Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” vijon publikimin çdo fundjavë të letrave
Prifti françeskan At Paulin Margjokaj në këtë letërkëmbim me Krujën tregon për zbardhjen e gati 1 mijë dokumenteve, konsideruar me rëndësi historike për Shqipërinë. Ndër të tjera ai ndalet, i interesuar, nëse siç thonë dokumentet gjermane, a ekziston në Kuran shprehja “fuqia e shpatës përcakton besimin”. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.
I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.
***
Graz, me 9 gusht 1955
I dashuni Mik,
Po e gjêj nji fije kohë e po T’i shkruej dy rreshta. Shpresoj se kjo leter tash Të gjên aty ku ishesh deri tash. Dyshoj vetëm nji grimë se do të jeni atŷ kû ishit perpara; m’a merr mendja se do të keni marrë ndokah gyrbetin, per të kërkue selametin në ndonji qoshe tjeter të botës. Sido qoftë, letren po e dergoj të porositun e besoj se ka me Të gjetë ndokund në ndonji skâj botet.
E si po jeni me shndet? A po keni të nxét atje në tokën e piramidavet? Kndej na ka mbajtë vera deri tash fort fresk. Nji ditë të vetme ka mrrijtë termometri il massimo di 30 gradë Celsius: pergjithsisht fresk, teper fresk e shí boll. Krejt jashta rregullit ksaj vere. Ndoshta vjeshta tash na del e bukur. Mue m’a kande veren e fresktë, prandej jam kenë kondend me ket mot të fresktë.
Me shndet gjindem mirë, sá per të tjera, po shtŷjmë njashtû si po mundena. E shka po kemi të ré n’at botë pertej detit?
Njâ dý pyetje qi i perkasin historís. E kam lexue në nji liber italisht e edhe në nji liber gjermanisht njeket fjalë ase fraze, qi po qenka, si mbas ktyne librave, e perhapun në Shqipní. Italjani thotë: “Il principio coranico, proverbiale in Albania, il quale predica che là dove è la spada ivi è la fede”. (Parimi i Kuranit, proverbial në Shqipní, i cili predikon qi ku âsht shpata aty âsht feja) Tedeshku e thotë të njajten gjâ me këto fjalë: “Die macht des Schëertes bestimmt den Glauben”, (Gjerm.: “Fuqia e shpatës përcakton Besimin”.) vetem se gjermani nuk e permendë koranin. A gjindet kjo shprehje në koran? A âsht e perhapun pernjimend kjo fraze në Shqipní? A thue mundeni me m’a spjegue e me m’a tfillue ket gjâ?
Pyetja e dytë: Në liberthin e Jorga-s: “Brève histoire de l’Albanie” lexova sot në faqe 65 njekto fjalë: “Abdoul-Hamid provoqua une révolte des Albanais contre les prescriptions du traité de Berlin, qui détachait une partie de leur pays pour le réunir au Monténégro (1878-1881)”. Shka thue ti në ket gjâ? Po athue njimend se edhe në ket rasë âsht dashtë me na shtŷ Turkija me u çue peshë, per të mbrojtë të drejtat tona të shkeluna prej anmiqve tonë? A deri edhe Frasherlinjt nuk paskan ndie dashunín per atdhé, por paskan pritë me u a dhânë shtymjen Turkija per hapin qi ata filluen? E kû janë patriott tjerë shqiptarë të kohës? Kurrkush nuk paska lujtë per së gjallit vetvetiut, por i paska pasë rá nder mend Abdul Hamidit me i çue Shqiptarët prej gjumit t’apatís së zakonshme kurrkund patriotike? Sidomos ket piken e dytë shpresoj se do t’ma spjegoni gjânë e gjatë. Edhe pyetja e parë m’intereson me e dijtë, por kjo e dyta âsht randsí-plote per krejt historín tanë.
Per sot njiherë po e lâm me kaq. Nuk due me Të dhânë nji pensum teper të gjatë, per ndryshej po Të bâj me bjerrë tepër shum kohë, pse ma merr mendja se jeni bajagi i nxanun edhe me tjera publikacjone. At studimin t’And mbi Budin apor Blankun a e keni krye?
T’uroj shndet e të mira e jetë të gjatë!
I Jueji si perherë
- P. Margjoka j O.F.M.
