Kërkesa, PD: KLSH të auditojë kompanitë koncensionare që jep qeveria
KLSH: Ndaj zyrtarëve abuzivë, deri tani asnjë masë administrative
Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka shqyrtuar dje projektligjin “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, në prani të kreut të këtij institucioni, Bujar Leskaj. Leskaj tha se ky projektligj ka si qëllim të përafrohet më tej me ligjin organik të të KLSH-së, referuar standardeve ndërkombëtare të auditimit, si dhe praktikave më të mira të vendeve të BE-së; forcimin e pavarësisë institucionale, organizative dhe ekonomike të KLSH-së; qartësimin dhe saktësimin e të drejtave, detyrave dhe kompetencave që KLSH ka në zbatim të funksionit të tij kushtetues, me subjektet e auditimit dhe institucionet e tjera shtetërore; saktësimin e të drejtave dhe detyrave që subjektet e audituara kanë në raport me procedurën e auditimit; modernizimin e ligjit organik të KLSH-së nëpërmjet parashikimit në të të eksperiencës më të fundit dhe më të mirë Europiane, si dhe përcaktimin dhe forcimin e statusit të personelit të KLSH-së. “Amendimet janë të nevojshme dhe kanë ardhur si pasojë e kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Bashkimi Evropian ka kërkuar auditim më të thelluar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit” tha ndër të tjera Leskaj.
Më tej, kreu i KLSH-së ngriti shqetësimin në lidhje me zbatimin e ulët të rekomandimeve të KLSH-së nga institucionet. Sipas kreut të KLSH-së deri tani rekomandimet e institucionit që ai drejton lidhur me masat administrative ndaj zyrtarëve abuzues janë zbatuar në masën 75%, por përsa i përket rekomandimeve për largime nga puna të zyrtarëve të lartë që janë gjetur përgjegjës për abuzimet zbatimi nuk kalon shifrën e 50%. Zgjerimi i kompetencave të KLSH-së për auditimin e koncensioneve që jepen nga qeveria ishte një tjetër shqetësim që z. Leskaj ngriti gjatë prezantimit të projektligjit dhe që, sipas tij, duhet të adresohet në këtë draft.
Kreu i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe ftoi KLSH-në që të paraqesë me shkrim pranë komisionit propozimet për shtesa dhe ndryshime në projektligj me qëllim që komisioni t’i diskutojë gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit në fjalë.
Përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës në komision ranë dakord që sjellja e një projektligji për funksionimin e KLSH-së ishte një domosdoshmëri. Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima theksoi se në projektligj duhet të thuhet qartë që rekomandimet e KLSH-së duhet të konsiderohen si vendime të formës finale dhe se është e domodoshme që ky institucion të auditojë edhe kompanitë koncesionare dhe zbatimin e kushteve të kontratës nga ana e tyre. Por, sipas z. Mima projektligji nuk adreson si duhet çështjen e të drejtës së KLSH-së për të audituar performancën e organeve tatimore. Në përgjigje të këtij shqetësimi, z. Leskaj sqaroi se në projektligj KLSH-së i jepet e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në çdo rast kur lind nevoja.
Nga ana e tij, deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli vuri në dukje se projektligji për KLSH-në vjen si nevojë e ndryshimit të ligjit ekzistues, që është miratuar 17 vite më parë. Sipas Angjelit, pas 17 vitesh përvoje, nisur nga problemet e hasura gjatë zbatimit të ligjit, problematikat e reja të shfaqura vitet e fundit si pasojë e globalizimit të ekonomisë, si dhe nisur nga detyrimet që lindin ndaj organizmave ndërkombëtarë për rritjen e standardeve e bën këtë projektligj të domosdoshëm. Anëtarët e Komisionit për Ekonominë thanë se ky projektligj përbën një nga reformat më të rëndësishme në fushën e auditimit dhe sjell rritjen e pavarësisë institucionale dhe organizative të KLSH-së dhe bashkëpunimin e tij me institucionet e tjera.
Bisedimet me trojkën e kreditorëve përsëri pa marrëveshje
Qeveria greke, që parashikonte një marrëveshje me trojkën të dielën, i zhgënjeu përsëri pritshmëritë dhe i shtyu për sot bisedimet me kreditorët BE, BQE dhe FMN për zhbllokimin e një kësti tjetër të huasë, njoftojnë burime që përputhen.
I pyetur sot nga televizioni Antenna, zëdhënësi i qeverisë Simos Kedigoglu u përpoq të theksonte anën pozitive të këtyre bisedimeve maratonë: “Fakti që bisedimet kanë vazhduar gjithë natën dhe që vendosëm t’i rifillojmë sot tregon vullnetin për arritjen e një marrëveshjeje, të cilës i jemi afruar”.
Pas një takimi me kryeministrin Antonis Samaras, ministri i Financave, Janis Sturnaras u mjaftua të tregonte, se të dy palët ishin pranë marrëveshjes, por nuk tha nëse ato do të përfundonin me sukses.
Fillimisht, Greqia i kishte caktuar vetes datën kufi 10 mars, më tej, pasi ky afat ishte kapërcyer, kishte shpresuar për një rrugëzgjidhje të dielën.
Përfaqësuesit e lartë të trojkës së kreditorëve të Greqisë janë duke u kthyer në Athinë që prej 24 shkurtit, pasi i kanë ndërprerë bisedimet në kryeqytetin grek në mes të dhjetorit.
Ata po përpiqen të përfundojnë auditin e katërt të financave publike dhe reformave greke, në kuadrin e programit të dytë të ndihmës së filluar në mars 2012. Ky audit, nisur në fund të dhjetorit, duhej të kishte përfunduar brenda disa javësh.




