Kulturë/ Shtëpia botuese “Onufri” riboton veprën monumentale të prof. Shaban Demirajt
Ripunimi i veprës konsiston jo thjesht dhe vetëm në përditësimin e saj me arritjet e përftuara në këta 25 vjet në albanologji, duke përfshirë këtu edhe punën e vetë autorit, por edhe në përpunimin e stilit, përkatësisht në konceptimin e veprës këtë radhë për një rreth shumë më të gjerë lexuesish. Punimi është parashikuar gjithashtu nga vetë autori me një përmbledhje të konsiderueshme në anglisht, duke i mundësuar kështu aksesin përkatës lexuesit të huaj që ka ende vështirësi në leximin e rrjedhshëm të teksteve shqip. Titulli i kësaj monografie simbolizon në domethënien dhe tërësinë e vet jetën intelektuale të autorit të saj, e cila shtrihet përgjatë një harku kohor prej shtatë dekadash e që sendërtohet si e tillë me një prurje deri sot unikale në historinë e albanologjisë: Janë rreth 10.000 faqe të botuara që mbajnë dhe gëzojnë firmën dhe autoritetin e albanologut shqiptar Shaban Demiraj. Kjo monografi i bashkëlidhet kështu natyrshëm veprave dhe morisë së studimeve të autorit, duke ruajtur si e tillë edhe mëvetësinë e saj. Ndërsa e përbashkëta është e dhënë njëherë e përgjithmonë në objektin e studimit, e veçanta feks pikërisht në perspektivat e ndryshme të hulumtimit të tij diakronik, përkatësisht në mënyrën se si përthithen e ngjizen në një masë të përbashkët rezultatet e arritura prej sosh. Nuk është pra aspak rastësi që në këtë vepër shqipja shqyrtohet në kohë e hapësirë si një gjuhë sa indoevropiane aq edhe ballkanike, madje pa cenuar aspak edhe mëvetësinë e saj si gjuhë e gjallë bashkëkohore që gjëllin sipas rastit e unifikuar, por edhe në varietete, të kushtëzuara këto qoftë nga mjedisi gjeografik ashtu edhe ai social, ku jetojnë bartësit e saj. Më shumë se sa një mjet i rëndomtë komunikimi brenda bashkësisë, shqipja është për autorin pasqyrë e jetës shpirtërore e materiale të kësaj bashkësie, një përbërës themelor i matriksit të kulturës etnike shqiptare, e cila është ngjizur e ka marrë formë në rrjedhë të kohës në një mjedis kulturor multietnik dhe nën ndikimet e fuqishme kulturore që vinin e vijnë prej Lindjes dhe Perëndimit. Është kjo një ndër arsyet që edhe autori ynë – sikurse shumëkush në historinë e albanologjisë – e konsideron shqipen dhe hapësirën kompakte shqipfolëse si pikë e Arkimedit, që mundëson të depërtohet me më siguri edhe në paleoetnogjenezën e Ballkanit antik.
Përmblodhëm kështu në mënyrë të thukët si objektin dhe qëllimin ashtu edhe perspektivat e këtij studimi që i paraqet autori lexuesit të interesuar për çështje të historisë së gjuhës shqipe dhe të etnogjenezës shqiptare. Këto fjalë hyrëse do t’i kishte thurur sigurisht shumë më mirë vetë autori, të cilin tashmë nuk e lejon gjendja e rënduar shëndetësore për të punuar. Për këtë arsye gjetëm me vend të përfshijmë në këtë botim të dytë të ripunuar prej tij edhe parathënien e botimit të parë me të njëjtin titull “Gjuha shqipe dhe historia e saj“ (SHBLU, Tiranë 1988). Ripunimi i veprës konsiston jo thjesht dhe vetëm në përditësimin e saj me arritjet e përftuara në këta 25 vjet në albanologji, duke përfshirë këtu edhe punën e vetë autorit, por edhe në përpunimin e stilit, përkatësisht në konceptimin e veprës këtë radhë për një rreth shumë më të gjerë lexuesish. Punimi është parashikuar gjithashtu nga vetë autori me një përmbledhje të konsiderueshme në anglisht, duke i mundësuar kështu aksesin përkatës lexuesit të huaj që ka ende vështirësi në leximin e rrjedhshëm të teksteve shqip.
***
Gjuha shqipe dhe historia e saj e kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e studiuesve gjatë këtyre dy shekujve të fundit. Përpjekjet e disa brezave dijetarësh, shqiptarë dhe të huaj, kanë bërë të mundur që të hulumtohen e të njihen gjithnjë e më mirë sistemi i kësaj gjuhe dhe historia e saj. Ishte e natyrshme që këto përpjekje të jepnin përfundime më të plota dhe më të qëndrueshme në studimin sinkronik të sistemit gjuhësor të shqipes nëpërmjet hulumtimit dhe përshkrimit të pjesëve të ndryshme përbërëse të këtij sistemi. Por hapa të mirë përpara janë hedhur edhe në sqarimin e evolucionit të kësaj gjuhe të lashtë të Ballkanit, e cila, për arsye të njohura historike, me shkrim ka nisur të lëvrohet relativisht vonë.
Ndihmesat e një vargu gjuhëtarësh, si Franz Bopp-i, Dhimitër Kamarda, Gustav Meyer-i, Holger Pederseni, Norbert Jokli, Aleksandër Xhuvani, Marko La Piana, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza, Idriz Ajeti, Besim Bokshi, Ethem Likaj, Seit Mansaku etj., kanë bërë të mundur që të ndriçohen pak a shumë edhe fazat e hershme të historisë së kësaj gjuhe, duke kapërcyer kështu vështirësi të shumta. Por, me gjithë arritjet e derisotme, në këtë fushë studimesh mbetet ende shumë punë për të bërë. Sidoqoftë, studimet e derisotme lejojnë të bëhen sinteza të rëndësishme të përfundimeve të arritura. Dhe sinteza të tilla nuk kanë munguar të bëhen. Mjafton të përmenden këtu, sa për shembull, vepra e njohur e Eqrem Çabejt Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, Fonetika historike e shqipes, si edhe vepra e tij madhore Studime etimologjike në fushë të shqipes.