- Merlika-Kruja
Les Bengalis
Rue Sergent Bobillot
Cannes, 10.XI. 1955
Fort i dashuni mik,
Ti do të keshë marrë vesht prej ndonji gazete ndoshta se Mbreti Zog e la Egjyptin me 29 korrik e me 2 gusht zdrypi në Marseille e mbërrîni në Cannes. E e ke dijtun qi edhe un do t’udhtojsha me tê. Dhe ke pritun pajadamë ndonji lajm prej meje. Pra më duhet me u ligjuem se pse s’kam mujtun me të shkruem deri tash.
Deri në tetuer, mbreti s’e pat damë a me zânë vênd këtu apo ngjeti. E un me t’ime motër s’kishim si me u lidhun për kohë të gjatë për me marrë nji shtëpí me qirá. Mbetem tue u endun si gabelt, herë në nji shtëpí e herë në nji tjetër tue banuem të dy në nji odë për arsye qi s’âsht nevoja me t’i kallzuem. S’kishim, pra, nji adresë me i a kallzuem kuj posë Poste Restante-it . E s’kishim as mênd e zêmer me shkruem. Kah gjyms’e tetorit u vendos me qëndruem këtu. Edhe na u vûmë me njiherë me kërkuem nji apartament të vogël. E gjetëm për të parën e këtij mueji dhe erdhëm e hŷmë mbrêndë. U rregulluem dalkadalë me tesha e me rraqe qi kishim marrë me vete, mûjta me nxjerrë makinën e me u vûmë te tryeza e shkrimit. Vetëm tash jam tue e ndiem veten të qetë me trup e me shpirt.
Shpëtuem prej jebgjet pashallarë. Te na thonë se kur u bâ jebgu pashë e para punë qi bâni kje me vramë t’anë. E
fjala jebg (jevg, gjypk, evgjit) duen të thonë se vjen prej emnit t’Egjyptjanet. Tash jemi të lirë në dhe të lirë. Shtëpitë i kemi zânë me kontratë për motmot. Se ç’do të bâhet mbas nji vjete, Zoti e din.
Tash pres lajmet e tuja. Si e ke çuem e ç’ke bâmë gjatë këtyne mueje qyshse s’më ke shkruem? As un s’i kam pasë shkruem mâ kuj qysh nja dy muej para se u nisshim. Më duhet me u shkruem tash gjithë miqet qekështu si po të shkruej tý. Disave u kam shkruem dje e pardje. Po e lâmë me kaqë, pra, kuvêndin t’onë për t’a vazhduem mbas letrës s’ate qi pres. Tue t’uruem shëndet e gjithë të mirat
I Yti
Mustafa
Graz, me 14 nanduer 1955
Fort i dashuni Mik,
Sot e mora letren tande e u gzova per tê. Më pat diftue Zotní Ingjenjer Kerçiku se po qenkeni në Francë, se vetë prej tjeterkah nuk pata rasë t’a dij se Mbreti e ka lânë Egjiptin.
Si po e shef, vetë të pata shkrue njeket leter me 9 gusht edhe e pata rakomandue, pse e dijshem se jeni rrugash. Por letra më kthei dalë e jo mejherë, por mbas dý muejsh, due me thânë me 11 tetuer. Letren e shkrueme me 9 gusht, po t’a dergoj këtû sot. Ndoshta e gjên nji fije kohë me i pergjegjë edhe ksaj letere së 9 gushtit.
Nuk po të pves aspak se si po jeni, pse mâ në Costa Azzurra ase në Riviera të permendun gjindet njeri si në parrizin toksuer.
