Dy ndeshjet më të rëndësishme të fazës së Euro 2016 luhen këto ditë dhe do të përcaktojnë fatin dhe vazhdimësinë e skuadrës sonë në këtë kompeticion. Dy nga favoritet kryesore janë gati të bëjnë hapin e tyre cilësor, ndërsa ne kemi fuqinë për t’u kthyer në surprizën e grupit.
Kombëtarja shqiptare po kalon ditë të mira. Fitorja ndaj Portugalisë, një ekip cilësor me emra të rinj, që japin shpresë për të ardhmen dhe në fund përmbyllet me një stadium të ri. Një atmosferë që duket se ka ngazëllyer çdo futbolldashës që e shikon kombëtaren si atraksionin e vetëm që mund ta nderojë në nivel ndërkombëtar. Kësaj radhe, misioni ka emrin Euro 2016. Për të shkuar në Francë nuk do të jetë e lehtë. Niveli i grupit është i lartë dhe të marrësh pikë duket e vështirë dhe kjo nuk na jep shumë shpresa. Mirëpo fitorja ndaj Portugalisë dha një shkëndijë që ne mund të marrim pikë, nëse arrijmë të luajmë mirë të shfrytëzojmë rastet dhe të kemi fat.
Probleme me biletat kundër Danimarkës
Federata Shqiptare e Futbollit bën të ditur se kanë dalë në treg biletat e stadiumit për sfidën Shqipëri-Danimarkë e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016, që do të zhvillohet ditën e shtunë në “Elbasan Arena”, në orën 20:45. Burime pranë qeverisë shqiptare të futbollit bëjnë të ditur se biletat kanë dalë që të mërkurën në treg në pikat e shitjes në Elbasan dhe Tiranë. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se në Elbasan shitja nuk ka nisur ditën e mërkurë, për çështje organizimi, pasi në pikën e vendosur pranë teatrit “Skampa” ka pasur edhe aktivitet të vetë teatrit, duke vendosur në vështirësi shitjet e biletave. Mësohet që sportelet janë hapur të enjten në të dyja qytetet teksa FSHF ka nxjerrë për momentin një numër të reduktuar biletash, nisur dhe nga kërkesat e shumta nga tifogrupet anembanë vendit, të cilat kanë qenë në mbështetje të kombëtares shqiptare në çdo edicion. Megjithatë, kërkesat për një biletë në debutimin zyrtar në Elbasan Arena janë shumë herë më të mëdha sesa vetë kapaciteti i stadiumit, kjo nisur dhe nga fakti që formacioni i De Biazit e nisi me një fitore këtë fushatë eliminatoresh në transfertën luzitane ndaj Portugalisë. Megjithatë, për të gjithë ata që nuk do të kenë mundësinë të prenotojnë një biletë për sfidën jashtë stadiumit, do të ketë ekran të madh ku të gjithë futbolldashësit mund të përjetojnë emocionet.
Banorët e Preshevës, në mbështetje të kuqezinjve
Kombëtarja shqiptare nuk do të jetë pa mbështetje. Nga Lugina e Preshevës, një krahinë brenda territorit të Serbisë, e populluar nga shqiptarët, vjen lajmi se janë blerë rreth 500 bileta për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Kombëtares së Shqipërisë nuk do t’i mungojë mbështetja e tifozëve kuqezi në sfidën me Serbinë që do të zhvillohet më 14 tetor në Beograd, edhe nëse Federata Serbe e Futbollit merr vendimin përfundimtar për të mos i pranuar mbështetësit e përfaqësueses sonë në këtë sfidë të nxehtë. Një lajm shumë i mirë që mund të shërbejë si një dritë për djemtë kuqezinj që nuk do të përjetojnë minuta të qeta në “Markana”. Tregtarët serbë, duke përfituar nga fakti që nga kjo krahinë kishte interesim të madh për bileta, I kanë shitur ato me një çmim 30 deri 50% më shtrenjtë. Grupet e tifozerive shqiptare nga Lugina kanë siguruar biletat nga tribunat të cilat nuk janë për tifozët miq, ndërsa problem në vete mbetet udhëtimi drejt Beogradit në ditën e ndeshjes. Në radhët e tifozëve kuqezi nga Lugina e Preshevës, por edhe nga Bujanovci, ekziston frika se mund t’u ndalohet hyrja në Beograd, që është rreth 370 km larg vendlindjes së tyre. Në fakt nuk ka asnjë arsye, përveç të qenit shqiptar, që autoritet serbe të ndalojnë hyrjen në stadium të tifozëve shqiptarë të lindur brenda territorit të Serbisë.
UEFA vlerëson pozitivisht punimet e “Elbasan Arenës”
Zëdhënësi për shtyp i Federatës Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, organizoi një konferencë për shtyp për të treguar vlerësimin e marrë nga UEFA. “Elbasan Arena” është gati për të mirëpritur me të gjitha funksionet e saj organizimin e ndeshjes eliminatore të Euro 2016 ndaj Danimarkës. Zëdhënësi për shtyp i Federatës Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, organizoi një konferencë për shtyp në ambientet e impiantit të ri me temën “Guida për Shtyp”, për të treguar vlerësimin e marrë nga UEFA në testin miqësor të kombëtares Shqiptare ndaj 19-vjeçarëve të Elbasanit. “Kemi marrë vlerësim maksimal në testin miqësor me të rinjtë e Elbasanit. Në përgjithësi kemi shkuar mirë edhe pse ka disa gjëra për të rregulluar. Tashmë kemi një stadium të ri jo vetëm për tifozët edhe për ekipin por edhe për mediat. Për herë të parë kemi një sallë konferencash me licencën A, që plotëson të gjitha kushtet e vendosura nga UEFA. Media ka rregulla të reja dhe të gjithë gazetarët, fotoreporterët dhe operatorët duhet të jenë të gatshëm për të hyrë në stadium dy orë më parë. Çdo gjë do funksionojë në bazë të akreditimit të kryer më parë në FSHF”, – ka thënë përfaqësuesi i Federatës.
