Deklaratat e Marta Kos/ Bardhi: Qeveria e Edi Ramës mban përgjegjësi për korrupsionin, jo shqiptarët
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj një deklarate për Politico të Komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos teksa po fliste për situatën e korrupsionit në Shqipëri dhe çështjen e Belinda Ballukut.
Teksa tha se po e monitorojnë me kujdes çështjen e Ballukut, Kos shtoi: “Një tjetër element në luftën kundër korrupsionit, sidomos për vendet kandidate, është se ti mund të kesh legjislacionin më të mirë por nëse korrupsioni është i pranuar në ato vende, atëherë ka një problem tjetër. Pra të gjithë ato vende po shkojnë drejt një procesi të ndryshimit të mendësisë të korrupsionit dhe për këtë do të duhet kohë.”
Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi e cilëson të papranueshëm qëndrimin e komisioneres së BE-së, duke theksuar se ajo ka bërë përgjegjëse shoqërinë shqiptare për korrupsionin në vend.
Bardhi thotë se korrupsionin e ish zv kryeministres Belinda Balluku nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët e tij nëpërmjet fuqisë së kartonëve në Kuvend.
Deputeti demokrat kërkon edhe distancim të institucioneve evropiane nga përgjithësime të tilla, që ai i cilëson si të papërshtatshme ndaj shqiptarëve.
Reagimi i Bardhit:
I pabesueshëm qëndrimi i Komisioneres së Zgjerimit znj. Marta Kos, që është shpërndarë në median shqiptare në vijim të një interviste të saj në Politico, që bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.
Jo e nderuar znj. Komisionere;
Shoqëria shqiptare nuk e pranon korrupsionin, shqiptarët nuk janë të korruptuar.
Përgjegjësia për korrupsionin dhe pranimin e mbrojtjen e tij është vetëm personale e Edi Ramës. Korrupsionin e Belinda Ballukut nuk e kanë pranuar shqiptarët, por e ka mbrojtur Edi Rama me deputetët – kartona në Kuvendin e Shqipërisë.
SPAK nuk po e pengon shoqëria shqiptare të luftojë korrupsionin, por po e pengon Edi Rama që po ndërhynë në hetimet e një çështje konkrete.
Ju nuk keni asnjë të drejtë të fyeni shoqërinë shqiptare, që është populli më proeuropian në botë. Ne e përbuzim përgjithësimin dhe vlerësimin tuaj për shoqërinë shqiptare, dhe kërkojmë me këmbëngulje distancimin e institucioneve europiane mbi përgjithësime të tilla të papërshtashme për shqiptarët.



