Bushati: Rasti i Irena Gjokës, njolla më e turpshme e drejtësisë së re
Analisti Andi Bushati ka deklaruar se çështja e gjyqtares Irena Gjoka përfaqëson një nga episodet më të errëta dhe më të turpshme të drejtësisë së re në Shqipëri.
Në një intervistë për SYRI TV, Bushati tha se është faktuar se Gjoka ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit dhe se procesi i vetingut të saj është i pavlefshëm, por pavarësisht kësaj, institucionet e drejtësisë po përpiqen ta mbajnë atë në detyrë.
Bushati në fjalën e tij shtoi se minimumi që gjyqtarja duhet të kishte bërë ishte të deklaronte problemet e saj ligjore në formularin e vetingut, ndërsa gënjeshtra e saj tashmë është konfirmuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme
Andi Bushati: Në historikun e shkurtër të kësaj drejtësie së rilindur, kjo është një nga faqet më të, më të turpshme, ëh? Është bërë mbi, mbi gati tre vjet që sot ne, dy vjet e gjysëm që flasim për skandalin e një gjyqtareje, që në thelb nuk duhet të ishte më gjyqtare, sepse është kapur duke gënjyer në dokumentin e dekriminalizimit. Pra, vetingu i saj është nul. Dhe megjithëse ka kaluar kaq shumë kohë, çfarë shohim sot? Sot shohim që ka një përpjekje të gjitha institucioneve të drejtësisë për ta mbajtur atë në punë. Pra, kemi një gjyqtare, e cila me dokumente false kalon në Greqi, kapet nga autoritetet greke, dënohet atje, dëbohet nga Greqia dhe, pavarësisht, ta zëmë për një moment se Greqia i ka rënë në qafë.
Minimumi që ajo kishte detyrimin të bënte, do të ishte që këto t’i shkruante, t’i pohonte në formularin e drejtësisë. Pra, pra krimi i saj nuk është vetëm ai që ka bërë në kufirin shqiptaro-grek. Krimi tjetër është edhe që ka gënjyer gjatë procesit të vetingut. Kjo gënjeshtër tashmë është e zbardhur në dritën e diellit. E ka konfirmuar edhe Prokuroria e Përgjithshme e prapë ne jemi në pikën që të gjithë sillen sikur mbreti është lakuriq dhe sikur nuk e shohim që është i, është i tillë. Në këtë, në këtë kuptim prandaj them është një histori ë, tejet e turpshme. Është e turpshme edhe për vetë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ëh? Kur gazeta greke ‘Ta Nea’ e nxorri për herë të parë skandalin e Irena Gjokës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë menjëherë doli me një deklaratë që këtu kërcënohet pavarësia e gjyqësorit e të tjerë e të tjerë. Sot kur e njëjta gjë faktohet dhe nga autoritetet shqiptare, pra nuk ka më asnjë alibi për Irena Gjokën, sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë sillet si struc.




