Speciale/ Bulevardi “Republika”, aty te çezma e arave ku gratë lanin rrobat dhe bënin thashetheme
Shkrimtari Vangjush Ziko, kur flet për çezmat e arave, vë në dukje se “çezma ka pasur rrëzë kodrave dhe sidomos në pjesën e poshtme të bulevardit “Republika”, ku më parë ishin arat e qytetit dhe ku lagnin gojën bujqit dhe çifçinjtë, të gjitha këto kanë qenë nën sipërfaqen e rrugës, të sajuara me tuba dhe të rrethuara me mur të thatë të gurtë, të ulët rreth e rrotull, kishin edhe postaf guri që të mos baltoseshe dhe disa shkallë për të zbritur në to
Dikur në Korçë dimri ishte edhe më i gjatë dhe bënte shumë ftohtë. Gratë e kishin të pamundur të dilnin nëpër sofatet e portave e të shkëmbenin me njëra-tjetrën lajmet e ditës. Për më tepër nuk mund të bënin dot thashetheme dhe të argëtoheshin me të vërtetat dhe të pavërtetat që kishin shpikur vetë për gratë e mëhallës. Edhe vetë ato e dinin se njeriu nuk mund të bënte dot pa thashetheme, ndaj sapo linin sofatet dhe hynin brenda pothuajse i kishin harruar të gjitha ato që
kishin thënë. Thashethemet ishin pjellë e xhelozisë për njëra-tjetrën, jo vetëm për bukurinë, por edhe për veshjen, mënyrën e të sjellit, krehjen e flokëve, qëndrimin në divan, hedhjen e vështrimit, zgjedhjen me kujdes të fjalëve që do të thoshte etj. Mbi të gjitha, nuk duronin dot kur ndodhte që ndonjëra prej tyre merrte më shumë lavdërime se të tjerat. Për të gjitha këto arsye, dimri konsiderohej si një periudhë heshtjeje dhe qetësie. Me ardhjen e pranverës thashethemet bëheshin me flatra, sepse siç thotë këngëtarja korçare Spanja Pipa, “sofatet janë shpikur për thashetheme dhe Korça është një qytet me sofate”. Gratë prisnin ngrohjen e kohës që në një ditë të tillë të dilnin për të larë rrobat. Gjatë atyre ditëve do të konsumonin gjithçka që kishin dëgjuar gjatë dimrit dhe që nuk kishin pasur rast t’ua thoshin grave të tjera të mëhallës.
BULEVARDI “REPUBLIKA”
Larja e rrobave mund të thuhet se për gratë ishte një panair i vërtetë. Në fillim ishin dy ose tri gra që kapërcenin bulevardin “Republika”, i cili shtrihet përfund kodrave të qytetit dhe ndaleshin aty te “çezmat e arave”; kështu quheshin ato burime, pasi qyteti ende nuk ishte shtrirë edhe në anën tjetër të rrugës. Edhe bulevardi “Republika”, nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një rrugicë e zakonshme këmbësore. Vetëm në vitin 1892 do merrte pamjen e një rruge, ku mund të kalonin edhe qiraxhinjtë me qerret e tyre. Sipas studiuesit Ramiz Fiçorri, “rruga e parë që është hapur në Shqipëri, konsiderohet ajo e ndërtuar nga qeveria turke Manastir – Korçë – Janinë për transportin e qerreve, e filluar më 1892 dhe e ndërtuar tërësisht me punë angari nga banorët lokalë nëpër
trajektoren ku kalonte rruga. Çdo fshat, sipas numrit të banorëve, ishte i detyruar të ndërtonte segmentin e caktuar për të”. Fatmirësisht, bulevardi “Republika” ishte një segment i rrugës Manastir – Janinë. Që nga ajo ditë, kjo rrugë do të pagëzohej me një sërë emrash, si bulevardi i “Pirros”, i profetit Ilia, i Viktor Emanuelit III, i mbretit Zog I etj, ndërsa së fundi do të merrte emrin që mban edhe sot e kësaj dite. Në ato kohë bulevardi do të bëhej i famshëm edhe për kafenetë e tij, gjë që do të bëhej edhe burim dhimbjesh dhe thashethemesh. Ja çfarë thuhet në një këngë: “Sapo dal i pirë moj nga “Republika”/, me raki edhe me lot/, krejt pas teje moj Sofika/, unë rend edhe vrapoj/. Shkaktare më je ti, moj që po pi/, natë e ditë në vetmi/. Kur kaloj sokakut tëndë o moj Sofika/, zemrën time ma copton…”. Pikërisht aty, në anën tjetër të bulevardit, mblidheshin gratë për të larë robat e për të mësuar lajmet që nuk kishin mundur t’i merrnin vesh gjatë muajve të dimrit, por edhe për të parashikuar se cfarë mund të ndodhte në të ardhmen.
