Florenc Drizari
Ish-kryeministri: Do rritet me 50% taksa për makinat e përdorura, pensioni do të shkojë në 67 vjeç
Shqyrtimi i marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në seancën e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë, u shoqërua me replika të forta mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të mazhorancës. Ish-kryeministri Berisha theksoi se kjo marrëveshje pritet të shoqërohet me rritje të disa taksave ndaj qytetarëve shqiptar, ndërsa kritikoi krerët e qeverisë për mungesë transparence dhe serioziteti. Berisha tha se kjo marrëveshje parashikon në rast dështimi 21 kushte shtesë për të cilët qeveria refuzon t’i publikojë. Ndërkaq, gjatë flasë së tij, Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga marrëveshja me fondin nuk priten rritje taksash dhe se vendi do të ketë një rritje ekonomike ndryshe nga viti i kaluar. Rama foli për tejkalime të planit në dogana dhe tatime, ndërkohë që ish-kryeministri Berisha theksoi qe qeveria ka ulur pritshmëritë dhe shifrat që deklaroi kreu i qeverisë nuk janë të vërteta.
Berisha
“Jemi në një seancë jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, ku partia në pushtet, e cila 8 vite është qepur ditë e natë kundër borxhit, voton sot marrjen e një borxhi me jo një apo dy, por me 21 kushte. Historiku është tërësisht skenari i Papandreut, i cili nisi në fundin e verës, u duk i qartë ku ekspert të shquar botëror i thanë kryetarit të PS se me këto që thua shanset e dështimet i ke 95%.“Historia e skenarit grek në Shqipëri është më i dhimbshëm, pasi bazohet tek iluzioni. Në të gjitha konferencat për Shqipërinë ka pasur një konfirmim unanim; Ekonomia nuk ra në recension. Në ekonomi kriza s’ka recension. Kriza është recension. Ekonomia shqiptare ishte nga ato ekonomi më të pakta që i rezistojë krizës, jo vetëm ruajti rritjen, por gjenerojë të ardhurat ndër vite. U dyfishuan të ardhurat, u ndërtuan 11 mijë km rrugë, 1300 shkolla, 720 ujësjellës-kanalizime. Mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale, rroga mesatare u rrit në 270-520 mijë lekë. Shqipëria ndehu krizën padyshim”, – tha ai.
Rama
Në fjalën e tij, Kryeministri hodhi poshtë pretendimet e opozitës për ulje pagash e pensionesh. Rama shtoi se marrëveshja me FMN-në nuk parashikon rritje të faturës së energjisë elektrike dhe rritje të taksave për makinat.
“Marrëveshja jo vetëm nuk ka qenë e fshehtë, por gjithçka thuhet për ulje pagash e pensionesh është pjellë e një fantazie që lidhet me pamundësinë e votës së 23 qershorit, pamundësinë për të gjetur rrugën e për t’u ulur në tokë e për të kontribuar për vendin. Ne mund të ishim gjendur në këto kushte nëse nuk ishim angazhuar për të bërë këto reforma që nuk janë bërë në 20 vjet. Ne që në momentin e parë të qeverisjes mbajtëm zotimin tonë, uljen e taksave për 95% të shqiptarëve, 97% u bë. Ajo çka ne shohim sot në rezultatet më të para të administrimit bën që FMN jo vetëm të mos ketë asnjë shenjë pesimizmi, por të ndjehej jashtëzakonisht i inkurajuar. Sot pas tre muaj të një viti të ri që ka filluar me ritmin e ri të rimëkëmbjes ekonomike, dogana ka realizuar objektivin me mbi 100% në muaj, duke mbledhur 320 mln dollarë”, – deklaroi Rama.
