Cakrani: SPAK po vijon skenarin e montuar të 2015-ës për diskreditimin politik të Metës në aferën CEZ-DIA
Avokati i ish-presidentin Ilir Meta, Kujtim Cakrani, në një konferencë për shtyp, u shpreh se dokumenti i publikuar nga PL në vitin 2015 tregon një skenar të montuar për implikimin e tij në aferën CEZ-DIA.
Ai nënvizoi se hetimi aktual i SPAK duket si një vijimësi e këtij plani të vjetër, i cili synonte diskreditimin dhe penalizimin politik të ish-presidentit.
Cakrani shtoi se dokumenti i vitit 2015, një shkresë e ish-kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, tregon se deputetët Tom Doshi dhe Dritan Prifti tentuan të përfshinin Vojsava Ismailajn, bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, për të prodhuar akuza ndaj Metës në këmbim të lirimit të bashkëshortit të saj. Ai theksoi se këto veprime, sipas shkresës, përfshinin edhe pretendime për ndërhyrje të jashtme dhe një interes të supozuar të Ambasadës Amerikane për eliminimin politik të Metës.
Avokati kujtoi gjithashtu se Meta kishte vepruar me kallëzim penal ndaj zonjës Ismailaj në vitin 2014 për “keqpërdorim të thirrjeve telefonike”, kallëzim i cili më pas u pushua për shkak të amnistisë së vitit 2016, duke treguar se çdo përpjekje për ta implikuar ish-presidentin ishte e pabazë.
Pjesë nga deklarata:
Kjo çështje është vijimësia e asaj që ka ndodhur më 21 janar të vitit 2011, sepse janë të njëjtit personazh, apo jo, avokat? Dhe janë të njëjtët aktorë të cilët, në vijimësi, kanë dashur që presidentin, zotin Meta, ta penalizojnë, ta diskretitojnë publikisht për akuza për të cilat nuk qëndrojnë dhe për afera korruptive për të cilat nuk ekzistojnë. Kështu që sot do t’ju paraqesim se si ka nisur kjo çështje përsa i përket episodit të CEZ-DIA-s dhe përse kjo është një çështje e montuar keq nga ata që kishin interes, dhe padyshim edhe nga Prokuroria e Posaçme.
Aty nga viti 2014, shtetasja Vojsava Ismailaj i dërgonte mesazhe të vijueshme ish-kryetarit të Kuvendit, zotit Meta, ku i kërkonte takim dhe e bezdiste atë, duke justifikuar se donte të sqaronte disa probleme. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Kastriot Ismailaj, në atë kohë ishte nën përgjegjësi penale dhe po vuante procese gjyqësore për akuza të cilat nuk kanë lidhje me zotin Meta, por me çështjen e tij me faturat që kishte me ÇEZ-in.
Në këtë kuptim, zoti Meta, pasi kuptoi që zonja Ismailaj ishte penguar figurativisht nga persona që po e shantazhonin dhe intimidonin psikologjikisht, dhe duke u ndjerë e bezdisur nga mesazhet provokuese, i drejtohet me kallëzim penal, duke e paraqitur atë përpara prokurorit të përgjithshëm të kohës, zotit Adriatik Llalla. Më pas, kjo çështje është pushuar për shkak të amnistisë së vitit 2016.
Kallëzimi penal i zotit Meta konsistonte tek keqpërdorimi i thirrjeve telefonike, të cilat zonja Ismailaj i përdorte në mënyrë të vazhdueshme. Pra, regjistrohet kallëzimi penal midis viteve 2000 dhe 2016. Pas hetimeve, dhe pasi zoti Meta u pyet në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, ky kallëzim penal u pushua për shkak të amnistisë së kohës. Dokumenti mban numrin një dhe datën e pushimit 18.1.2017.
Më pas, dokumenti tjetër, shumë i rëndësishëm dhe komprometues, tregon ndërhyrjen e kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, zotit Spartak Braho. Ky dokument, me numrin e protokollit 30 20, datë 27.9.2015, është drejtuar zotit Saimir Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme i kohës, për dijeni zotit Bujar Nishani, president i Republikës, dhe për dijeni kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zotit Meta, si dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përmbajtjen e tij thuhet: Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, dua t’ju informoj se burime të sigurta më konfirmojnë ekzistencën e të dhënave për përpjekje serioze për realizimin e një skenari okupi që synon shkaktimin e kaosit dhe destabilitetit politik në vend, dhe që ka për autor kryesor deputetët Tom Doshi dhe ish-deputetin Dritan Prifti, gjithashtu nën hetim.
Tom Doshi dhe Dritan Prifti janë të njohur të vjetër të Kastriot Ismailajt, i cili ndodhet i arrestuar për akuzën e pastrimit të parave, por njëkohësisht edhe personazh kryesor për çështjen CEZ-DIA. Ata kanë kontaktuar dhe vazhdojnë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e sipërpërmendur, veçanërisht me bashkëshorten e tij, Vojsava Ismailaj, për ta përfshirë atë në një skemë mashtrimi, shantazhi dhe premtimi për të liruar bashkëshortin e saj nga akuza, në këmbim të deklaratave ose intervistave që synonin implikimin e kryetarit të Kuvendit në skandalin CEZ-DIA dhe vazhdimin e skenarit destabilizues.
Burimet konfirmojnë se takimi i fundit mes Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Vojsava Ismailaj u zhvillua në Hotel Sheraton, ditën e mërkurë, më 23 shtator 2015, duke filluar nga ora 14:31. Të njëjtat burime konfirmojnë se Tom Doshi dhe Dritan Prifti i thanë Vojsava Ismailaj se bashkëshorti i saj mbahej i arrestuar me porosi të kryetarit të Kuvendit.
Sipas burimeve, Tom Doshi dhe Dritan Prifti i dhanë garanci Vojsava Ismailaj në emër të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha për lirimin e bashkëshortit në këmbim të deklaratave ose intervistave që do të implikonin kryetarin e Kuvendit, madje duke përmendur edhe ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si të interesuar për eleminimin politik të Ilir Metës.
Burimet informojnë gjithashtu se pasi dështuan të ndikojnë përmes avokatit Vladimir Meçi, i cili mbron çështjet e Tom Doshit dhe Kastriot Ismailajt, këto ditë Tom Doshi ka kërkuar që Vojsava Ismailaj të takohet jashtë qytetit të Tiranës për të përfunduar marrëveshjen, duke premtuar edhe largimin e saj dhe të familjes jashtë Shqipërisë.
Duke patur parasysh precedentin e skenarit të dështuar kriminal që po gjykohet nga organet kompetente, i cili synonte të përfshinte dhe të akuzonte kryetarin e Kuvendit si porositës të ekzekutimit të dy deputetëve Tom Doshi dhe Mëhill Fufi, me protagonist të pandehurin Durim Bami dhe deklarimin e dhënë nga ky i fundit nën kërcënimin me armë, dhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore që paraqet Tom Doshi, në cilësinë time si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend, …



