Gëzim Saliu
Ruçi, Tahirit: S’luftohet krimi me aksione policie, por çdo ditë. Kryeministri: Nuk është aksion, por operacion, ka nisur tani, sepse pritëm sa të zgjidhnim konfliktin ligjor me CEZ-in
Mes kritikave dhe replikave, seanca e djeshme parlamentare shënoi dje debatin e parë publik mes kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruci, Kryeministrit Rama dhe ministrave të qeverisë. Pas disa përballjeve në komisionet parlamentare, ku shpesh deputetët e mazhorancës kanë cunguar me kritika disa nga ministrat e ekzekutivit, dje ka qenë vetë numri i një i grupit kuvendor socialist që ka përcjellë publikisht disa shqetësime. Me ton të drejtpërdrejtë dhe kritik, Ruçi, duke iu drejtuar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, pas deklaratave të këtyre të fundit në Parlament për aksionin kundër vjedhjes së energjisë, tha se ata duhet të japin llogari dhe jo të sillen si Kryeministra. “S’isha në gjendje të dalloja ku fillonte dhe ku mbaronte ministri nga Kryeministri. Zotërinj ministra kur vini këtu në Parlament, duhet të mendoni që s’jeni kryeministra, jeni për të dhënë llogari. E jo të fshiheni pas thirrjes që ju bëri Kryeministri. E dëgjova ministrin e energjetikës dhe atë të brendshëm, dhe janë përfshirë në aksionin që ka shpallur Kryeministri. Por, qeverisja nuk bëhet me aksion, qeverisja bëhet me qeverisje çdo ditë”, – u shpreh Ruçi. Duke iu drejtuar personalisht secilit prej dy ministrave, kreu i grupit parlamentar pohoi se në radhë të parë Gjiknuri duhet të përqendrohet tek keqmenaxhimi dhe administrimi. “Janë 2252 elektricistë që ka sistemi. Çfarë mendoni që këto lidhjet e jashtëligjshme nuk i kanë bërë këta 2252 elektricistë?! Absolutisht i kanë bërë këta. Kjo është reforma që duhet të bëjë sistemi. Sikur nga një lidhje të paligjshme të zënë këta, çdo ditë do të kemi 2252 lidhje të jashtëligjshme. Keni mbi 600 e ca faturistë. Sikur nga një në ditë të kapnin këta, do të kishim 600 e ca deponime. Asnjë nuk kemi as nga elektricistët dhe as nga faturistët. Sepse janë këta fajtorët. Kur vini këtu duhet të përgjigjeni si ministër për administrimin e sistemit të ndërmarrjes që keni në varësi”. Ndërkaq duke iu drejtuar ministrit të Brendshëm, Ruçi theksoi se krimi nuk luftohet me aksione policie, por duke vepruar çdo ditë. “Ka një krim ekonomik policia, ka një strukturë të posaçme. Unë nuk mendoj se ka krim më të madh, ashtu sikundër e thate edhe ju, – që janë 154 milionë euro. Ç’ka bërë krimi ekonomik sot e një vit që jemi ne në pushtet?! Kush janë konkluzionet e tij?! Kush janë ata që ka ndaluar?! Kush janë ata që i ka denoncuar në Prokurori?! Sa nga këta janë gjykuar?! Për këtë punë është krimi ekonomik. Ndaj, herë tjetër ne si mazhorancë, është apo nuk është opozita, për të gjitha këto probleme juve zotërinj ministra do t’u thërrasim në interpelancë që të përgjigjeni sepse për këtë jemi votuar. Me qëllim që të justifikojmë atë votëbesim që na ka dhënë elektorati shqiptar”, – përfundoi kritikën e tij, kryetari i grupit parlamentar demokrat.
