Çfarë është dhe çfarë nuk është e mirë publike?

Artan Fuga

artan-fugaAnëtar i Akademisë të Shkencave të RSH   

Si të bëjmë të shpjegojmë një dije bazike të ekonomisë politike, sociologjisë, financave bashkëkohore???

Kur qytetari modern paguan taksa për buxhetin publik nuk i paguan thjesht që fëmijët e tij të venë në shkollë, sepse ai mund të mos ketë fare fëmijë, por që të ketë shkolla publike, pra që ai të jetojë në një shoqëri të kulturuar që është një e mirë publike.

E mirë publike nuk është arsimi i fëmijëve të tij, por shoqëria e kulturuar në tërësi.

Kur qytetari modern paguan taksa për buxhetin publik nuk paguan që policët të kapin hajdutët që mund të plaçkitin shtëpinë e tij, sepse ai mund të mos ketë fare shtëpi ose të mos jetë plaçkitur asnjëherë.

Ai paguan që shoqëria në përgjithësi të jetë e sigurt, pra për sigurinë publike.

E mirë publike është siguria shoqërore, pra e rendit publik, jo ruajtja e derës të shtëpisë të tij private.

Kur qytetari paguan taksa për shëndetin publik, ai nuk i paguan thjesht për t’u kuruar kur të sëmuret, sepse ai mund të mos sëmuret kurrë.

Ai i paguan që të jetojë në një shoqëri jo të sëmurë fizikisht, pa epidemi, pranë njerëzve të shëndoshë.

Jo shëndeti personal është e mirë publike, por shëndeti publik është e mirë publike.

Pa fund shembuj mund të merren, por kush ka kohë ta bëjë, aman, hajde shpjego abetaren për të rritur…

Prandaj askush nuk ka mundësi të thotë: M’i jep pak ato lekët që paguaj për shkollë,se kalamajtë e mi do t’i çoj te privati…!, sepse ato lekë s’i jep për kalamajtë e tu o tutkun, por për të jetuar në shoqëri të kulturuar…

Prandaj askush nuk ka të drejtë të thotë: M’i jep pak ato lekët që paguaj për shëndetin publik se do të iki në Siri a Ukrainë për t’u kuruar atje… Ore, derëbardhë, por ato lekë nuk jep për t’u kuruar ti, por që të jetosh në një shoqëri të shëndetshme…

Prandaj, askush nuk ka të drejtë të thotë: M’i jep pak ato lekët që paguaj për policin, sepse unë jam i fortë dhe e mbroj vetë derën e shtëpisë sime!!!

Jo more, birbo, jo, se ato lekë i paguan që të jetosh në një shoqëri të sigurtë dhe jo për të ruajtur thjesht derën e portës tënde!!!

Askush nuk mund të thotë se dua lekët që paguaj si taksë për radiotelevizionin publik sepse unë nuk e ndjek kurrë atë stacion radioteleviziv, sepse e urrej çdo gjë publike.

Por, jo mo i shkretë, jo, se ato lekë nuk i paguan që ti të shohësh televizor, kurrë mos pafsh, por i paguan që të jetosh në një shoqëri ku aksesi në informacion të jetë minimalisht i mundshëm edhe në skajet më të largëta etj.

Ja pra pse buxheti publik nuk mund të thërrmohet në xhepat e gjithsecilit.

Ja pse e mira publike është e pandashme, jo konkurrenciale, dhe e pambarueshme.

Pse?

Sepse shëndeti publik, siguria publike, arsimimi publik, informimi publik, nuk mbarojnë kurrë, përderisa si vlera shoqërore ato:

a. konsumohen por nuk harxhohen,

b. nga ato përfitojnë të gjithë, edhe të dobëtit edhe të fortit, edhe ata që paguajnë taksa edhe ata që nuk paguajnë, edhe të huajt edhe vendasit, konsumohen bashkërisht.

c. Sado të përfitosh prej tyre, edhe i fundit në “radhë” përfiton njësoj si i pari, pra nuk janë rivalizuese.

Po si ta shpjegojmë këtë atyre që nuk e dinë??? Atyre që e dinë, por e harrojnë? Atyre që as e dinë dhe as e kanë harruar?

Fajin e kanë tekstet e shkollës të mesme, ato të edukimit qytetar, që nuk kanë arritur ta shpjegojnë këtë dituri që mendjet më të ndritura në politikë, ekonomi, financë, sociologji, komunikim, e kanë shpjeguar.

Por, ka disa që i zë dhimbja e kokës sapo nisin të lexojnë edhe fjalitë e para të një libri …

Ja pse arsimimi publik është një e mirë publike që na intereson të gjithëve, ndër të tjera edhe sepse nuk do të na duhej të shpjegoheshim duke humbur kohë për gjëra bazike…

 

 

Share it :