“Në fund të 9-mujorit të 2013-ës, 9.7 miliardë lekë fatura të papaguara, 192 raste në Prokurori. KLSH: Anëtarët e KM-së të mos marrin pjesë në borde të tjera drejtuese e aktivitete politike”
Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi dje buxhetin faktik të vitit 2013, i cili u shoqërua edhe nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Buxheti faktik i vitit 2013 u prezantua nga zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, i cili e cilësoi këtë buxhet si buxhet elektoral. Sipas tij, filozofia e keqe e menaxhimit të financave publike si dhe performanca e dobët e administratës fiskale çuan në ndryshimin e buxhetit. “Keqmenaxhimi çoi në rritje të borxhit dhe detyrimeve të prapambetura. Në fund të 9 mujorit të 2013, kishte 9.7 miliardë lekë fatura të papaguara. Pati abuzime të theksuara nga administrata tatimore dhe doganore. 192 raste janë çuar në Prokurori. Qeveria Berisha bënte shpenzime kolosale. Performanca e të ardhurave ishte e dobët dhe u rrit borxhi”, – u shpreh Mete. Po ashtu ai vuri në dukje se në 6 mujorin e parë të vitit 2013 pati abuzime më të shumta.
Këshilli Kombëtar i Financave
Ndërkohë, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, propozoi dje në mbledhje ngritjen e Këshillit Kombëtar të Financave në mënyrë që politika fiskale të jetë tërësisht e pavarur dhe teknike. Gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2013 në Komisionin e Ekonomisë, Leskaj tha se KLSH vlerëson pozitivisht punën e bërë nga qeveria në 2013, ku sipas tij buxheti është hartuar dhe ndryshuar brenda kuadrit ligjor, duke bërë një menaxhim më të mirë të financave, gjë që sipas tij, ka ndikuar që ekonomia shqiptare të përballojë krizën ekonomike globale. Po ashtu, ai i rekomandoi hartimin e një manuali për matjen e treguesve të borxhit, pasi sipas tij, heqja e tavanit të borxhit ka rritur riskun. Një tjetër rekomandim i KLSH-së ishte edhe krijimi i një komiteti auditues për zbatimin e buxhetit dhe kontrollin e strukturave të auditit të brendshëm të institucioneve. Më tej, Leskaj tha se KLSH vlerëson politikat monetare të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin financiar të vendit. Ndërkohë, ai bëri të ditur si i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë që të ndryshonte ligjin për pjesën e pagave, rekomandim që sipas tij nuk është marrë parasysh nga ana e Bankës. “BSH-së i është rekomanduar që anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të mos marrin pjesë në borde të tjera drejtuese si dhe në aktivitete politike”.
Komisioni i Medias/ Mazhoranca miraton 7 emrat kandidatë për kreun e AMA-s
Lista përfundimtare u miratua vetëm me votat e shumicës ndërkohë që sërish u bë thirrje që opozita të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit. Në fillim të mbledhjes, nënkryetari i komisionit, Alfred Peza tha se opozita nuk iu përgjigj ftesës për të marrë pjesë në komision dhe në këto kushte mazhoranca do të vijojë e vetme procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të këtij institucioni. “Iu drejtuam me një letër opozitës që të bëhet pjesë e procesit, por nuk kemi një përgjigje prej saj. Janë 7 kandidatë që plotësojnë kriteret e ligjit, ndërsa kandidatura e 8, ajo e Sokol Hasanit, nuk u paraqit në seancën dëgjimore”, – tha Peza. Në mbledhjen e ardhshme të komisionit nga lista me 7 kandidatë do të hiqen 3 prej tyre. Nga katër kandidatët e mbetur opozita ka të drejtë të heqë dy emra, ndërsa mazhoranca do të dërgojë në Kuvend dy kandidatët e saj për të zgjedhur kryetarin e ri të AMA-s. Ndërkaq, dy ditë më parë Komisioni parlamentar i Medias u mblodh për nisjen e procedurave për zëvendësimin e kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Endira Bushati. Pas zgjedhjes të enjten nga Kuvendi të dy anëtarëve të rinj të këtij institucioni, të propozuar nga mazhoranca, Gledis Gjipali dhe Pirro Misha, tashmë i është hapur rruga çeljes së procedurave për emërimin e drejtuesit të ri të AMA-s. Para disa muajsh, në prani dhe të opozitës, komisioni i Medias nisi procedurat për zgjidhjen e ngërçit institucional në AMA dhe RTSH. Pas depozitimit të kandidaturave për vendet vakante në këto institucione komisioni bëri përzgjedhjen e tyre dhe zhvilloi dëgjesa me të gjithë konkurrentët për vendet bosh në bordet e AMA-s dhe Këshillit Drejtues të RTSH-së. Por, procedurat nuk vijuan më tej për shkak të vendimit politik të opozitës për të bojkotuar punimet e parlamentit, situatë që vazhdoi dhe me fillimin e sesionit të ri parlamentar në shtator. Në këto kushte mazhoranca nisi e vetme procedurat për zgjidhjen e ngërçit institucional të krijuar në AMA, me zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj, pak ditë më parë.
Ligjet dhe Veprimtaria Prodhuese/ Sigurimi i depozitave, miratohet marrëveshja me BERZH-in prej 100 milionë eurosh
Miratohet traktati evropian për automjetet: Sistemi ndihmon në regjistrimin e lejeve dhe mjeteve të drejtimit, kur ato mbahen nga një person i vendeve të BE-së
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ofron një kredi prej 100 milionë eurosh për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave, me qëllim sigurimin e sektorit bankar në vend. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi dje ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave dhe BERZH-t. Ekspertë të ministrisë së Financave, gjatë prezantimit të projektit në komision, u shprehën se qëllimi i marrëveshjes është sigurimi i fondeve shtesë, përveç fondit të Agjencisë, për të përmbushur detyrimet e saj ligjore kundrejt depozituesve.
Traktati evropian për automjetin
Ndërkaq, me votat e të gjithë të pranishmëve në Komisionin e Ligjeve u miratua edhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Sistemin Evropian të Institucionit për automjetin dhe lejen e drejtimit (EUCARIS)”. Në emër të Ministrisë së Transporteve, Nikolin Bërxhiku, shpjegoi edhe procedurat e reja. “Sistemi ndihmon në regjistrimin e lejeve dhe mjeteve të drejtimit kur ato mbahen nga një person i vendeve të BE-së. Procedurat e qarkullimit të mjeteve tona në vendet e tjera do shoqërohet me dokumente të tjera si leja ndërkombëtare e qarkullimit”, – tha ai. Ky projektligj u miratua dhe nga Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e Komisionit miratuan edhe projektligjin “Për ratifikimin e ndryshimit të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit,ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për zhvillimin e agrikulturës, për Programin “Malet drejt tregut”. Ky i fundit financohet nga Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Agrikulturës (IFAD) me një shumë kredie prej 5.86 milionë SDR-sh dhe një grant 260 000 SDR-sh, nga qeveria shqiptare me një shumë prej 2 milionë USD-sh dhe përfituesit me një shumë 6 milionë USD. Objektivi i programit është rritja e të ardhurave të ekonomive shtëpiake të varfra duke përmirësuar mundësitë e banorëve të këtyre zonave për të marrë pjesë e punësuar në rrjetet rurale konkurruese dhe tregtare të furnizimit nëpërmjet aksesit në tregje, ekspertizës teknike e financës, si rezultat edhe reduktimi i varfërisë në zonat rurale.




