Bruto – realiteti i Fatmir Koçit

Violeta Murati

 

filmiPeriferia e Tiranës, diku zona e Bathores, me shtëpi dy tre kateshë ca të mbaruara, ca mbetur karabina, ca në ndërtim e sipër…krijojnë atmosferën e parë të filmit “Amsterdam express”. Po në këtë mjedis si nis mbaron filmi. Asgjë impresionuese për njerëz që jetojnë përditë këto realitete. Ndoshta as për të huaj nuk do ngjasë ndonjë habi, pasi secili vend i ka të tilla periferitë apo më tej vitet e këtyre pamjeve kanë kaluar. Fatmir Koçi nuk e ka herë të parë që ndalet në mizerjen e periferive të vendit. Por, në ndryshim nga herë të tjera në këtë film, premeira e së cilës u dha në fundjavë, e vazhdon në kinematë e kryeqytetit, – ky mjedis nuk ka më impresionin e fotografisë kinematografike, nuk ofrojnë më as shëmti, as bukuri ekzotike, as denoncim, as ligësi artistike. Është një pasazh pa vëmendje nëse përpiqesh të kërkosh meditimin, a diçka më tepër si ide.

Të njëjtin fat ka edhe gjithë filmi. Personazhet asshtu sikurse mjedisi janë larg nga mbartësit e kontekste të tilla. Edhe ngjarjet apo historia qëndrojnë brenda arsyeve të rëndomta siç ndjehet jeta në gati 100 minuta metra filmikë.

Filmi i Koçit që tenton dinamikën, veprimit dhe intensitetin e ngjarjeve ku personazhet hyjnë dhe dalin shpesh pa kuptim duke u shndërruar në një kakofoni situatash.

Bekimi (në rol Blerim Destani) lë dashurinë dhe niset për Gjermani. Rikthehet në Shqipëri me “fundin e lumtur”. Është një nga personazhet më të përzier dhe me shumë ngarkesë ngjarjesh, ku nuk mjafton “fytyra e bukur” e aktorit për të bërë filmin. Shkon në Gjermani, papritur skena i stis një situatë zënkë mafiozësh e trafikantësh femrash. Krimi dhe ndyrësia është ekspresiviteti në rrugët e Amsterdamit. Kjo është gracka që gati e mbyt Bekimin. Fijet e filmit mbeten shpesh të prera në mes pa shkuar në brendi psikologjike përveçse frikës së natyrshme, dhe tundimit prej të cilave distanca dhe afria ndaj krimit bëhet spontane se sa një llogjike kinematografike. Në të kundërt ky film do të ishte i përkryer për telenovela televizive. Nëse kjo është parasysh QKK shqiptare që ka financuar filmin duhet t’i kthehen mbrapsh lekët. Ndonëse është thënë nga producentët se shuma ka qenë mjaft e pakët për këtë produksion.

Personazhi më brutal dhe pervers i filmit, quajtur “Van Damm” ( në rol James Biberaj, trajtuar në media si një kthim i bujshëm i aktorit) një shqiptar që jeton me krimin në Gjermani,  s’mbërrin as në prag të neverisë estetike, për të përmbushur modelin e këtij portreti. Sigurisht që portreti i tij përmbush rolin, por gjuha, komunikimi jo. Gjithë tentativat për brutalitet, perversitet, krim mbi këtë model aktrimi krijojnë skena tensioni që nuk ngjajne aq me realitete kinematografike, duke kaluar gati demostrim. Shumë pak shkëndija dalin në dritë, por dhe këto përmbysen si gjuhë skenike po ashtu dhe dialog e dobët.

Me “Amsterdam eskpress” regjisori ka hyrë në një zonë të minuar të kinematografisë siç është shkrimi i skenarit. Është nga narracionet më të paparashikueshme, duke shfaqur fraktura të dukshme në mendimin qoftë kinematografik ashtu dhe thjesht si në këtë rast, nëse do ta konsideronim një film aksion (për nga dinamika dhe intensiteti i episodeve).

Në fakt ideja e filmit mbetet për fat të keq nga më të parelizuarat. Nëse do ndjekim linjën e pretenduar të dashurisë, ajo mbetet në nivele foshnjërake të perceptimit. Bëmat e një horri, krimineli, trafikanti, dritat e kuqe të Amsterdamit, fragmentet e zymta të periferive, apo të jetës së shthurur dhe përballja e mefshtë me rininë pa motive jete..janë ngjarje që ndërhyjnë në mes të linjës, duke e larguar nga “lapidari” për të cilën është ngritur kjo kinema. Të krijosh një film realist, të drejtpërdrejtë apo njerëzor – pretendime të nënkuptuara, në dimensionin e produksionit të prezantuar do kërkonte një raport të njëanshëm nëse i vëmë përballë idenë e një materiali bruto. Në këtë rast publiku nuk do kishte nevojë të shkonte në kinema, as për të krahasuar teknologjinë e trenave mes dy vendeve me vite drite zhvillimi si rasti i Amsterdamit me Shqipërinë, as për brutalitetin, por në kinema historia, mendimi dhe estetika vazhdojnë të sfidojnë edhe me pak para!

 

 

Share it :