Del Boske: Portugalia dhe Brazili, favoritë për Botërorin

del boskeTekniku spanjoll u shpreh se ekipi luzitan ka forcën e nevojshme për të fituar kompeticionin, edhe pse favoritët mund të jenë të tjerë në letër

 Skuadra spanjolle është akomoduar ditën e djeshme në mjediset ku do të qëndrojnë gjatë kompeticionit të Kupës së Botës. Tekniku spanjoll ka komentuar dje edhe mbi favoritët e kompeticionit, ndër të cilët është edhe skuadra e tij. Tekniku në deklaratën e tij konsideroi Portugalinë një nga skuadrat kandidate për të fituar Kupën e Botës, pavarësisht se këta të fundit nuk kanë arritur të triumfojnë asnjëherë në kompeticionin më të rëndësishëm në nivel kombëtaresh. “Unë mendoj se Portugalia është një kandidate serioze për të fituar Botërorin. Ata drejtohen nga një trajner i shkëlqyer si Paulo Bento, ndërkohë që kanë në ekip një nga lojtarët më të mirë në qarkullim, i referohem pikërisht Kristiano Ronaldos”. Gjithashtu Del Boske deklaroi se për të mirën e futbollit ai shpreson shumë që Kristiano Ronaldo të jetë rikuperuar plotësisht për nisjen e Botërorit. Demat e kuq shkojnë në këtë Botëror si kampionia në fuqi, megjithatë numri 1 i stolit të iberikëve e di shumë mirë se duhet punë për të mbrojtur titullin në Brazil. Dhe këtë detyrë Spanja do ta ketë shumë të vështirë. “Mbrojta e titullit do të ishte diçka e mrekullueshme, megjithatë ky objektiv do të jetë shumë i vështirë për ne, sepse në Botëror marrin pjesë shumë skuadra të forta. Mendoj se Brazili, Argjentina, Portugalia, Kili, Gjermania, por edhe Belgjika kanë shanse të mira për të fituar Kupën e Botës”. Përzgjedhësi i Spanjës, Visente del Boske, nuk mendon se kombëtarja e tij është favorite për ta fituar Kampionatin Botëror. Kampionët evropianë dhe botërorë konsiderohen si një nga favoritët kryesorë, së bashku me Brazilin, mirëpo trajneri nuk dëshiron që lojtarët e tij ta kenë presionin e favoritit. “Gjërat do të bëhen të njohura në fushë. Besojmë se jemi angazhuar shumë që t’i rregullojmë gjërat, por në fund futbolli është ai që tregon nëse gjërat janë bërë mirë ose jo. Gjithçka që na ka ndodhur në katër vitet e fundit ka të bëjë vetëm me faktin që fituam (Kupën e Botës në vitin 2010). Nuk duhet pranuar ideja e të qenit favorit, këtë ma ka treguar përvoja në futboll”, – ka deklaruar Del Boske për “Marca”, duke e përmendur Brazilin si favoritin kryesor. Spanja është shortuar në grupin B, me kombëtare të tilla si Kili, Holanda dhe Australia. “La Roja” do ta nisë kompeticionin me ndeshjen ndaj skuadrës së drejtuar nga Luis van Gal në datën 13 qershor. Një grup që nuk është i lehtë. Kjo, pasi Kili dhe Holanda janë skuadra shumë të fuqishme. Kilianët luajnë një futboll shumë të shpejtë e të fortë dhe kanë arritur edhe më parë t’i hapin punë Spanjës. Ndërsa Holanda ka qenë finalistja e Botërorit të kaluar. Mundja e të kuqve mund të shikohet shumë mirë si një mënyrë e mirë hakmarrje për humbjen e shkaktuar në finale.

 

 Xherard largohet nga stërvitja

Probleme të mëdha duket se janë hapur për “tre luanët”. Kjo, pasi Stiven Xherard është larguar nga stërvitja e kryer dje nga kombëtarja. Mesfushori i Liverpulit u largua për shkak të një dëmtimi në ije dhe tani priten ekzaminimet e duhura. Kjo, për të kuptuar nëse kapiteni i Anglisë do të jetë i gatshëm për lojë në ndeshjen e parë ndaj Italisë. Xherard nuk çaloi dhe nuk tregoi se kishte ndonjë dhimbje, por thjesht largimi i tij nga stërvitja duket se ka shkaktuar dhimbje koke për Hoxhsonin. Ndërkohë, Çambëlrein është një tjetër lojtar që u stërvit i vetmuar në tentim për t’u rikuperuar nga dëmtimi i lehtë në gju.

 

Lëv: Do të vazhdojmë lojën sulmuese

Tekniku i Gjermanisë, Lëv, ka deklaruar se “pancerat” do të vazhdojë të jetë ekip sulmues dhe do të mbajë lojën për të cilën njihet. Lëv po bëhet gati për Botërorin e tij të dytë me Gjermaninë dhe thotë se ai do t’i mbetet besnik filozofisë së tij sulmuese. “Ne kemi analizuar ndeshjet tona nga dy vitet e fundit. Kemi humbur shpejtësinë në lojën tonë, por do të kërkojmë që këto t’i përmirësojmë në ndeshjet e rëndësishme. Kemi një grup me lojtarë të rinj që do të vazhdojnë filozofinë time sulmuese. Ne kemi sistemin tonë dhe kemi besim në të. Një element pozitiv i joni është shpejtësia për të reaguar dhe këtë po pres ta shoh në Brazil”, – u shpreh tekniku.

 

Fridel: Nojer dhe Kurtua, më të mirët në botë

 Ish-portieri i SHBA-së, Brad Fridel mendon se gardianët më të mirë të këtij Botërori janë Kurtua i Belgjikës dhe Nojer i Gjermanisë. “Mendoj se dy portierët më të mirë në botë janë Kurtua dhe Nojer. Ata janë dy portierët më të mirë në botë dhe kjo nuk ndodh në çdo botëror. Është edhe një ndonjë portier nuk e njeh, por që do të shkëlqejë në Botëror. Ndonjëherë kanë fat, sepse janë pesë-gjashtë ndeshje dhe e shohim ndonjë portier të ri në skenë. Por, për mua këta janë portierët më të mirë të kësaj gare, për shkak se janë të ri dhe kanë karrierë para vetes e kanë treguar formë sensacionale me klubet e tyre”, – ka thënë Fridel.

 

Di Maria: Mesi, një kapiten i madh

Galaktiku Angel di Maria komentoi me disa fjalë yllin e Barcelonës, Leo Mesi, në prag të këtij Botërori. “Na takonte neve të vendosnim se kush do ta mbante shiritin e kapitenit dhe zgjodhëm Mesin. Ai është një lojtar fantastik, një shok i mirë dhe një kapiten i madh. Shpresoj që ky të jetë Botërori i tij. E mbaj mend shumë mirë ditën kur kam luajtur për herë të parë përkrah tij. Ishte shumë i fortë dhe të gjithë flisnin vetëm për të. Tani më thonë se jam me shumë fat që kam mundësinë të luaj me Ronaldon e Mesin. Pa dyshim që të dy janë lojtarë të mëdhenj dhe për fat i kam të dy në ekipet ku luaj”, – shprehet ai. Nga triumfi në Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit, Di Maria e di që Botërori është kompeticion i një dimensioni tjetër, por edhe këtu, argjentinasi synon vetëm suksesin”.

 

Share it :