Ndërkaq, më herët mes ish-kryeministrit Berisha dhe kreut të Financave, Shkëlqim Cani, pati replika të forta për çështjen e marrëveshjes në fjalë. Cani theksoi se në marrëveshjen me FMN-në nuk parashikohen rritje taksash. Ai deklaroi se huaja që po merret nga qeveria ndaj fondit po bëhet për shlyerjen e borxheve që janë lënë nga qeverisja e PD-së. Në replikën e tij, Berisha përgënjeshtroi shifrat e publikuara, duke thënë se qeveria nga 400 milion të parashikuara, ka mbledhur vetëm 8 milionë. Në seancën e djeshme deputetët e opozitës kërkuan një hapsirë më të madhe kohe për të diskutuar, duke replikuar shpesh herë edhe me shkëmbime akuzash mes kreut të Kuvendit dhe përfaqësuesve të mazhorancës.
Replika e Berishës për Canin/“Një qyqar me një gomar vjedhin një thesar”
Ish-kryeministri Berisha replikoi ashpër dje në Kuvend me kreun e Ministrisë së Financave, Shkëlqim Cani, lidhur me marrëveshjen me FMN-në, por edhe duke rikthyer në fokus të deklaratave të tij pozicionet drejtuese që ka pasur z. Cani. Në replikën e tij, Berisha ironizoi me frazën: “Një qyqar me një gomar vjedhin një thesar”.
Berisha vijoi më tej duke thënë: “Bosi i tij (Rama), i tmerruar nga kjo marrëveshje, përdori të gjithë fjalorin e paimagjinueshëm për një zyrtar, dhe ai natyrisht për pozicionin që ka i takon të jetë një krye-horr, ndërsa ky është një horr i vogël në krahasim me të. Këto desha të them për këta zotërinjtë që kanë frikë dhe tmerr nga kjo marrëveshje, por duhet të kesh zbrazësinë totale morale të tyre, që të përpiqesh të fshehësh me sharje ordineri kushtet e rënda, rezultat total i mosbesimit të Fondit për realizimin tuaj”. Reagimi i Berishës erdhi pas qëndrimit të ministrit Cani i cili theksoi se opozita spekulon me marrëveshjen e lidhur me FMN-në.
Shkarkimet në administratë
Halimi: Gjykata e Strasburgut i kërkon qeverisë kthimin e punonjësve në punë
Një grup deputetësh të Partisë Demokratike, pasi lanë sallën e Parlamentit për t’u rikthyer në debatet për çështjen e marrëveshjes me FMN-në, zhvilluan disa takime me protestues para Kuvendit të Shqipërisë, të cilët kërkonin kthimin e tyre në punë në administratën shtetërore.
Deputeti Eduard Halimi deklaroi se për çështjen e të shkarkuarve nga administrata publike ka reaguar edhe Gjykata e Strasburgut.
Halimi tha se me një vendim të ditëve të fundit kjo gjykatë ndërkombëtare i kërkon qeverisë rikthimin në punë të punonjësve që kanë fituar proceset gjyqësore në Gjykatën Administrative.
“Para dy ditësh, Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim që është zbardhur dje, do ta bëjmë publik në ditët në vijim, sipas të cilit të gjithë ata që kanë një vendim për tu rikthyer në punë, duhet të rikthehen në mënyrë të menjëhershme. Është i detyrueshëm për të gjitha institucionet. Marrëdhëniet me parlamentin grupi parlamentar do ti mbajë të kushtëzuara deri kur të zbatohet vendimi i Kushtetueses. Do të na kini krah”, – deklaroi Halimi.
Bode: Qeveria vendos taksa të reja për dështimet e saj
Ish-ministri i Financave Ridvan Bode kritikoi ashpër qeverinë për marrëveshjen e lidhur me FMN-në, duke theksuar se parashikohen një sërë rritje taksash për qytetarët shqiptar. Në tërësi Bode tha se opozita në shumë raste ka shprehur mbështetjen e saj, për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe posaçërisht me FMN. Sipas tij, mungesa e një programi të qartë ekonomik për vendin, premtimet jorealiste me të cilat erdhi në pushtet mazhoranca e sotme, kapacitetet e reduktuara qeverisëse të saj, kanë bindur opozitës se qeveria aktuale ka nevojë për një monitorim e mbikëqyrje nga afër e të rreptë, për të mos çuar vendin në kaos total. “Qeveria sot këtu u mundua të justifikohet se ka sjellë për miratim jo një marrëveshje, por thjesht një kredi me kushte shumë të favorshme. Ky është mashtrimi tjetër që qeveria i bën opinionit publik, pas mbajtjes për një kohë të gjatë të fshehur të termave të marrëveshjes. Para badjava nuk ka dhe nuk mund të ketë, aq më pak FMN”, – deklaroi Bode.