Replika e Ramës
Menjëherë pas fjalës së kreut të grupit parlamentar, Ruçi, në foltoren e Kuvendit u ngjit Kryeministri Rama, i cili duke dalë në mbrojtje të ministrave, tha se nuk kemi të bëjmë me një aksion, por me një operacion, i cili sipas tij nuk është nisur më parë, pasi pritej zgjidhja e konfliktit ligjor me CEZ. “Operacioni është një përshkallëzim i një procesi të nisur që ditën e parë që është marrë kompania në administrim, ku ne kemi konstatuar një sërë gjërash. Kështu që të jemi shumë realist, operacioni ka nisur në kohën e duhur dhe nuk do të mbarojë në fund të vitit. Operacioni do të jetë konstant. Kjo është arsyeja pse të gjithë këto gjëra duhen parë së bashku, nuk duhen parë të shkëputura”, – u shpreh Rama. Më tej, kreu i qeverisë pohoi se kishte vlerësimin më të madh për ministrat e tij dhe ndihej krenarë për punën e tyre. “Unë dua të shpreh vlerësimin tim më të lartë për ministrin e energjetikës, ministrin e brendshëm, ministrin e mirëqenies sociale, ministrin e ekonomisë dhe të gjithë grupit që duhet të jenë sot krenarë për faktin se ia kemi dalë të vendosim sot këtë proces në atë rrugë që nuk është më rruga pa fund e 20 viteve, por është rrugë që ka stacione dhe ka mbërritje absolutisht të sigurt dhe të suksesshme jo për qeverinë, por për mbarë vendin tonë”, – përfundoi Rama.
Ruçi, Haritos : Mos shkel rregulloren, keni 1 vit në detyrë, mësoni
Para debatit me ministrat Gjiknuri dhe Tahiri, kreu i grupit parlamentar socialist e nisi dje kritikën e tij që në fillim të seancës parlamentare me ministren e Inovacionit dhe Administratës, Milena Harito. Pasi kjo e fundit foli pas diskutimit të projektligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, Ruçi u shpreh se fjala duhet të ishte marrë në fillim sipas rregullores dhe procedurave parlamentare. Sipas tij, pasi flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ministrat nuk kanë më të drejtë ta marrin fjalën. “Dua t’i kujtoj ministres, juve që drejtoni seancën dhe gjithë ministrave. Fjala që paraqitët do të kishte vend ta kishit marrë në fillim sipas rregullores dhe procedurave parlamentare. Pasi mbyllet diskutimi dhe pasi flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare, nuk keni më të drejtë ta merrni fjalën. Pasi mbyllet diskutimi dhe pasi flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare, nuk keni më të drejte ta merrni fjalën. Në qoftë se do ta merrni fjalën pas mbylljes së diskutimit, kërkoni që të hapet diskutimi nga e para. E ndoqa me vëmendje, thashë se s’kam asnjë vërejtje, por s’kishit asnjë të re për ta hapur diskutimin nga e para kur ishte mbyllur diskutimi. Prandaj, këto janë proceduara dhe praktikat parlamentare. Keni një vit ministre, i mësoni dhe me Parlamentin të jeni korrekt herën tjetër”, – u shpreh Ruçi.
Më 3 nëntor dorëzohet Buxheti/ Kryeministri, deputetëve kritikë: S’ka më gjoba sociale, kush shkel semaforin, faturë të kripur
Rama: Ngremë njësinë operacionale, kap “hajdutët” faturistë e elektricistë. Për 5 vite kalojmë nga faza e borxheve tek faza ku do të kemi fitime nga sektori energjisë
Kryeministri i vendit, Edi Rama, bëri të ditur dje në Parlament se ditën e hënë do të dorëzohet në Kuvend projektbuxheti i ri, i cili, sipas burimeve pranë ministrive të linjës, prek dhe rrit disa taksa. “Ditën e hënë, në orën 08:00 të mëngjesit, Kuvendit do t’i dorëzohet projektbuxheti i ri, në sekondën e parashikuar nga Kushtetuta. Për herë të parë Kuvendi do të ketë gjithë hapësirën kohore të nevojshme për të shtrirë diskutimin mbi projektin e buxhetit të ri me të gjitha grupet e interesit dhe padyshim edhe vetë deputetët për ta diskutuar me të gjithë zgjedhësit, në të gjithë territorin”, – u shpreh Rama. Ndërkaq, paketa e re fiskale për vitin 2015 do të bëjë që të gjitha llojet e të ardhurave, përveç pagave të tatohen me 15 për qind. Po ashtu taksa e qarkullimit do të rritet me 12 lekë, ndërsa do të hiqet TVSH-ja për sigurimin e automjeteve.