Në vazhdim të këtyre përpjekjeve u hartua edhe ky libër, i cili synon t’u përgjigjet kërkesave të atyre që duan të kenë në dorë një vepër sintetizuese për gjuhën shqipe dhe për historinë e saj. Në pamundësi që të trajtohen gjerësisht të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e gjuhës shqipe dhe me evolucionin e saj historik, këtu do të jepen kryesisht njohuri të përmbledhura mbi disa çështje themelore. Për trajtime më të gjera të këtyre çështjeve të interesuarit mund të shfrytëzojnë bibliografinë e përzgjedhur, që do të shënohet në fund të çdo kreu. Me qëllim që kjo vepër të mund të shfrytëzohet nga një masë më e madhe lexuesish, në disa raste përmenden edhe të dhëna, që janë të njohura për specialistët. Nga ana tjetër, për të mos e ngarkuar veprën pa nevojë, në mjaft raste nëpërmjet shënimeve përkatëse, njoftohen lexuesit se ku mund të marrin njohuri më të plota për këtë ose atë çështje të veçantë.
Për t’u ardhur në ndihmë studiuesve të huaj, që po tregojnë një interesim gjithnjë e më të madh për gjuhën shqipe dhe për historinë e saj, në fund të veprës është shtuar një përmbledhje në gjuhën angleze.
Në ripunimin përfundimtar të kësaj vepre janë pasur parasysh edhe vërejtjet dhe sugjerimet e recensentëve, kandidatit të shkencave filologjike Ethem Likaj dhe kandidatit të shkencave filologjike Seit Mansaku, si edhe ato të kandidatëve të shkencave filologjike Fatmir Agalliu dhe Hamlet Bezhani. Shaban Demiraj, gjuhëtar, profesor, akademik, anëtar i ASHAK, Mësues i Popullit. Në vitet 1993-1997 ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Lindi në Vlorë. Kreu shkollën e mesme (medresenë) në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955). Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, çka përbën në vetvete rekord në historinë e arsimit në Shqipëri.
Si docent universiteti, ai ka mbajtur kurse leksionesh për një numër të qenësishëm lëndësh albanistike dhe albanologjike, si për morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, për gramatikën historike të gjuhës shqipe, për historinë e gjuhës së shkruar shqipe (shekujt XVII-XIX), si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispensa e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot Universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë etj.
Drejtoi për 27 vjet katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962- 1989). Në vitet 1962-1966 ka qenë zëvendësdekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai është laureat i dy Çmimeve të Republikës: të klasit të dytë (1979) dhe të klasit të parë (1989). Është dekoruar me Urdhrin Mjeshtër i Madh i Punës (2000). Është Qytetar Nderi i Vlorës (2001).
Një jetë e tërë e mbushur me studim, me kërkim, me krijimtari shkencore të qëndrueshme, jetëgjatë. Ai ishte anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), iu dhanë titujt e lartë Profesor (1972), Mësues i Popullit (1977), Profesor i merituar (1990), anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1989), kryetar i saj (1993-1997), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1996), anëtar i Akademisë Qendrore Evropiane të Shkencave dhe të Arteve (1997), anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës (2000), nënkryetar i A.I.E.S.E.E. (Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Evropës Juglindore (1994-1998).
Shaban Demiraj është gjithashtu bashkautor dhe redaktor i veprës akademike Gramatikë e gjuhës shqipe, vëllimi I, Morfologjia, Tiranë 1976 (ribotuar 1995, 2002). Ai ka transkriptuar dhe përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës Kënga e sprasme e Balës, Tiranë 1994 (ribotuar në Prishtinë më 2006). Në bashkëpunim me akademik Kristaq Priftin, ka hartuar dhe botuar Kongresi i Manastirit (Tiranë 1968, ribotuar më 2005 dhe 2008). Ka botuar një monografi jetëshkrimore për Eqrem Çabejin, Eqrem Çabej – Një jetë kushtuar shkencës, (1990). Ka përkthyer romanin Martin Iden të Xhek Londonit (1995), me gjuhë të krehur, larg ndikimeve e ndërtimeve të pastra angleze, shembull për përkthyes të tjerë.
Vepra:
– Historia e gjuhës së shkruar shqipe, Tiranë 1970,
– Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe, Tiranë 1972,
– Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe, Tiranë 1975;
– Morfologjia historike e gjuhës shqipe, I, Tiranë 1973; II Tiranë 1976 (ribotuar në Prishtinë më 1980),
– Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Tiranë 1986 (ribotuar në Prishtinë më 1988; një botim i përmbledhur në Tiranë më 2002),
– Historische Grammatik des Albanischen, Wien 1993,
– Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë, 1988 (ribotuar në Prishtinë 1989, botuar edhe në italisht nga Universiteti i Kozencës, 1997),
– Gjuhësi ballkanike, Shkup 1994 (shqip dhe maqedonisht, dhe ribotuar në Tiranë më 2004,
– Fonologjia historike e gjuhës shqipe, Tiranë 1996),
– Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, Tiranë 1999,
– The origin of the Albanians (linguistically investigated), Tiranë 2006,
– Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj, Tiranë 2003,
– Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Tiranë 2008.




