Cakrani pas seancës për Metën në GJKKO: As gjykata s’ka kuptuar akuzat, çështja do të bjerë! S’ka vepër penale

Cakrani pas seancës për Metën në GJKKO: As gjykata s’ka kuptuar akuzat, çështja do të bjerë! S’ka vepër penale

Tension dhe debate kanë karakterizuar seancën e radhës gjyqësore në GJKKO ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Në një deklaratë ironike para nisjes së seancës, Kryemadhi u shpreh se prokuroria ka marrë si prova për akuzën e pastrimit të parave operacionet e saj plastike.

Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës Kujtim Cakrani, zbardhi dinamikën e zhvillimeve brenda sallës së gjyqit. Ai deklaroi se ka pasur debate të forta me prokurorët e çështjes, të cilët, sipas tij, paraqitën akuza të paqarta dhe të pasakta.
Debati ka qenë për të saktësuar personat dhe vendet, që gjykata ta kuptojë për çfarë bëhet fjalë. Deri më sot, as gjykata nuk ka kuptuar gjë,” u shpreh Cakrani, duke shtuar se pala mbrojtëse është detyruar të bëjë sqarime për të qartësuar relatimin e prokurorëve. Sipas avokatit, problemi qëndron në faktin që prokurorët, pasi paraqesin argumentet e tyre, konkludojnë se “ky është mendimi ynë”, gjë që e detyron palën mbrojtëse të hyjë në debat.

Ai theksoi se akuzat nuk qëndrojnë dhe se nuk ka vepra penale, duke parashikuar se çështja do të bjerë. Cakrani konfirmoi se në seancën e ardhshme, mbrojtja do të paraqesë pretendimet e saj për papranueshmëri dhe pavlefshmëri të akuzave. Ai garantoi se Ilir Meta do të vijojë të jetë plotësisht transparent me publikun për të sqaruar çdo detaj të kësaj çështjeje.

I pyetur edhe për një tjetër çështje, atë të ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, avokati shprehu një kritikë të ashpër ndaj këtij institucioni. Caktimi i seancës për në 8 Prill, rreth nëntë muaj pas depozitimit të kërkesës, u cilësua prej tij si një “dizastër”. “Kjo është një dizastër që nuk ka më asnjë lloj logjike. Kjo është Gjykata jonë Kushtetuese. Unë nuk kam më fjalë,” deklaroi Cakrani, duke shprehur zhgënjimin e thellë me vonesat në sistemin e drejtësisë.

Cakrani:

Pati debate me prokurorët përsa i përket relatimit dhe akuzave që ai ka ngritur në kërkesën për gjyq. Dhe duke qenë se ata janë të paqartë në akuzat e tyre, ne shpeshherë jemi ngritur dhe kemi debatuar me ta. Debati, padyshim që ka qenë për të saktësuar personat dhe vendet dhe që gjykata ta kuptojë për çfarë bëhet fjalë, sepse deri më sot, në parashtrimet që përfunduan sot, as gjykata nuk ka kuptuar gjë dhe ne kemi ndenjur pas relatimit të prokurorit dhe kemi pyetur, bërë disa sqarime dhe kjo ka qenë e gjithë arsyeja që ka patur një debat.

Debati ka qenë konstruktiv, nuk është se ne kemi bërë debat, jemi fyer me prokurorët. Por, problemi qëndron kur prokurorët relatojnë, relatojnë dhe në fund thonë, ‘ky është mendimi ynë’, atëherë ne si avokatë jemi të detyruar që të debatojmë. Dhe kështu, zoti Kllapi dhe zoti Kraja, sot unë i kuptoj ata janë në një vështirësi, sepse nuk ka akuzë ashtu siç ata pretendojnë, nuk ka vepra penale dhe padyshim që kjo në të ardhmen kjo do bjeri, por gjithsesi t’ia lëmë të ardhmes. Ne nuk kemi folur akoma. Sot ka përfunduar prokurorët, ka folur vetëm një avokat i i një zonje. Dhe seancën e ardhshme ne do bëjmë prapësimet tona, pretendimet tona për papapranueshmëri, pavlefshmëri sipas nenit 332 të Kodit të Procedurës dhe juve do jeni të azhornuar për çdo veprim tonin.

Ne kemi qenë të hapur dhe do vazhdojmë të jemi të hapur, sepse zoti Meta duhet të jetë i hapur me publikun, do ta sqarojë sepse ai ka qenë gjithë kohën i hapur, ka qenë gjithmonë transparent me publikun dhe ne do vazhdojmë të jemi transparent.

Ne prisnim që ajo çështja të diskutohej brenda, pra të lihej brenda këtij, ajo datë të lihej brenda këtij muaji. Është shumë larg data 8. I bie afro nëntë muaj nga kërkesa që, nga ankimi që kemi bërë ne në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo çfarë t’ju them unë tani?

Kjo është një dizastër që nuk ka më asnjë lloj logjike që ti bën sot kërkesën dhe pas nëntë muajsh ti të bëhet, ndërkohë që çështja mund të ketë kaluar edhe në gjykim themeli. Pra kjo është Gjykata jonë Kushtetuese. Unë nuk kam më fjalë çfarë t’ju them se ju po e shikoni vetë çfarë po ndodh me Gjykatën Kushtetuese dhe padyshim që ne kemi rezervat tona, por duke qenë që duhet të jemi subjektiv në gjykimin ndaj saj, po mendojmë që të heshtim, mos të flasim më, sepse do jemi padyshim jo të besueshëm për publikun. Faleminderit.

Share it :