Energjia
Lidhur me sektorin e energjisë, kreu i qeverisë bëri të ditur se do të duhen 5 vite që prej këtij sektori të merren përfitime ekonomike. “Na duhen 5 vite! 5 vite që të kalojmë nga një fazë ku subvencionojmë me borxhe mbajtjen në këmbë të sistemit dhe humbasim çdo vit dhe të kalojmë në një fazë tjetër të historisë së këtij vendi, ku pikërisht nga ky sektor të na vijnë jo humbjet, por përfitimet”, – tha ai. Lidhur me heqjen e fashës, Rama theksoi se mazhoranca nuk pranoi alternativën e rritjes uniforme të çmimit. “Kemi refuzuar alternativën e rritjes uniforme të çmimit si një alternativë të dhimbshme, më shumë se ç’duhet dhe se ç’mundet, por dhe se ç‘është e nevojshme për të gjithë ata që paguajnë. Kemi zgjedhur alternativën e heqjes së fashës për të garantuar që ata që paguajnë të mos paguajnë më për ata që nuk paguajnë”. Ndërkaq, sipas kreut të qeverisë, në të shkuarën janë bërë 4 ndryshime në adresimin e çështjes së të ardhurave nga konsumatorët, duke u bërë, sipas tij, me rritje uniforme të çmimit. “Ne nuk kemi pranuar alternativën e rritjes uniforme të çmimit. “Ne nuk do të bëjmë as kompensim, as rimbursim. Ne do të rrisim pensionet dhe do të rrisim mbështetjen ekonomike, do të rrisim pagën e aftësisë së kufizuar. Çdo pensionist kryefamiljar do të ketë rritje të pensionit. Çdo familje me ndihmë ekonomike do të ketë rritje të ndihmës ekonomike. Çdo person me aftësi të kufizuar do të ketë rritje të pagës së aftësisë së kufizuar”, – u shpreh Kryeministri. Po ashtu Rama bëri të ditur se nga dita e djeshme është vënë në funksionim njësia operacionale speciale në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Energjisë. “Është një njësi jo policësh, as operativësh të krimit ekonomik, por është një njësi inxhinierësh dhe elektricistësh e pavarur nga kompania që do të ketë mision vetëm ndjekjen dhe kapjen e të gjithë atyre lidhjeve të paligjshme apo manipulimeve në matësit e energjisë, që janë fryt i bashkëpunimit mes hajdutit dhe faturistit, apo hajdutit dhe elektricistit të kompanisë. Janë disa punonjës të arrestuar në këto tre ditë”, – pohoi ai.
Gjobat
Ndërkaq, në fjalën e tij para ligjvënësve të majtë, kreu i qeverisë nuk ngurroi t’u përgjigjej edhe deputetëve kritikë të mazhorancës për rritjen e gjobave me ndryshimet e Kodit të ri Rrugor. “Është turp që midis nesh të ketë njerëz që të imagjinojnë nocionin e gjobës sociale. Nuk ka gjoba sociale. Kush shkel semaforin, duhet të paguajë. Duhet të paguajë një faturë të kripur, që të mos ta shkelë prapë. Historia e gjobave sociale është historia e korrupsionit dhe vegjetimit në një batak, nga ku ne nuk dalim dot në rast se nuk ndajmë qartë dhe prerë. Nga ana tjetër, t’u tregojmë të fortëve se kanë qëndruar mbi ligjin, qoftë dhe kur kanë pasur semaforin përballë, se ajo epokë ka mbaruar”.