Statusi kandidat
Moore: Qeveria të tregojë përparim në luftën kundër korrupsionit
Në fund të vizitës së tij tri ditore në Tiranë, drejtori për Evropën Juglindore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Jonathan Moore, theksoi se qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkret ligjore për të treguar përparim në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të përmirësohen shanset që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në muajin qershor.
“Mendoj se një prej mesazheve kyçe që jam përpjekur të ndaj dhe për të cilën ambasada jonë në Tiranë ka qenë shumë konsekuente është që të të ketë sa më shumë punë që të jetë e mundur tani, si nga qeveria dhe nga opozita, në çdo hap të rrugës; jo vetëm duke lobuar në kryeqytetet e ndryshme, por edhe duke marrë vendimet politike që duhen marrë, duke treguar përparim në luftën kundër korrupsionit dhe në hapa të tjerë përmes mekanizmave ligjore, jo atyre politike, për të përmirësuar shanset që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive në qershor”, – theksoi Johnatan Moore në intervistën e tij për “TCH”. Më tej ai ka theksuar: “E shohim Shqipërinë të përgjigjet shumë fort së bashku me SHBA si aleate në NATO lidhur me shqetësimet për veprimet e jashtëligjshme të ndërmarra nga Rusia kundër territorit sovran të Ukrainës”.
Votohet marrëveshja me FMN-në
Zbardhen amendamentet e opozitës,
mazhoranca rrëzon propozimet
Kuvendi miraton me 76 vota paktin me FMN-në, rrëzohen propozimet e opozitës
Florenc Drizari
Kuvendi i Shqipërisë miratoi, pas njëmbëdhjetë orë debatesh, marrëveshjen e huasë mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Deputetët e opozitës kërkuan zbardhjen e plotë të kësaj marrëveshjeje, duke publikuar disa kushtëzime që ky pakt përmban, e që sipas tyre, qeveria i ka mbajtur të fshehta. Përfaqësues të Partisë Demokratike propozuan rreth njëmbëdhjetë amendamente lidhur me këtë marrëveshje, ndërkohë që mazhoranca i rrëzoi ato në sallën e seancave plenare.
Kuvendi miratoi me 76 vota pro marrëveshjen e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila parashikon lëvrimin e një kredie të butë prej 330 milionë eurosh, ndërkohë që pak para se kjo marrëveshje të hidhej në votim, deputetët e opozitës u larguan nga salla.
Sipas opozitës, kjo marrëveshje do të kërkojë rritje të reja taksash dhe do të rëndojë mbi qytetarët. Ndërsa përfaqësues të qeverisë argumentuan se pakti me FMN-në do të sjellë një çlirim të ekonomisë dhe gjallërim të klimës së biznesit.
Amendamentet e opozitës u propozuan nga deputetët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, deputetët e Komisionit të Ligjeve, si dhe nga ish-ministra të qeverisjes së djathtë. Më herët opozita ka paraqitur amendamente edhe para miratimit të paketës fiskalë në fund të muajit dhjetor, por që edhe këto propozimi nuk u morën parasysh nga deputetët e mazhorancës.
Amendamentet e opozitës në Kuvend:
Myqerem Tafaj, amendament për mosrritjen e moshës së daljes në pension
“Në fund të pikës, shtohet një fjali me këtë përmbajtje: “Në çdo rast qeveria angazhohet që të mos ndërmarrë asnjë reformë që synon rritjen e moshës për daljen në pension, pa aprovimin e vetë personit. Gjithashtu, qeveria zotohet se kjo reformë do të hartohet dhe më pas do të miratohet me konsensus me opozitën në sallën e parlamentit”.