Me të diftue të drejten, e kam pasë si’i farë shpreset se po vîni n’Austrí me rasen e çiljes s’operas në Wien. Të tanë magnatët e shumë prominenca botnore u gjeten të bashkuem me 5 nanduer në Wien, qi në ket ditë kje pernjimend në qandrren e interesimit botnuer. Thojshem athue po vjen edhe Madhnija e Tij, qi ndoshta do të kishte pasë dishir me u gjetë në ket ambjent elegancet internacjonale. Por kot paskam shpresue. Duket se per Muzen e Muzikës nuk po paska gjithaq interesë. Natyrisht vetem nji Madhní financjare do të kishte muejtë me blé biljeten e hŷmjes n’Opera në ket natë, sepse biljetat paten çmime të nalta shumë. Çmimi zyrtár kje deri në 5000 shilinga ase 200 dollar nji karrikë. Ata, mandej, qi kanë dishrue me pasë vende të caktueme si mbas dishirit, kanë pague duerët plot. Nji Meksikan, p.sh. ka pague per kater vende 200 000 (dyqindmí) shilinga, prá 50.000 shilinga nji vend. E 50.000 shilinga janë 2000 dollarë. E këta vetem per t’u gjetë në ket natë të madhnueshme në Wien. Un veç e kam ndjekë ket festim me gazeta ase me të ndieme në nji radio të keqe qi kemi në kuvend. Prá thojshem vetë: kush e din, i mbushet mendja edhe Mbretit me u gjetë në ket rasë në mjes të prominencave botnore. Nder njerz politikë me randsí botnore u gjet në Wien at natë Ministri amerikan Dulles, ambashjatorja amerikane në Romë, Luce. Natyrisht të tana perfaqsinat botnore në Wien. Ford’ i permendun kje e të gjith njerzt e mdhaj të financës si p.sh. Marzotto prej Italijet. Se mâ Toscanini e dirigentat tjerë të permendun erdhen edhe prej Ameriket e prej vendesh tjera të Europës per t’u gjetë këtû në premiéren e famshme. Por edhe kjo kaloi. Në Wien endè nuk kanë mê premiérat, pse me gjasë janë gjithsejt tetë premiéra.
Un gjindem me shndet mirë mjaft. Sá per tjera, si perherë. Un në ket rasen e premiéres, do të kishem dishrue jo me pasë nji vend në Wien, por me pasë gjysën e shumës qi ka pague ai meksikani per nji vend n’Opera.
Mâ vonë mandej do të më kishte rá rasa ndoj herë, mbas gjashtë muejsh prej premiéres, me e pá të njajten opera të Beethovenit me 2 ose 3 dollar. Prá bota ka pare me tretë. Të njajten opera me të njajtin ensemble do të mund t’a shofë njeri me 2 ose 3 dollar, e tash paguhen deri më 2 mí dollar per nji vend. Atë natë deri njerzvet të policís e me gjasë edhe dertarëvet u âsht dashtë me u veshë në frack e në smoking.
Edhe në Shkoder thonë: “Kúr âsht bâ magjypi pashë, ka vrá t’anë!”. A njimend Ju a paskan çue ngusht ata jevgjit e Egjiptit? Edhe mue më ka rá rasa ksaj vere me e lexue te Jireçeku se fjala magjyp rrjedh prej Egjiptit, pse prej kndej po paskan ardhë magjypët në Ballkan.
Shum shndet sá per kso here. Mâ vonë mandej do të fillojm me i shkruem prap njani tjetrit si perpara. Kush e din, ndoshta na bjen rasa me u pám, mbasi po qenkeni kaq afer. Po e xâm se jemi afer, pse vetë këtû gjindem afer Ballkanit, prandej bajagi larg. Por nemose nuk na dán nji dét si perpara. Masllahati âsht qi Ju të jeni shndosh e mirë.
Shum shndet e urime edhe motres s’Ate!
I Jueji nga zemra
- P. Margjokaj O.F.M.
Cannes, 12. I. 1956
Les Bengalis
Rue Sergent Bobillot
Mik i dashun,
Po i përgjigjem shkurt ksi shtegu letrës s’ate me 21 të muejit të kaluem e pa “pyetje”. Qe- tash m’u dha me pyetun n’Egjypt për atë çeshtjen e fesë e të shpatës. Kur t’a marr përgjegjen kam me t’a shkruem.
Tý të lumtë goja se më ke bâmë me qeshun me atë parenthesë mbi këtë sergjentin e rrugës s’eme! Me gjithë këtê s’paska qênë i shkreti ashtu si kam pasë kujtuem edhe un vetë. Por paska qênë i pari ushtarak qi qênka vramë n’Indokinë kur e kanë pushtuem Frêngjit në shekullin e kaluem. Tash do të bâjshin mirë me e shlyem mâ Frêngjit edhe prej ksaj rruge!
Dy librat e Lambertzit i kam marrë. Sa kot i hodha nji shikim asaj listës s’Auktoret shqiptarë pale a po gjêj kund edhe emnin t’em nemose pranë të ndjyemit Tefë Curani e atyne prosatorë të mëdhaj të “Kulturës Islame”!… Për Gaetano Petrotta-n dikush më ka pasë thânë se në dorshkrim e ka pasë pamë me sŷ edhe emnin t’em e mbrapa nji influencë e përjashtme e s’dij se kuj e paska bâmë uratën me e hjekun. Më vjen marre me i a thânë nji tjetri se po kam lakmí për namë e për famë, por me tý mund të flas gjithça e mbandej, bie fjala e qet fjalën, sa për nji masë shkrupulli historik të disa shkrimtare! Tash, edhe
të kisha kohë me bjerrë, m’âsht premë udha me i bâmë ndonji recension kritik veprës së Lambertz-it! Tyrqit i thonë ksaj bote “Jallane”, dmth rrênse, e ec e thuej se s’i a kanë gjetun bash mirë emnin.
