Deklarata/ Drejtori i Burgjeve, Zoto: Janë 900 të burgosur që përfitojnë nga amnistia

Sonja Caka

 

 Pas dy javësh hyn në fuqi ligji, kreu i Burgjeve u jep orientimet për amnistinë drejtorëve të burgjeve ku pritet të ketë lirime

 

 Burgu-i-Fushe-KrujesAmnistia pritet të lirojë nga qelitë e burgut rreth 900 persona, të cilëve u kanë mbetur deri në dy vjet burg për të vuajtur nga dënimi i dhënë. Kjo shifër është deklaruar dje nga kreu i Burgjeve, z. Artur Zoto, i cili së bashku me të gjithë krerët e drejtorive të burgjeve në vend ka zhvilluar një takim në burgun e Drenovës në Korçë. Sipas drejtorit të burgjeve, në burgun e Drenovës ka zhvillim në elementët e sigurisë. Pas arratisjes së 7 të burgosurve me 23 nëntor të vitit të kaluar, ky burg u bë objekt i cenimit të sigurisë. Pas inspektimit në burgun e Drenovës, Zoto ka zhvilluar një takim me drejtorët e burgjeve në të gjithë vendin, të cilët ndodheshin në qytetin e Korçës. Në përfundim të takimit, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, tha se në qendër të bisedës ishte dhënia e orientimeve për amnistinë. “U dhanë orientimet për amnistinë. Janë 900 të burgosur që përfitojnë nga amnistia. Kjo vizitë studimore do të unifikohet në gjithë sistemin e burgjeve. Duhet të zbatohet ligji në cilësinë dhe standardet e kërkuara”, – tha Zoto, duke shtuar: “Arratisja nga Burgu i Drenovës na ka bërë që ta kthejmë atë në model për burgjet e tjera në vend për sa i përket masave”. Po sipas drejtorit Zoto, burgu i Drenovës sot është ndër më të mirët, edhe pse nuk ka një të kaluar të mirë. Tani burgu i Drenovës është me standard dhe ka një rizhvillim në menaxhimin dhe sigurinë e tij.

 

Kriteret, kush përfiton

 Sipas ligjit, përfitojnë nga amnistia të dënuarit me burgim deri në 3 vjet, personat e dënuar me gjobë apo me një nga alternativat e dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij projektligji; të dënuarat femra, që janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; të dënuarit meshkuj, që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji; të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 139, 140 e 141 të Kodit Penal. Lidhur me nenin 4 të ligjit, janë përfshirë kategoritë e të dënuarve që nuk përfitojnë ulje dënimi. “Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë”, që do të thotë një garanci e shtuar për mbrojtjen e interesit publik dhe nuk vë në rrezik sigurinë dhe rendin publik. Veprat penale të parashikuara në nenin 4, të projektligjit, janë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe, për këtë qëllim, këta persona përjashtohen tërësisht nga përfitimi i amnistisë”, – thuhet në nenin 4 të ligjit “Për dhënie amnistie”.

 

 

Personat me aftësi të kufizuara

Ministri Naço: Të hapur për bashkëpunim, do të jem avokati juaj

 Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ashtu si dhe një takim të mëparshëm, edhe dje shprehu gatishmërinë për të përkrahur dhe për të ofruar mbështetje ndaj personave me aftësi të kufizuara. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, ku në fokus u vu aksesi i kësaj kategorie në sistemin e drejtësisë, ministri Naço tha se do të jetë avokati i këtyre personave. “Ministria e Drejtësisë është e hapur për bashkëpunimin në këtë drejtim. Para dy muajsh ne kemi ulur tarifat për gjithë shtresat e vendit dhe për ju do të ketë lehtësira të tjera”, – tha ministri Naço. Kreu i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj, tha se aksesi i këtyre personave në sistemin e drejtësisë është me rëndësi. Ndërsa kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, tha se “personat me aftësi të kufizuara duhet të përfaqësohen në drejtësi. Aksesi i tyre në sistemin e drejtësisë është më rendësi. Krijojmë mundësi për këta persona. Si dhe duhet t’i krijohet mundësi që personat me aftësi të kufizuar të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre themelore”. Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara ka zhvilluar këtë takim me përfaqësues të institucioneve më të larta të drejtësisë, si Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit dhe Shkolla e Magjistraturës, janë nënshkruar edhe memorandumet e bashkëpunimit. Duke pasur në fokus krijimin e një ambienti lehtësues dhe të përshtatshëm për rritjen e aksesit në drejtësi par personat me aftësi të kufizuar, janë nënshkruar edhe memorandumet e bashkëpunimit. Këto memorandume ndalen tek bashkëpunimi i institucioneve më të larta të drejtësisë me KKPAK, si dhe do të përcaktojnë ekspertët ligjorë të cilët do të kontribuojnë me këshilla ligjore, rekomandime dhe sugjerime për Hartimin e një Raporti Kombëtar për Aksesin në Drejtësi për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri. Disa nga format e bashkëpunimit janë: Lehtësimi i komunikimeve dhe bashkëpunimeve me institucionet e drejtësisë në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht për rritjen e informacionit dhe kapaciteteve të administratës së gjykatave të shkallës së parë dhe të Apelit, prokurorëve, gjyqtarëve, noterëve, avokatëve për rritje të aksesit në drejtësi për PAK; Kontribut për identifikimin e problematikave dhe përmirësimin e aksesit në drejtësi për PAK; Dhënia e ekspertizës për përmirësime të nevojshme në legjislacion dhe paraqitja e propozimeve ligjore referuar edhe eksperiencave të vendeve të tjera me qëllim ofrimin e aksesit në drejtësi në përputhje me garancitë e ofruara nga Konventa e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, – thuhet në njoftimin e KKPAK, Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara.

 

 

Durrës

 Ryshfeti për provimet, lirohen dy studentet, ngel në burg pedagogu

Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë të lirë dy studentet e arrestuara për dhënie ryshfeti. Apeli ka lënë të lirë studentet Eralda Lika dhe Merushe Beçeri, ndërkohë që mbetet në burg pedagogu Endri Sina. Gjykata ndryshoi dje masën për dy studentet, duke u caktuar detyrimin për t’u paraqitur pranë organit të akuzës, në dispozicion të hetimeve, ndërsa pedagogu në burg, deri në fund të hetimeve. Pedagogu Sina dhe dy studentet u arrestuan në muajin shkurt. Sipas hetuesve të çështjes, dy studentet për të gjitha provimet e ditës për lëndën e Kimisë në degën Infermieri, kërkonin para nga studentët e tjerë për të ndikuar tek pedagogia Tota, për të kaluar ose për të marrë një notë maksimale. Shuma që kërkonin dy studentet seksere varionte nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë të reja, ndërsa pedagogia Odeta Tota gjithashtu e arrestuar, u jepte studentëve tezat e zgjidhura. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se pedagogia e Kimisë bashkëpunonte me pedagogun Endrit Sina, i cili ishte në të njëjtën zyrë me të.

 

Share it :