Debati/ ILDKP, kontroll punës së administratës: Parandalojmë konfliktin e interesit. Zërat kundër

Kritikat e stafit akademik të Universitetit: Preken të dhënat personale, s’jemi zyrtarë shteti

 

administrateTë gjithë punonjësit e administratës publike do të kontrollohen për çdo vendim që marrin gjatë ushtrimit të detyrës dhe nëse ata kanë konflikt interesi. Duke marrë shkas nga ligji i vitit 2005-ës, Inspektorati i Lartë i deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive pritet të nisë këtë procedurë pas firmosjes së autorizimeve nga të gjithë punonjësit e administratës. Në kohën kur nuk kanë munguar debatet lidhur me këtë pjesë kreu i ILKDP-së Shkëlqim Ganaj deklaroi dje se ligji synon vendimmarrje të paanshme, transparente dhe parandalimin e konfliktit të interesit në punë nga zyrtarët e shtetit. “Nuk bëhet fjalë për kontroll të pasurive, llogarive bankare apo postës private”, – tha ai për “VP”. Neni 10 i ligjit për këtë çështje, përcakton se mbledhjen e të dhënave ndaj çdo punonjësi të administratës publike do ta kryejnë institucionet ku ata punojnë.

 

Kundërshtitë

31 marsi ishte afati i fundit për të gjithë punonjësit e administratës për të firmosur autorizimin ndaj institucioneve ku punojnë, për të bërë të mundur që këta të fundit të mund të lejohen të kryejnë kontrollin dhe të sigurojnë të dhëna vetjake për zyrtarin, kudo që ai është regjistruar. Por ndaj këtij ligji ka patuar reagime të shumta kundërshtuese, kryesisht nga radhët e stafeve akademike. Këtë të fundit kanë bërë të ditur se kanë paqartësi lidhur me ligjin si edhe, sipas tyre, kërkesa e ILDKP-së bie ndesh me mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe me Ligjin e Arsimit të Lartë ku pedagogët nuk përcaktohet të jenë zyrtarë shteti. Përmes një letre, ata shprehën pak ditë më parë shqetësimin e tyre, duke theksuar se ligji bie ndesh me mbrojtjen e të dhënave personale, por edhe Ligjin e Arsimit të Lartë. Pedagoget sqaronin në letrën e tyre se ky autorizim përfshin vetëm zyrtarë, si rektori, dekani dhe kancelari dhe i vetmi akt ku pedagogu përfshihet si pjesë e ligjit është nota e provimit, e cila prodhon pasojë ligjore në momentin që kthehet në akt zyrtar me firmën e titullarit të institucionit. Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Tiranës, duke vlerësuar zbatimin e ligjit, deklaron se ai nuk cenon të dhënat personale. “Në bazë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, ligji duhet zbatuar. Nëse ligji ka probleme, ka institucione që e thonë nëse ligji është kushtetues ose jo, nuk jemi ne. Ne jemi të detyruar ta zbatojmë”, – tha ai. Instituti i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive(ILDKP) u ka kërkuar drejtuesve të universiteteve dhënien e autorizimit për kontrollin e pasurive e të dhënave personale të stafeve pedagogjike të arsimit të lartë. Autorizimi duhet të firmoset brenda afatit, në të kundërt ligji parashikon ndërmarrjen e sanksioneve ndaj moszbatuesve të tij, sanksione që shkojnë në gjobëvënien deri në shumën 50 mijë lekë. Për ta përligjur lëshimin e autorizimit, ILDKP-ja përmend pikën 2 të nenin 10, të ligjit nr. 9347, datë 7.4.2005: “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, që përcakton se të gjithë zyrtarët janë të detyruar të firmosin autorizimin. Nëse punonjësi nuk do të firmosin autorizimin për kontroll mbi punën e tyre do të përballen me penalitete, nga gjobë 100 mijë lekë të rinj deri në pezullim nga detyra.

 

 

Biznesi fason/ Paketa e re me 42 pika, Rama: Ulet risku në doganë

Në vizitën e tij në një biznes fason në Vlorë, në kuadër të vizitës që zhvilloi në këtë qytet, Kryeministri Rama deklaroi se industria fason përbën një potencial të madh punësimi dhe se në Shqipëri ajo ofron avantazhe konkurruese, të cilat, qeveria, sipas tij, synon t’i forcojë edhe me paketën e re prej 42 masash mbështetëse për këtë industri. “Këtë muaj do të bëjmë edhe takimin me ju, që jeni në këtë industri për të shpallur paketën e masave që e kemi gati. Edhe atë pikë që fasonistët e kishin merak, uljen e riskut në doganë, do ta realizojmë. Do të jetë risk i ulët, do të jetë vetëm punë orësh”, – tha ai. Në vizitën e tij në kompaninë “Alba shoes” në Nartë, kreu i qeverisë u informua se pas investimeve të kryera, që aktualisht vetëm në qytetin e Vlorës ka të punësuar 700 vetë. “Po përfundojmë edhe një objekt tjetër dhe kapërcejmë numrin 200 punëtorë në Çorovodë. Kemi bërë ndërtimin dhe gjithçka. Për fabrikën tjetër në Vlorë, duhen 4-5 muaj ndërtim, pasi kjo zonë është kënetë dhe duhet kthyer në zonë ndërtimi”, – u shpreh sipërmarrësi.

 

 

Integrimi/ Bushati në Gjermani, Gjosha në Greqi

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u nis dje për një vizitë pune në Gjermani, ku do të takohet me homologun e tij, Frank Walter Steinmeier. Gjatë kësaj vizite parashikohen takime të tjera me përfaqësues të lartë të ngarkuar me çështje të BE-së, politikës së jashtme dhe sigurisë. Gjithashtu, ministri Bushati do të ketë takime edhe në Parlamentin gjerman, ku pritet të trajtohen çështje që lidhen me agjendën evropiane të Shqipërisë, marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonin. Po ashtu, edhe ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, u nis dje për një vizitë zyrtare në Athinë, ku do të zhvillojë një takim me Ioannis Tragakis, zv.kryetar i Parë i Parlamentit dhe kryetar i Komitetit Parlamentar për Çështjet Evropiane. Gjithashtu, ministrja e Integrimit Evropian do të pritet edhe nga zv.ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Kourkoulas. Greqia është vendi që mban Presidencën e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2014, para dorëzimit të Presidencës së BE-së tek Italia më 1 korrik 2014. Kjo është hera e pestë që Greqia mban Presidencën e BE-së që prej pranimit të saj në Komunitetin Evropian në vitin 1981. Marrja e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria në muajin qershor është një prej prioriteteve të Presidencës ë Greqisë në BE, gjë që është konfirmuar edhe nga zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos, gjatë vizitës së tij në Tiranë në muajin shkurt.

 

 

Share it :