Oerd Bylykbashi, amendament për ndalimin e ndërhyrjeve në serverin e tatimeve
“Në fund të pikës, shtohet një fjali me këtë përmbajtje: “Qeveria angazhohet që të mos ndërmarrë asnjë veprim që cenon sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave tatimore, duke marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe administrative për të ndaluar përsëritjen e situatave të ndërhyrjeve në sistemet tatimore”.
Oerd Bylykbashi, amendament për konsolidimin e administratës publike
“Në fund të pikës, shtohet një fjali me këtë përmbajtje: “Qeveria angazhohet të zbatojë vendimin nr. 5/2014 të Gjykatës Kushtetuese, duke rikthyer në punë të gjithë nëpunësit e larguar nga puna në mënyrë arbitrare, të paligjshme dhe si pasojë e aplikimit të Aktit Normativ të shpallur si antikushtetues”.
Ridvan Bode, amendament për mosrritjen e taksave dhe tatimeve (pika 9)
“Qeveria angazhohet për të mos ndërmarrë asnjë rritje të mëtejshme të taksave dhe tatimeve dhe se synimi i saj është ulja e nivelit të taksave dhe tatimeve gjatë vitit të ardhshëm”.
Sherefedin Shehu, amendament për rritjen e pagave
“Pika “i” e fjalisë së tretë me përmbajtje “ne do të i) kufizojmë rritjen e pagave në sektorin publik në 2014, me përjashtim të një rritjeje strukturore për punonjësit e policisë (duke marrë parasysh dëshirën tonë për të trajtuar më efektivisht korrupsionin e përhapur)”, zëvendësohet me fjalinë “ne do të i) vijojmë me rritjen e përvitshme të pagave në sektorin publik, të paktën në masën e indeksimit të tyre me normën vjetore të inflacionit”.
Edmond Spaho, amendament për uljen e nivelit të borxhit
“9. Konsolidimi afatmesëm fiskal do të jetë gjithashtu çelësi për arritjen e qëndrueshmërisë fiskale. Në planin afatmesëm synojmë të ulim nivelin e borxhit publik ne masën 60% të GDP-së deri në fund të programit me FMN-në në vitin 2016. Ne do të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë FMN-në, për forcimin e kuadrit afatmesëm fiskal dhe prezantimin e rregullave fiskale brenda kuadrit të politikave tona në vitin 2015”.
Florjon Mima, amendament për detyrimin e konsultimit me biznesin
“Kuvendi kthen për rishqyrtim në Këshillin e Ministrave çdo projektligj financiar, i cili nuk i është nënshtruar konsultimit dhe bashkërendimit me grupet e interesit”.
Genc Ruli, amendament për mosrritjen e çmimit të energjisë dhe ndalimin e faturave aforfe
“Fjalia e katërt dhe e pestë ku parashikohet: “Ministria do të përpiqet për një rritje të faturimit të saktë, fillimisht nëpërmjet shpenzimeve mesatare bazuar në konsum, dhe pastaj me masa të veçanta në lidhje me energjinë para se ta arrijë konsumatorin. Ne gjithashtu do të rishikojmë, brenda qershorit 2014, sistemin e tarifave për të sjellë çmimet më afër çmimeve të tregut, dhe do të rishikojmë çmimet për energjinë e ushqyer nga centralet e vegjël private hidro-elektrike të shoqërive (HEC) brenda 31 dhjetorit 2014”, zëvendësohet me “Ministria do të përpiqet për një rritje të faturimit të saktë, fillimisht nëpërmjet ndalimit të faturave aforfe dhe pastaj me masa të veçanta në lidhje me energjinë para se ta arrijë konsumatorin. Ne gjithashtu angazhohemi për të mos lejuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët gjate mandatit qeverisës, dhe do të rishikojmë çmimet për energjinë e ushqyer nga centralet e vegjël private hidro-elektrike të shoqërive (HEC) brenda 31 dhjetorit 2014 por pa cenuar qëndrueshmërinë financiare të shoqërive që menaxhojnë HEC-et”.