ÇEZMAT E ARAVE
Dy-tri gratë e para që mbërrinin te “çezmat e arave” sillnim me vete të gjitha shtresat dhe mbulesat e shtëpisë. Pas tyre vinin gra të tjera. Me ardhjen e pranverës, gjithçka duhej të kalonte në ujë dhe sapun. Megjithatë jo të gjitha gratë vinin atë ditë për të larë rrobat. Ky lloj rituali vazhdonte për disa ditë me radhë. Gratë shpërndaheshin në të gjitha çezmat e arave sepse burimet të tilla ishin disa. Shkrimtari Vangjush Ziko, kur flet për çezmat e arave vë në dukje se “çezma ka pasur rrëzë kodrave dhe sidomos në pjesën e poshtme të bulevardit “Republika”, ku më parë ishin arat e qytetit dhe ku lagnin gojën bujqrit dhe çifçinjtë, të gjitha këto kanë qenë nën sipërfaqen e rrugës, të sajuara me tubo dhe të rrethuara me mur të thatë të gurtë, të ulët rreth e rrotull, kishin edhe postaf guri që të mos baltoseshe dhe disa shkallë për të zbritur në to. Madje jo vetëm kaq, Ziko nënvizon gjithashtu se “çezma e arave përbri bibliotekës “Thoma Turtulli” në lulishten “Themistokli Gërmenji”, sot janë të rindërtuara me dy shurupuqë guri dhe me postafë të gurtë, dikur, (kujton Ziko) lanin shtrojat e shtëpisë, siç këndon edhe kënga popullore: “Në çezmat e arave, binin ca kopanë/, lante
Llazovica me Ngjelo Tellanë…”.
THASHETHEMET
Pas pak, kur të gjitha gratë ishin mbledhur aty, “çezmat e arave” shndërroheshin në agjenci lajmesh. Fillimisht hidhnin ndonjë batutë për ndonjë thashethem që ishte dëgjuar ato ditë dhe pas kësaj prisnin që atmosfera të ndizej dhe fjalë me nënkuptime që digjnin si piperi, të hidheshin edhe nga gratë e tjera. Ndonjëra prej tyre, si pa të keq e pa ndonjë djallëzi, pyeste: “E keni dëgjuar këngën që po këndohet këto ditë? “Nëpër vërkë të gardhit, fshehurazi/, ti moj nuse e Tasit, bënje dashuri/, nëpër vërkë të kyçit, fshehurazi/, ti moj nuse e Tasit, bënje dashuri…”. Pas kësaj aludonin se për cilën nuse bëhej fjalë dhe nga cili gardh e kishin parë që ajo bënte dashuri; kush kishte qenë ai qe e kishte vështruar nga vrima e çelësit? Kaq duhej që gjithçka të ndizej e
të merrte flakë. Megjithatë, sipas tyre, nuk ishte e mundur që kjo këngë të bënte fjalë për nusen e Tasit që kishin në mëhallë. “Është nga Rrëmbeci, ia priste tjetra, nuk e keni dëgjuar këngën si thotë: “Të mori Pali, të shpuri Rrëmbec/, Surat karajane kokë kastravec/, Jam, jam e mirë dhe në s’jam e mirë,/ Jam për veten time…”. Pas çastesh të tilla, shpërthenin të qeshurat që dukeshin sikur nuk do të kishin fund. Po nëse aty te çezma do të kishte ardhur për të larë rrobat edhe ajo për të cilën aludohej, atëherë gjenin rastin për të kënduar enkas vargjet e serenatës: “Vemi, ah vemi/, në mes të pyllit thellë/, ku nuk hyn dielli/, dhe bota nuk na sheh…”. Ose sillnin me shumë përvuajte vargje të tilla: “Ilaçet nuk më bëjnë gjë/, S’më shërojnë plagët-ë/, Përveç se syrit tënd të zi/, Që më dogji zemrën-ë…”. Nëse ndodhte që caqet të kaloheshin, atëherë pëlciste edhe sherri. Skënder Luarasi në kujtimet e tij, kur flet për debatet e tij në Lidhjen e Shkrimtarve për Gjovalin Lukën, Vehbi Balën e Shuteriqin, sepse ky i fundit kishte falsifikuar veprën e Migjenit, e përshkruan kështu atmosferën: “Filloi një grindje si te çezmat e arave qëmoti në Korçë midis grash që kërkonin të pranditnin njëra-tjetrën”.
