Debati/ Mbledhja e KLD-së, diskutime për kërkesën e inspektorit të KLD-së për emërimin gjyqtar

Reagimi i ministrit Naço: Shqetësuese kjo kërkesë, nuk ka dhënë llogari për pasurinë e pajustifikuar

 Tiranë

mbledhje e kldNuk ka mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të mos kalojë pa debate apo pa reagime të ndërsjella nga dy institucionet e së njëjtës ndërtesë, Ministrisë së Drejtësisë dhe vetë organizatorëve, pra KLD-së. Dje, pikë e nxehtë diskutohej të ishte kërkesa e një inspektori të KLD-së për të emëruar gjyqtar, e cila ishte vendosur në rendin e ditës, pika e fundit e diskutimeve. Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço është prononcuar dje për median lidhur me interesin që ajo ka shfaqur përsa i përket rendin e ditës së mbledhjes së djeshme të KLD-së, që përbëhet prej 21 pikash, mes të cilave edhe një numër i madh emërimesh për kryetarë gjykatash. Ministri Naço deklaroi me shqetësim se pjesë e këtij rendi dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së një inspektori të KLD-së, për t’u emëruar gjyqtar, në një kohë që ky i fundit zotëron një pasuri të pajustifikuar. “Ajo që më bën përshtypje në këto 21 pika të rendit të ditës, është fakti se akoma në axhendë nuk është futur propozimi i Ministrit të Drejtësisë, i cili prej 4 muajsh kërkon shqyrtimin e kërkesës ndaj një inspektori të KLD-së, për të cilin ILDKP-ja ka gjetur një pasuri të pajustifikuar prej rreth 200 mijë dollarësh. KLD-ja fut në rend dite gjithçka që e mendon me rëndësi dhe nuk fut këtë kërkesë, që besoj se është një nga më të rëndësishmet, pasi lidhet me luftën ndaj korrupsionit. Mjafton ky fakt për të treguar që axhenda e KLD-së është një axhendë personale, dhe jo ajo që kërkojnë qytetarët shqiptarë apo axhenda që kërkon qeveria dhe partnerët ndërkombëtare. Në një kohë që kërkesa e Ministrit nuk merret në konsideratë, KLD-ja, mesa jam në dijeni ka futur kërkesën e këtij inspektori për t’u emëruar gjyqtarë pranë një Gjykate Apeli. Unë shpresoj që të mos ja japin këtë imunitet por megjithatë gjithçka mund të ndodhë, dhe nëse ndodh atëherë ky këshill nuk ka integritet”, – deklaroi ministri Naço.

 

Emërimi i kryetarëve të gjykatave

Lidhur me pyetjen se si e konsideron futjen në një rend dite të vetëm, të emërimit të një numri të madh kryetarësh gjykatash, gjë që nuk është bërë për vite më radhë, Ministri Naço theksoi se “në këtë drejtim e kam inkurajuar KLD-në që të zbatojë ligjin dhe do vazhdoj ta bëj një gjë të tillë. Kisha konstatuar që në shtator të vitit të kaluar se gati 21 kryetarë gjykatash ishin të komanduar prej tre, pesë, apo gjashtë vitesh, ndërkohë kërkova që ata të futeshin në rendin e ditës, dhe të emëroheshin duke mos vazhduar më kjo gjendje paligjshmërie. Vazhdoj ta inkurajoj KLD-në në këtë drejtim, sikurse do ta këshilloja që të ishte e vëmendshme edhe ndaj luftës kundër korrupsionit, për të cilin është përgojuar së fundmi sistemi i drejtësisë”, – përfundoi reagimin z. Naço.

 

Gjirokastër/ Kapen 10 kg heroinë e 6 kg kanabis në Kakavijë, pranga shtetasit grek

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një shtetas grek, i cili u kap me drogë e armë në automjetin e tij. Sipas burimeve policore, dje rreth orës 01.00, Efektivat e Policisë Kufitare të Kakavijës, gjatë kontrollit të automjeteve në vijën e dytë në dalje për në shtetin Grek, në automjetin fuoristradë “Mercedes-Benz” me targa greke XNP 7021, në pronësi të shtetasit grek Charilaos Kontekakis, vjeç 48 banues në Kretë, Greqi, kanë konstatuar se në pjesën e mbështetëses së sediljeve të pasme kishte pako të dyshuara me lëndë narkotike. Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe nga kontrolli i imtësishëm i bërë nga efektivat e Policisë Kufitare rezultoi se në brendësi të sediljeve të pasme u gjetën dhe u sekuestruan 13 pako lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë me peshë totale 6.8 kg, 8 pako lëndë narkotike e dyshuar Heroine me peshë totale 10.4 kg, 1 Automatik si dhe 17 pako me fishekë. Drejtuesi i automjetit shtetasi grek është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime më të specializuara nga Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve, për veprat penale “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe “Trafik ndërkombëtar të armëve dhe municioneve luftarake”. Lënda narkotike, automjeti, arma e zjarrit dhe municionet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.

 

 

Share it :