Buxheti i Bashkisë së Tiranës / Ja si ndryshojnë taksat në kryeqytet, më shumë të ardhura për bizneset e vogla

Për vitin 2014, të ardhurat nga taksat e tarifat vendore janë parashikuar të jenë 5% me shumë se parashikimi i vitit 2012 dhe 5% më të larta se parashikimi për vitin 2013

 

buxheti_i_2010_es_para_deputetProgrami buxhetor afatmesëm i Bashkisë së Tiranës parashikon një sërë ndryshimesh në taksa. Pas shfuqizimit të 60 tarifave të shërbimit, uljen e taksës së fjetjes në hotel dhe shfuqizimin e përkohshëm të taksës së gjelbër, do të ulet dhe taksa për biznesin e vogël.

Vitet e fundit janë bërë ndryshime ligjore për sistemin fiskal, që janë shoqëruara edhe me vendime të Këshillit Bashkiak të Tiranës, me qëllim krijimin e lehtësirave fiskale për kategorinë e subjekteve të biznesit. Këto lehtësira më të theksuara janë kryesisht ndaj subjekteve biznes i vogël. Për shkak edhe të mungesës së shkollimit për profile për punime artizanale është konstatuar një zhvillim i pamjaftueshëm i këtyre bizneseve. Për t’i dhënë një hov prodhimit artizanal si dhe duke synuar nxitjen e zhvillimit të biznesit është ulur taksa mbi biznesin e vogël në masën 30%. Për vitin 2014, të ardhurat nga taksat e tarifat vendore janë parashikuar të jenë 5% më shumë se parashikimi i vitit 2012 dhe 5% më të larta se parashikimi për vitin 2013. Për vitin 2015 të jenë 4% më shumë se viti i mëparshëm dhe për vitin 2016 do të jenë 3% më shumë se parashikimi i vitit 2015.

 

Ulja e taksave

 

Deri tani Bashkia ka ndryshuar një sërë taksash në Tiranë, duke ulur pjesën më të madhe të tyre. Vendimet që kanë lehtësuar bizneset dhe individët:

-Shfuqizimi i 60 tarifave të shërbimit: është shoqëruar me lehtësim të barrës fiskale, në tërësi për të gjitha kategoritë aplikuese, me efekte mbi 30 milion lekë.

-Shfuqizimi taksës së përkohshme të gjelbër: u pakësua barra e fiskale e biznesit në tërësi për më shumë se 500 milion lekë në vit.

-Ulja e nivelit të taksës së fjetjes në hotel në 3%: ulja e detyrimeve të këtyre bizneseve për një vit me rreth 30% ose në vlerë absolute për rreth 40 milion lekë.

 

Taksa e biznesit të vogël

 

Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit, qoftë ky subjekt fizik apo juridik, vendas apo i huaj, i cili realizon një xhiro vjetore më të vogël ose të barabartë me 8.000.000 lekë.

Taksa paguhet në katër këste të barabarta. Kësti i parë paguhet brenda datës 20 prill. Kësti i dytë jo më vonë se data 20 korrik, kësti i tretë jo më vonë se data 20 tetor dhe kësti i fundit jo më vonë se data 20 janar e vitit të ardhshëm fiskal.

 

Taksa për fjetjen në hotel

Baza e taksës së fjetjes në hotel, është çmimi i fjetjes, sipas rastit, për dhomë ose për person, për një natë. Janë subjekt i taksës të gjitha hotelet, motelet, stabilimentet turistikë, pensionet, shtëpitë e pritjes, turizëm familjar dhe çdo objekt tjetër që përdoret për këtë ushtrim veprimtarie.

Niveli i taksës është 3% e çmimit të fjetjes.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja

Baza e taksës është vlera në lekë e investimit të ri që kërkohet të kryhet. Klasifikimi si investim i ri dhe vlerat përkatëse përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për dhënien e lejes së ndërtimit.

Parashikimi i të ardhurave nga kjo taksë e ka bazën në të ardhurat që realizohen nga pagesa që subjektet ndërtuese kryejnë pas marrjes së lejes së ndërtimit. Për vitin 2014, taksa e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit parashikohet për shumën 1.700.400.000 leke dhe parashikohet të ketë një rritje prej 23% krahasuar me planin e vitit 2013, vit me pritshmëri më të ulët për shkak të fillimit të dhënies së lejeve të ndërtimit mbas miratimit të Planit Rregullues të Tiranës.

 

Taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme

Taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme vendoset për ndërtesat dhe të gjitha pasuritë e paluajtshme në çastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi to.

Agjenti tatimor për vjeljen e taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila në rolin e agjentit të taksës përfiton 3% të shumës së arkëtuar.

Është parashikuar një rritje në këtë taksë për vitin 2014 e 2016 e ndjeshme për faktin se kanë filluar edhe procedurat lehtësuese në hipotekimin e objekteve të ndërtuara në vite, por të mbetura pezull për shkak të mos plotësimit të kërkesave sipas lejes dhe projektit të miratuar.

 

Taksa për zënien e hapësirave publike

Baza e taksës për zënie të hapësirave publike është sipërfaqja në m2, e cila vihet në shfrytëzim nga individë dhe subjekte për qëllime biznesi.