LARJA E RROBAVE
Larja e rrobave vazhdonte për ditë të tëra, por jo të gjitha gratë mblidheshin aty, sepse çezma të tilla kishte gati në të gjithë Korçën. Sipas Ilia Ballaurit “Çezmat, uji i të cilave dilte me presion natyral, ishin në disa vende brenda qytetit. Ato kishin ujë të freskët, të rrjedhshëm vazhdimisht. Disa çezma të tilla ishin: 1) Çezma e Shetros e cila ekziston akoma edhe sot. 2) Çezma rrëzë Shën Thanasit, që dikur quhej çezma e Kaliroit me katër derdhje, e cila sot nuk funksionin. 3) Çezma e e Papallambros, edhe kjo nuk funksionon. 4) Çezma e arave, e cila ndodhet diku ne sheshin ku sot ndahen dy lagje 12 dhe 11, e restauruar dhe funksionon. 5) Çezma e zallit qe ishte te pazari i
dikurshëm në sheshin e tregut të shpendëve, për të cilin thuhej se kishte ujë të shkëlqyer; edhe kjo nuk funksionon 6) Çezma e Mitropolisë. 7) Çezma e Radanecit etj. Megjithatë çezmat e arave ishin bërë të famshme jo vetëm për larjen e shtrojeve të shtëpisë në ditët e ngrohta të pranverës, por edhe për thashethemet e famshme. Edhe shumë vite më parë, gratë e reja nuk kishin pëshpëritur e qeshur pak me qarkoren që kishte dalë nga Mitropolia e Korçës më 6 mars 1826, e cila në pikën 12 të saj theksonte: “Nuset dhe gratë ndëshkohen të shkojnë në hamam”. Ky lajm i kishte lënë nuset dhe çupat të çuditura, pasi tashmë kishin ardhur kohë të tjera dhe nuk mund të laheshin më në govatë si qëmoti. Shkaktare për daljen e këtij vendimi kishin qenë vjehrrat e tyre të moshura, të cilat nuk mund të pranonin kursesi që nuset e tyre të zhvisheshin krejt lakuriq e të laheshin në një vend të botës. Veç kësaj, dikush kishte përhapur fjalë se në hamam kishin filluar të bëheshin gjëra të papalqyera. Pikërisht për këtë gjë, për të ndaluar ndonjë skandal të mundshëm, Mitropolia kishte nxituar të merrte masa. Ndoshta kishte qenë ndonjë si nusja e Tasit që nuk donte t’ia dinte se çfarë thoshin njerëzit edhe nëse e shihnin ose jo nga vërka e çelësit. Sidoqoftë, gratë e reja u detyruan sërish t’u riktheheshin govatave e të laheshin si qëmoti çdo të shtunë.
FUNDI I ÇEZMAVE TË ARAVE
Si gjithçka tjetër edhe çezmat e arave do të kishin një fund. Njerëzit që kishin si prona tokat bujqësore filluan t’i shisnin dhe sipër tyre nisën të ndërtoheshin banesa Shtëpi u ngritën edhe aty ku ishin çezmat e arave. Gratë dhe nuset po kuptonin se nuk do të shkonin më te ato çezma, siç kishin bërë dikur për të larë shtresat dhe mbulesat dhe as për t’u argëtuar me thashethemet që përhapeshin në atë kohë. Duket se që të gjitha këto janë të vërteta. Sipas studiuesit Pirro Thomo, dëshmia më e hershme e banesës më të vjetër në qytetin e Korçës (bëhet fjalë për pjesën në të djathtë të lumit) është gjithnjë testamenti i Saqellar papa Manushit, i vitit 1725, ku nëpërmjet këtij dokumenti ai ndante banesën mes bijve të tij. Thomo vë në dukje gjithashtu se “njoftimet mbi ardhjen e popullsisë fshatare në qytet i kemi që nga viti 1847. Dy fshatarë nga Orman Çifligu blejnë nga pronat e kishës troje për banesë. Por këto troje ishin ende larg lagjeve të banuara, pranë kishës së Shën Mërisë. Më vonë gjatë viteve 1868-1873, gjejmë akte shitjeje të shumta trojesh nga kisha për ndërtim banesash, të cilat më parë ishin toka të punueshme, ara ose bostane. Kjo gjë mund të ketë ndodhur edhe me tokat e tjera përreth qytetit, të cilat nuk ishin prona të kishës. Dhe me të vërtetë, shkruan Thomo, ndër datat e banesave të kësaj periudhe, vitet 1867-1873 janë më të shpeshta. Siç duket kjo do të ketë qenë periudha e hovit të madh që mori Korça drejt zmadhimit dhe zhvillimit, e cila zgjati deri në dhjetëvjeçarët e parë të shek XX. Braktisja e çezmave të arave kishte nisur të ndodhe edhe për një arsye tjetër: Më 1789 Mehmet Pashë Plasa, gyshi i Emine Mirahorit, e cila u bë nëna e vëllezërve Frashëri, solli ujësjellësin e parë në qytetin e Korçës, i cili e shpërndau në lagjet e banuara. (Nëna e Eminesë, Zymbylja ishte bija e Mehmet Pashës). Megjithatë edhe pse që nga ajo kohë ka kaluar shumë kohë, sa herë përmendet emri i çezmave të arave të vjen ndërmend edhe një këngë e vjetër: “Në çezmat e arave, binin ca kopanë/, lante Llazovica me Ngjelo Tellanë…”. Ndërsa kënga tjetër, “Sapo dal i pirë moj nga “Republika” me raki edhe me lot… ishte një dhimbje tjetër.
Vepror Hasani




