Kërcënoi familjarët: Nuk do ta gëzoni shtëpinë, dhe i vuri flakën

 Mbrojtja para Gjykatës: Harrova hekurin ndezur dhe më zuri gjumi

 

 

gjykata1Një 53-vjeçar është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata, pasi në gjendje të dehur i vuri flakën banesës së tij ku jetonte me gruan dhe dy vajzat. Banesa është përfshirë nga flakët, duke shkrumbuar gjithçka në mjediset e dhomave të gjumit dhe kuzhinës, duke shpëtuar vetëm orenditë në tualetin e apartamentit. Vetë i pandehuri, Kastriot Kodra, e ka pranuar që në momentet e para akuzën dhe është ndier i penduar për veprimin e kryer, por pavarësisht nga të gjitha, Gjykata e Tiranës ka vendosur ta dënojë me 1 vit e 6 muaj burgim. Por, duke qenë se qysh në fillim është pranuar aplikimi i gjykimit të shkurtuar, përfundimisht Kodra u dënua me 1 vit burg.

 

Akuza

 Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se më date 2.12.2013, rreth orës 22:00, shtetasi Kastriot Kodra ka vajtur në banesë, kati i shtatë, në të cilën kishte rreth dy javë pa shkuar. Sipas hetimit, i pandehuri Kastriot Kodra, duke qenë se ishte në gjendje të dehur, ka ofenduar e sharë të gjithë, duke u thënë: “Nuk do ta gëzoni shtëpinë”. Më pas, ka shkuar në dhomën e gjumit të banesës, e ka mbyllur nga brenda me çelës dhe i ka vënë flakën dhomës. Vajza dhe gruaja shohin tymin dhe flakët dhe vënë alarmin. Ato i kanë kërkuar që të hapte derën, e cila është hapur me vonesë, pasi zjarri kishte përfshirë gjithçka në dhomë e po përhapej në pjesët e tjera të shtëpisë. Pasi ka kuptuar çfarë kishte bërë, i pandehuri Kastriot Kodra dhe pjesëtarët e tjerë të familjes janë munduar të shuajnë zjarrin, por nuk kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë. Më pas, të lajmëruar përmes telefonit, kanë ndërhyrë shërbimet e zjarrfikëseve, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Për pasojë, janë djegur të gjitha orenditë shtëpiake, me përjashtim të orendive që kanë qenë në tualet.

 

Pranimi i fajësisë

 I pandehuri Kastriot Kodra ka pranuar fajësinë, por jo mbi mënyrën se si ndodhi ngjarja, duke e quajtur aksidentale, pra nga pakujdesia. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime e të pandehurit Kastriot Kodra, ka pranuar autorësinë e veprës penale për të cilën është arrestuar, duke vënë theksin se e gjitha kjo ka ndodhur nga pakujdesia, pasi kishte lënë hekurin në prizë e më pas e kishte zënë gjumi, gjë që bie ndesh me aktin e ekspertimit teknik të PMNZSH-së. Ndërkohë që, para se të ndodhte zjarrvënia, ai kishte kërcënuar familjarët e tij se nuk do ta gëzonin shtëpinë. Për këtë arsye, i pandehuri Kastriot Kodra është akuzuar nga organi i akuzës, se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr”.

 

 

Kallëzimi i ILDKP-së

 Ministri Naço: Procedim disiplinor dy gjyqtarëve Dhima e Çela

Pas kallëzimit penal të ILDKP-së për dy gjyqtarët dhe një ambasador, ka reaguar ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i cili ka vendosur fillimin e procedurave disiplinore ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Ken Dhima, dhe gjyqtares së Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Tiranë, Klorinda Çela. Rezultatet e kontrollit mbi shkeljet e konstatuara nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ku konkludohet se veprimet e kryera nga gjyqtarët Ken Dhima dhe Klorinda Çela janë shkelje të rënda të disiplinës të parashikuara nga neni 32, pika 2, shkronja “ç” të ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, parashikojnë se “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive” përbën shkelje shumë të rëndë të akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, e inkurajon Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për të vijuar luftën pa kompromis kundër korrupsionit si dhe shpreh vullnetin e Ministrisë së Drejtësisë për respektimin e memorandumit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, si një garanci për forcimin e mekanizmave të kontrollit në sistemin gjyqësor.

 

 

Korçë

I preu veshin me sëpatë të birit në gjumë, pendohet para Gjykatës

 

“Jam penduar, por doja vetëm ta frikësoja, se pinte drogë dhe na rrihte”. Me këtë argument është justifikuar dhe mbrojtur para Gjykatës Thoma Sejdarasi, i akuzuar se në gjendje të dehur qëlloi me sëpatë në kokë të birin, i cili ka qenë duke fjetur gjumë në ato momente. Gjykata vendosi që të linte në qeli babain që i preu veshin të birit, duke caktuar masën “Arrest me burg”. Gjatë seancës gjyqësore, Sejdarasi tha se krimin e ka kryer në një gjendje tepër të rënduar psikologjike dhe se nuk donte ta vriste të birin, por donte vetëm ta frikësonte. Fillimisht ngjarja u raportua si një reagim i Sejdarasit ndaj zënkave të shpeshta me të birin për çështjen e konsumimit të alkoolit, ndërkohë që dëshmia e të arrestuarit paraqiste një tjetër situatë. Ngjarja e rëndë ndodhur në datën 23 mars dhe babai i tha policisë se djali i tij, Albani, ishte përdorues droge dhe ushtronte dhunë ndaj 52-vjeçarit. Pas një sherri të radhës, plaku qëlloi të birin në kokë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

 

Dibër

Vranë vjehrrën, dënohen 20 vite burg dy nuset Xhemile e Hike Skuka

 Dënohen 20 vite burg dy nuset që vranë vjehrrën e tyre. Gjykata ka dënuar dje dy kunatat që në bashkëpunim me njëra-tjetrën vranë vjehrrën e tyre, Naime Skuka. Në sallën e gjyqit, dy nuset kanë rrëfyer se nuk kishin për qëllim ta vrisnin vjehrrën e tyre dhe se vrasja ndodhi aksidentalisht. Gjykata e Dibrës ka vendosur dënimin me 10.8 vjet burg për Xhemile Skukën, 35 vjeçe, dhe 9.8 vite të tjera për Hike Skukën, 25 vjeçe. Më 12 shkurt të vitit 2013, Naime Skuka u vra nga dy nuset e saj, Xhemile dhe Hike Skuka. Ajo jetonte në një shtëpi me nuset e saj, në Luzni të Dibrës, ndërsa Edmond Skuka dhe vëllai i tij ishin emigrantë në shtetin grek. Sipas dëshmive, dy nuset nuk shkonin aspak mirë me vjehrrën e tyre, derisa më 12 shkurt të vitit të kaluar kryen edhe vrasjen e padëgjuar më parë. Nuset hynë në dhomën ku flinte Naime Skuka dhe i hodhën kësaj të fundit vaj të nxehtë në vesh. Pak minuta më pas, Naime Skuka ndërroi jetë, ndërsa dy nuset u arrestuan për vrasjen pas disa ditësh nga policia e Dibrës.

 

 

Share it :