Për shtetet e Evropës, postat e Francës paskan nji çëmim për letrat si ajrore ashtu toksore. Prandej un s’po bier gjâ sepse i shtij ndër zarfe ajrore.
Tash tu mirë mbetsh.
Mustafa
Graz, me 16 kallnduer 1956
Mik i dashtun,
Pardje e mora letren e dashtun tanden. Letra kje e shkurtë, sepse e êmja, pa pyetje, e edhe kjo e sotshmja prej anës s’ême po del e shkurtë, pse edhe sot po e kalojm pá pyetje.
Persá i perket Lambertz-it, edhe vetë jam i mendimit t’Uej, sepse në listën e auktorëve shqiptarë ka shtî do e kêdo e ka lânë pá permendë tjerë të randsishem ase i ka permendë vetem me nji rresht. P.sh. P. Bernardin Palaj, qi per né gegët vjen ndoshta fíll mbas Fishtës si poet, pse ka lânë gjithato poezi të botueme e na ka lânë rapsodít mâ të bukrat. Ato të shtypuna në Hyllin e Dritës janë kenë të tana të këtij fratit. Si dorëshkrim ka lânë nji morí tjerash, por këto kush e din ku kanë marue. Ernest Koliqi ka pasë nji herë në dorë nji permbledhje 27 rapsodísh të këtij frati. Prá P. Bernardinin e ka kalue Lambertz-i me nji rresht të vetëm në faqe 371, ku thotë se kje “Mitarbeiter an der Bota Shqiptare” . Çë randsí ka p.sh, Rosolino Petrotta, i vllau i Gaetano Petrottës? Rosolino âsht nji mjek, por per literaturë shqiptare s’ka kurrnji randsí. E mandej Tefë Curani me at historín e vet e kurrgjâ tjeter. Edhe disá të tjerë kishte mujtë me i lânë pa i permendë aspak, pse nuk kanë kurrnji randsí.
Veprën tjeter të Lambertz-it tash Ju a dergoj porsá të mrrijë. Nuk dij a të kam kallxue edhe ndojherë tjeter se Lambertz-i ka gati per shtyp perkthimin e Lahutës në gjuhë gjermanishte, por deri tash nuk ka gjetë kurrnji shpí botuese qi e shtypë. Ishalla nuk ka gabime sikurse këtê qi e ka në nji artikull të gjatë, botue mbi “VOLKSEPIK DER ALBANER” . Këtu, në nji vend ka perkthye frazen shqipe “Dreqi i rroftë” me “Der Teufel halte sie am Leben”. Ai i shuemi kujton se fjala rroftë këtu ka të njajtin veshtrim skurse në frazen “rroftë ose rrnoftë Shqipnija”. Atij mâ i âsht dashtë me e kuptue se nemose në Shkoder fjala rroftë âsht fort e perdorun shi me perpjekjen dreq e don me thânë të hangert ase të përpîftë ai qi kjoftë larg prej nesh. Kurrkush mâ nuk i uron jetë të gjatë dreqit e as Shqiptarët jo, e dreqi nuk mban kurrkend në jetë, sikurse e perkthen Lambertz-i. Në të parën leter, qi t’i shkruej Lambertz-it, tash i a permendi ket gabim të marrë.
Shikjo e m’i dergo letrat me zarfa jo ajrorë, pse po qet në punë pá nevojë postjerin e këtushem, të cilit i duhet me i vû taksen letres së shtîme në nji zarf ajruer e me pullë normale të rrugës toksore. Heren tjeter si edhe tash të mbramen herë i âsht dashtë postjerit austriak me vû germen T mbi zarfin t’and. Prá, si po e shef, e ké qitë në belá ket postjerin me ndergjegje të këtushme! Dŷ herë, njana mbas tjetret.
Per sot nji herë po e kpus me kaq. T’uroj shum shndet n’at gjytet të bukur të Cannes, n’at “charme méditerranéen” si perherë e timbron posta e atjeshme letren tande.
I yti nga zemra
- P. Margjokaj O.F.M.