Igli Cara, amendament për likuidimin e detyrimeve ndaj biznesit
Neni 2Në pikën 23 të Bashkëlidhjes I “Memorandumi i Politikave Ekonomike dhe Financiare” të projektligjit “Për miratimin e huamarrjes prej 295 420 000 SDR-SH, që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë për programin 36-mujor të ndihmës (EFF)”, bëhen ndryshimet si më poshtë vijon:
a) “Fjalia e nëntë riformulohet: “Megjithatë, ne presim që procesi i verifikimit dhe analizës së plotë të kufizojë sasinë e pagesave të prapambetura të likuiduara plotësisht deri në qershor 2014.”.”
b) “Fjalia e fundit, shfuqizohet”.
Jorida Tabaku, amendament për rritjen e pensioneve
“Pika “ii” e fjalisë së tretë me përmbajtje “ne do të ii) kufizojmë rritjet e pensioneve tek kostoja e rregullimeve të jetesës (një kërkesë sipas ligjit të pensioneve)”, zëvendësohet me fjalinë “ne do të ii) vijojmë me rritjen e përvitshme të pensioneve mbi nivelin e normës së inflacionit, me qëllim parësor përafrimin mëtejshëm të pensioneve të fshatit me pensionet në qytet”.
Amendament për heqjen e TVSH për energjinë elektrike dhe produktet ushqimore
“Fjalia e katërt ku parashikohet: “Për të luftuar ndikimin e rritjeve të taksave ndaj grupeve vulnerabël, ne do të mbështesim ata që kanë vështirësi për pagimin e faturave të tyre elektrike (gjysma e VTSH-së së paguar për energjinë do të subvencionohet)”, si dhe do të ofrojmë mbështetje të synuar ushqimore për personat në nevojë (gjysma e TVSH-së së paguar për disa produkte bazë ushqimore do të subvencionohet)”, zëvendësohet me “Për të luftuar ndikimin e rritjeve të taksave ndaj grupeve vulnerabël, ne do të mbështesim çdo konsumator për pagimin e faturave të tyre elektrike duke hequr tatimin mbi vlerën e shtuar për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve familjarë, si dhe do të ofrojmë mbështetjen e synuar ushqimore për të gjithë qytetarët shqiptar, duke hequr tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për produktet bazë të ushqimit”.
Berisha zbardh 21 kushtet e FMN-së për huanë 330 milionë euro
1- vendosja e tatimit progresiv mbi te ardhurat
2- rritjen e akcizës mbi duhanin
3- dyfishimi I tatimit mbi pronën për qëllime biznesi
4- rritjen e taksës së karburanteve
5- heqjen e tavanit për llogaritjen e sigurimeve shoqërore
6- ngrirjen e pagave dhe pensioneve për 3 vjet
7- heqjen e përjashtimeve të TVSH-së
8- vendosjen e pagesës së qarkullimit të automjeteve në Rrugën e Kombit
9- rritjen e taksës vjetore për automjetet e përdorura në masën 50%
10- vendosjen e TVSH për shitjen e ndërtimeve të reja përfshirë dhe vlerën e tokës
11- vendosjen e taksës për të gjithë personat që udhëtojnë jashtë shteti
12- rritjen e taksës së pronës si rezultat i vlerësimit të saj mbi bazën e çmimit të shitjes
13- vendosjen e TVSH në thirrjet hyrëse telefonike
14- vendosjen e një takse të regjistrimit të automjeteve të reja bazuar në çmimin e blerjes
15- vendosjen e taksës për mallrat e luksit si produktet e arit, makinat luksoze etj
16- vendosjen e taksës mbi biletat e udhëtimeve
17- rritja e taksës së çmimit të makinave
18- rritja e tatimit mbi të ardhurat nga interesat të fitimit të dividendit të të drejtave të autorit nga 10 në 12%
19- rritja e çmimit të energjisë, tatimit të depozitave
20- heja nga skema e pensioneve me kontribute të ulëta dhe kalimi I tyre në ndihmë sociale
21- rritja e moshës së pensionit.




