Ervin Kaduku
– Biznesi i fushave të blerta dhe prapaskenat financiare të një eventi që tërheq më shumë njerëz se gjithçka në botë…
Parashikohet që falë këtij Botërori, Brazili do të fusë në “xhep” më shumë se 11 miliardë dollarë të ardhura ose më shumë sesa grumbulloi Afrika e Jugut katër vjet më parë. Kjo, në të vërtetë, është një shifër afro sa i gjithë Prodhimi Bruto Kombëtar vjetor i një vendi si Shqipëria, por që arrihet vetëm në një muaj.
Instituti Brazilian i Turizmit ka parashikuar se numri i turistëve të huaj do të arrijë në 600.000 dhe ata do të shpenzojnë mesatarisht rreth 2,6 miliardë dollarë, ndërsa 3 milionë brazilianët që do t’i ndjekin ndeshjet nga afër do të shpenzojnë 7,9 miliardë dollarë. Në vitin 2010, Kupa e Afrikës së Jugut nuk rezultoi edhe aq e suksesshme në aspektin ekonomik sikundër ishte parashikuar. Numri i turistëve u llogarit në 309.554 nga 450.000 persona që ishte parashikuar. Afrika siguroi fitime në masën 513 milionë dollarë. Afrika e Jugut është shembulli më i mirë, në vitet e fundit, i “efektit Kupa e Botës”, sipas të cilit vendet pritëse të ngjarjes më të madhe sportive më shumë dëmtohen ekonomikisht sesa përfitojnë. Vendi arriti të grumbullonte vetëm 60% të të ardhurave të parashikuara në 900 milionë dollarë dhe vetëm 11% të 4.5 miliardë dollarëve të investuar në ndërtimin dhe rinovimin e stadiumeve, por edhe në përmirësimin e infrastrukturës. A do të ndjekë Brazili të njëjtën trajektore? Ekonomisti i fushës së sportit, profesori Dennis Coates i Universitetit të Merilendit, thotë se “nuk ka statistika që përfitimet që janë parashikuar nga organizatorët të jenë materializuar. Kur SHBA-ja priti Kupën e Botës në vitin 1994, të ardhurat u vlerësuan 712 milionë dollarë më pak se parashikimet”.
Ngjarja më e madhe sportive në botë
Kupa e Botës në futboll, që organizohet nga FIFA, është kompeticioni më i madh dhe realizohet përmes pjesëmarrjes së 208 skuadrave të meshkujve, të rritur të asociuar pranë këtij asociacioni. Ky eveniment që organizohet një herë në katër vjet ka nisur të zhvillohet që nga viti 1930. Qëllimi i FIFA-s është të zhvillojë lojën, duke ndërtuar një të ardhme më të mirë, përmes mënyrave të ndryshme. Për këtë organizim, rreth 200 skuadra kanë luajtur 853 ndeshje. Në 19 kampionate të organizuara, Kupa është fituar nga tetë shtete të ndryshme: Brazili e ka fituar pesë herë dhe është e vetmja skuadër e cila ka luajtur në çdo kompeticion. Fitues të tjerë janë: Italia me katër tituj, Gjermania me tre, Argjentina dhe Uruguai me nga dy, Anglia, Franca dhe Spanja me nga një titull. Kupa e vitit 2010 që u zhvillua në Afrikën e Jugut, u transmetua nga 204 shtete në 245 kanale të ndryshme. Mbi 6 milionë njerëz e ndoqën eventin nga 16 vende publike të shpërndara në mbarë botën, në Afrikën e Jugut, në Romë, Paris, Berlin, Sidnej, Meksikë dhe Rio de Zhanejro. Njësitë akomoduese në Botërorin e Afrikës pranuan gati çerek milioni njerëz. Tre çerekë milionë litra birrë u shitën në stadium edhe 390.600 hot dog. Më shumë se gjysmë milioni vizitorë ndërkombëtarë zbritën në Afrikën e Jugut. Kupa Botërore e FIFA-s është një burim i madh fitimi edhe sa u përket të drejtat televizive dhe aktiviteteve sociale në lidhje me turneun. Dy kupat e ardhshme të Botërorit do të zhvillohen në Rusi në vitin 2018 dhe në Katar në vitin 2022.
Bankat, arrijnë në gjysmë miliardi euro kreditë e humbura
Kreditë e humbura klasifikohen ato me vonesë mbi 365 ditë në kthim, por një pjesë e mirë e tyre gjenden në bilancet e bankave prej shumë vitesh
Kreditë e humbura të sistemit bankar nuk po e ndalin rritjen edhe gjatë këtij viti, me gjithë masat e shumta për të mundësuar fshirjen e tyre nga bilancet. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të muajit prill, kreditë e humbura kishin vlerën e 67.3 miliardë lekëve ose pothuajse 500 milionë euro, 44% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, që nga fundi i vitit 2013, kreditë e humbura në portofolat e bankave janë rritur me afro 4%. Aktualisht, kreditë e humbura përbëjnë afërsisht gjysmën e gjithë sasisë së kredive me probleme.
Sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, kreditë humbura klasifikohen ato me vonesë mbi 365 ditë në kthim, por një pjesë e mirë e tyre gjenden në bilancet e bankave prej shumë vitesh. Një nga arsyet e mosfshirjes së tyre ka qenë refuzimi i organeve tatimore, për t’i njohur ato si shpenzime fiskale të zbritshme. Për këtë qëllim, gjatë muajit Prill u miratua edhe ndryshimi ligjor që përcaktonte kritere të qarta se kur tatimet i njohin kreditë e fshira si shpenzime të zbritshme. Duket se do të duhen ende disa muaj për të parë nëse ndryshimet ligjore do të jenë të efektshme për të mundësuar fshirjen e kredive pa shpresë kthimi.
Pothuajse në të njëjtën kohë, edhe Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime në rregulloret e veta, për të saktësuar përkufizimin e kredive të humbura dhe për të vendosur një afat maksimal prej tre vjetësh përfshirjen e tyre nga bilancet. Megjithatë, ndryshe nga ligji për tatimin mbi të ardhurat, rregulloret e reja do të hyjnë në fuqi vetëm në fillim të vitit të ardhshëm, ndaj prej tyre nuk pritet ndonjë efekt i shpejtë. Pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë e humbura ka qenë një nga kërkesat e BB dhe FMN, për të rigjallëruar kreditimin e ekonomisë.




