Cana i përgjigjet Platinisë: Po sikur tifozët të kishin thikë

Italy v Serbia - EURO 2012 QualifierDrejtuesi i UEFA-s ka supozuar në një intervistë duke thënë: “Po sikur droni të ishte bombë”, ndërsa nga krahu tjetër Cana në një intervistë për “KTV” është duke thënë: “Po sikur të kishin pasur thikë”

 Situata e nxehtë vazhdon të jetë për ngjarjen e shkaktuar në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Kësaj nuk i shpëtojnë dot as protagonistët kryesorë, të cilët duhet të japin opinionin e tyre, por edhe të shprehen për atë çfarë ndodhi në sfidën e vlefshme për eliminatoret

 

 Platini: Po sikur droni të ishte bombë?

Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, është shprehur se ndihet thellësisht i dëshpëruar për ngjarjet që ndodhën të martën në Beograd gjatë takimit eliminator për Euro 2016 Serbi-Shqipëri.

“Futbolli supozohet se duhet të bashkojë njerëzit”, – është shprehur Platini, duke theksuar se “loja nuk duhet të ngatërrohet me politikën në asnjë rrethanë”. Ndërkohë, duke folur për televizionin francez “TF1”, numri një i futbollit evropian deklaroi se skenat e dhunës në ndeshjen Serbi-Shqipëri janë të pajustifikuara. “Imagjinoni sikur në vend të flamurit, brenda dronit të ishte një bombë”, – deklaroi Platini për televizionin francez. Sipas rregullave të UEFA-s, është organizatori (në këtë rast Serbia), i cili duhet të merrte masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe, në fakt, në vend të Platinisë është Federata Shqiptare e Futbollit dhe qeveria shqiptare që duhet të ankohen për masat e dobëta të sigurisë dhe me të drejtë të ngrejnë pyetjen që e ka ngritur Platini.

 

Cana: Po sikur tifozët të kishin pasur thikë

Kapiteni i ekipit kombëtar shqiptar në futboll, Lorik Cana, thotë se nuk e kishte pritur që përballja e Shqipërisë me Serbinë në stadiumin e Partizanit në Beograd do të degjeneronte në mënyrën se si ndodhi të martën në mbrëmje. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë” kapiteni i kuqezinjve deklaroi se ishte i sigurt që ndeshja do të shkojë drejt fundit, pavarësisht tensioneve që e përcollën këtë përballje që para ndeshjes. I kthyer në Romë pas përjetimit që pati në Beograd, Cana tregon shenjat që ka marrë në një gisht të dorës. Thotë se këtë e ka nga tifozi, të cilin e zaptoi pasi ai e sulmoi me karrige bashkëlojtarin e tij, Bekim Balaj, në momentin kur përshkallëzoi situata.

“Ai tifozi i famshëm më ka kafshoi gishtin, donte të ma këpuste. Kam edhe një shenjë tjetër në një gisht tjetër, por, të them të drejtën, nuk e di si e kam bërë”, – deklaroi lojtari i Lacios. Ai thotë se ekipi shqiptar nuk ka qenë në dijeni se çfarë mbante fluturakja, e cila krijoi kaosin në stadium.

“Në fillim, nuk u kuptua mirë çka ishte. Kur u kuptua, ishte një acarim dhe nervozizëm nga tifozeria serbe”, – thotë Cana.

Sipas tij, kur lojtari serb Mitroviç e kapi flamurin, lojtarët shqiptarë shkuan dhe e morën atë në mënyrë që “mos t’i ndodhë ndonjë gjë”. “Qëllimi ishte që ta largojmë atë nga fusha”. Cana gjithashtu nuk hodhi poshtë edhe faktin që qëllimi i Mitroviçit të ketë qenë edhe dorëzimi i flamurit te zyrtarët e UEFA-s anash fushës. “Është e mundur, pse jo! Por ai flamur është yni dhe ne duhet ta marrim e ta largojmë nga fusha. Është absolutisht e drejta jonë”, – thotë ai.

Sipas Canës, për tërë këtë, faji nuk është i shqiptarëve.

“Faji nuk mund t’i lihet Federatës sonë. Biletat që i janë dhënë Federatës sonë, janë kthyer, për shkak të kushteve që na janë vënë. Pra, një faj i tillë nuk mund t’i hidhet Federatës sonë. Një diçka e tillë mund të vijë nga brenda, nga jashtë stadiumit, nga pala tjetër, nga jashtëtokësorët, nuk mund ta dish se kush e ka bërë atë. Është absurde nga ana e serbëve”, – tha ai. Cana e vlerëson si absurd faktin që në vitin 2014, duhet të shkohet për të luajtur në një vend fqinj pa pasur të drejtë që ta kesh tifozerinë me vete, por gjithashtu u shpreh se nuk i kishte munguar simboli kombëtar. “Ne e mbajmë simbolin kombëtar me vete. E kemi në fanellë dhe për atë luajmë prej fillimit deri në fund, duke dhënë gjithçka brenda vetes”, – u shpreh ai.

Më pas, lojtari foli edhe për deklaratat e zyrtarëve serbë, duke u shprehur se ato janë qesharake.

Ndërsa e mbron reagimin e tij ndaj një tifozi serb. “Kur jemi ne, jemi bashkë. Jemi një trup, një njeri, një përfaqësuese, një komb”, – thotë ai. Cana thotë se për mënyrën se si shkoi ngjarja nuk ka pasur vend që ajo të tejkalohet “me dialog”. “Nuk besoj që ata njerëz që janë futur në fushë e kanë vendin brenda fushës për ta dhunuar një përfaqësuese të një vendi. Ata nuk kanë qenë aty për dialog”. Personat që janë futur në fushë, mund të ishin futur edhe me gjë tjetër, e jo veç me karrige. Zoti na ruajt, mund të ishin futur me thikë ose me diçka shumë më të rrezikshme”, – u shpreh Cana. Ndeshja e papërfunduar në Beograd tani i lë radhën ndeshjes së planifikuar pas një viti ndërmjet Shqipërisë e Serbisë në Shqipëri. Cana thotë se mund të ndodhë që UEFA të mos e lejojë zhvillimin e saj në Shqipëri. Por shprehet se pala shqiptare do ta gjejë zgjidhjen për ta siguruar atë ndeshje, pasi tifozeria shqiptare nuk ka bërë asnjëherë probleme në fushë dhe jashtë saj, si në ndeshjet e luajtura si vendas ashtu edhe si mysafir. “Tifozeria e kombëtares sonë, si në shtëpi, si jashtë, ka pasur sjellje shembullore. Serbia ka pasur gjithmonë probleme me tifozerinë e saj”, – thotë Cana. “Në Kanunin tonë të Lekë Dukagjinit e kemi që kur e presim një mik brenda shtëpisë, ai është i sigurt njëqind për qind”, – u shpreh kapiteni.

 

 

Share it :