Mirkov: Shqiptarët nuk do të jenë në Beograd
Tifozët shqiptarë nuk do të mund të shohin Shqipërinë në “Markana” të Beogradit. “Alo.rs”, një nga sajtet serbe më të angazhuara me këtë çështje këto ditë, i cili i referohet komisionerit për Sigurinë në Federatën Serbe të Futbollit: “Tashmë është përfundimtare. tifozët shqiptarë do të ndalohen të përcjellin ndeshjen e kombëtares së tyre me Serbinë! Çfarë është lënë të kuptohet të martën sot ka marrë konfirmimin zyrtar. Për fat të mirë, tifozët nga Shqipëria nuk do të lejohen të hyjnë në Serbi për kualifikuesen e Kampionatit Evropian, i cili do të luhet më 14 tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit! Ky është verdikti i pohuar ekskluzivisht për “Alo.rs” nga Milivoj Mirkov, komisioner për Sigurinë në Federatën Serbe të Futbollit të Serbisë, i cili shton se vendimi në fjalë së shpejti do të jetë në formë të shkruar dhe do t’i dërgohet zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit. “Ne patëm sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, ku bëmë me dije qëndrimin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila nuk dëshiron të përmbushë obligimin ligjor të shtetit të Serbisë, duke identifikuar me emër, mbiemër dhe numër pasaporte çdo bartës të biletave (ato janë 1125 copë për tifozët shqiptarë). Pala shqiptare tha nëpërmjet një deklarate se heq dorë në mënyrë të qartë nga përgjegjësia për tifozët e vet. Prandaj, është e qartë se nuk mund të garantohet në këtë mënyrë siguria e tifozëve të Shqipërisë, por as të Serbisë në një ndeshje të tillë. Edhe pse Ministria e Brendshme e merr vendimin përfundimtar, unë besoj se Federata Shqiptare e Futbollit tani duhet të informojë tifozët e vet që nuk mund të lëvizin drejt Beogradit më 14 tetor, sepse do të ndalen në kufi në këto rrethana. Ata do të parandalohen të hyjnë në territorin e Serbisë. Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë që Federata Shqiptare e Futbollit të na japë përsëri 1 125 biletat që i përcollëm asaj më herët, duke shpresuar se do të përmbushë kërkesën më minimale për organizimin e të tilla ndeshjeve “komplekse” tha shefi i sigurisë. Vendimi përfundimtar është në dorën e ministrisë por është e qartë se, mbi të gjitha, nuk merret përsipër siguria e tifozëve të Shqipërisë deri në stadiumin e Partizanit, ku do të luhet ndeshja më 14 tetor.”
Danimarka, probleme me dy titullarë
Danimarka, ndryshe nga Shqipëria, që i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, vuan disa dëmtime. Lojtarë mjaft të rëndësishëm për Olsenin që mund t’i prishin punë ndaj kuqezinjve. Vlen për t’u theksuar se ndeshja do të luhet në “Elbasan Arena”, kështu që, përveç tifozerisë, Olsenit do t’i duhet që të bëjë pa një ose dy lojtarë të formacionit bazë. Simon Kjaer mund të jetë mungesa e madhe e Danimarkës. Futbollisti 25-vjeçar ka pësuar një dëmtim në takimin e Europa League mes Lilës dhe Volfsburgut dhe sipas asaj që bëjnë të ditur mediat daneze, është në luftë me kohën për të qenë i gatshëm në sfidën ndaj kombëtares kuqezi. Ish-lojtari i Volfsburgut dhe i Romës nuk u grumbullua fare nga trajneri i Lilës, Rëne Zhirard, për ndeshjen e fundjavës që sapo lamë pas ndaj Lionit në kampionatin francez, dhe këtë të hënë kreu stërvitje të diferencuar me kombëtaren daneze. Kjaer është pa dyshim një nga pikat e forta te kombëtarja skandinave dhe mungesa e tij do të ishte diçka më shumë sesa pozitive për ekipin tonë përfaqësues. Për mungesën e mundshme të mbrojtësit 25-vjeçar, për mediat daneze, foli edhe trajneri i kombëtares nordike, Morten Olsen, i cili theksoi se Kjaer do të bëjë çmos për të qenë i gatshëm në ndeshjen ndaj Shqipërisë, por nëse nuk riaftësohet plotësisht, Olsen tha se nuk do ta rrezikojë duke e hedhur në fushë lojtarin e Lilës, pasi Danimarka tri ditë pas ndeshjes me Shqipërinë do të ketë një takim shumë të rëndësishëm përballë Portugalisë. Probleme te kombëtarja skandinave nuk ka vetëm Kjaer, por edhe mbrojtësi i djathtë i Red Bull Salsburgut, Peter Ankersen, por sipas Olsenit, 24-vjeçari në Austri ka më shumë mundësi për t’u riaftësuar në kohë se 25-vjeçari i Lilës. Gjithsesi, lajmi i mirë për trajnerin e Danimarkës është se mesfushori dhe ylli i skuadrës, Lase Shone, është rikthyer të luajë me skuadrën e tij të Ajaksit dhe do të jetë i gatshëm të përballet me kuqezinjtë. Më premtuese është gjendja e Simon Kjaer, i cili shpreson ta kalojë problemin në kavilje në seancën e fundit stërvitore një ditë para ndeshjes.