Në këtë taksë përfshihen të gjitha të ardhurat nga:

 

  1. Taksa për zënien e hapësirës publike me spektakle ose panaire.
  2. Taksa për zënien e hapësirës publike me platforma betoni, kangjella, vazo, bimë dekorative, drurë dekorativë etj.

Taksa e zënies së hapësirës publike, në tregje publike

 

Taksa e tabelës

Mbështetur në realizimin e viteve të mëparshme por dhe në ecurinë e arkëtimit të kësaj takse për vitin 2013, ku po kryhet një evidentim më i plotë i subjekteve të kësaj takse, për periudhën 2014-2016 është parashikuar rritja e të ardhurave nga kjo taksë me rreth 5-9% për çdo vit të PBA-së, por duke synuar edhe në rritjen e bazës së kësaj takse kryesisht për reklamat që përfaqësojnë vlerën më të madhe të këtij zëri të të ardhurave.

 

Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave.

Tarifës së pastrimit i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës.

Agjentë të ngarkuar për mbledhjen e tarifës së pastrimit dhe largimit të mbeturinave për familjarët janë njësitë bashkiake, duke përfituar 10% të shumës së arkëtuar, ndërsa për të gjitha subjektet e tjera, strukturë e ngarkuar është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore.

 

Tarifa e vendqëndrimit të mjeteve

Tarifa për parkimin e automjeteve në vend parkime publike përfaqëson pagesën e shërbimit që ofron Bashkia e Tiranës për vendqëndrime të mjeteve kundrejt biletës, atyre të rezervuara dhe për taksitë e licencuara.

Për subjektet që kërkojnë parkim të rezervuar pranë institucioneve të tyre publike ose private tarifa përllogaritet duke shumëzuar vlerën sipas zonës së parkimit me koeficientin 0.7 për rezervim 12-mujor. Kjo tarifë llogaritet për 12 orë pune dhe për 22 ditë pune në muaj.

Të gjitha subjektet që përfitojnë nga rezervimi i vend-parkimeve të miratuara janë të detyruar të lidhin kontratë me DPTTV, pasi subjekti ka marrë lejen përkatëse nga Drejtoria e Transportit në Bashkinë e Tiranës. Bëjnë përjashtim taksitë që nuk kanë vend parkim fiks dhe nuk i nënshtrohen detyrimit për të lidhur kontratë.

 

Tarifa për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime.

Tarifa do të paguhet për çdo aplikim për leje zhvillimi, infrastrukture dhe ndërtimi sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për planifikimin e terriorit. Tarifa llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatës për këto sipërfaqe.

Niveli i tarifës është në masën 1% të vlerës së investimit dhe depozitohet për llogari të financimit të instrumenteve vendorë të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës.

      

Tarifa për kopshtet, çerdhet dhe konviktet

Për fëmijët që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet paguhet tarifa mujore, e cila përbëhet nga tarifa për ushqimin, ku kjo e fundit përllogaritet me nivelin ditor të tarifës dhe ditët e frekuentimit të fëmijës në çerdhe/kopsht gjatë 1 muaji.

Struktura e ngarkuar për mbledhjen e tarifave është Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve.

 

Taksa e përkohshme e lojërave të fatit dhe kazinove

Taksës së përkohshme të lojërave të fatit i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj të licencuar për kryerjen e aktivitetit për lojëra fati, është taksë mujore dhe paguhet brenda datës 10 të muajit pasardhës për llogari të muajit të mëparshëm.

Vendosja e kësaj takse të përkohshme synon në rigjenerimin e situatës sociale të krijuar nga funksionimi i këtyre kategorive të biznesit të shtrira në të gjithë territorin e qytetit dhe që aktualisht janë kthyer në një çështje shumë delikate për jetën normale dhe qetësinë e komunitetit në tërësi por do shërbejë edhe si një burim i konsiderueshëm te ardhurash të Bashkisë së Tiranës për përgatitjen e projekteve dhe përmirësimin e problematikave të krijuara nga lojërat e fatit në këtë territor, janë miratuar edhe nivelet e taksës për metër katror, të aplikueshme për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori, vetëm për sipërfaqet funksionale të aktivitet të lojërave të fatit,

Niveli i taksës së përkohshme të lojërave të fatit aplikohet i diferencuar sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës.

Për të gjitha subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Pjesëve të Ndërrimit të Automjeteve, nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojërave të fatit.

 

Taksa mbi pasurinë

Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi.

Struktura e ngarkuar për vjeljen e taksës mbi ndërtesat për kategorinë “Ndërtesa të tjera” është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë së Tiranës.

Agjentë tatimor për vjeljen e taksës mbi ndërtesën për kategorinë “Ndërtesa banimi” janë njësitë bashkiake, duke përfituar 10% të shumës së arkëtuar.

Në parashikimin e të ardhurave nga taksa e pasurisë, është supozuar që vlera e realizuar e taksës do të rritet mesatarisht me 6% në 2014 dhe respektivisht 5% dhe 3% për vitet pasuese 2015 dhe 2016.

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :