Borë, përmbytje dhe dallgë gjigande

spanja verioreBorë, përmbytje dhe dallgë gjigande. Moti ka dalë jashtë kontrolli në shumë pjesë të Evropës. Shumë njerëz kanë humbur jetën. Me spektakularet ishin dallgët gjigande, që mbuluan bregdetin e Spanjës Veriore në Atlantik.

Nga tekat e motit ishin të prekura Spanja, Franca, Italia, Zvicra, Austria, Serbia dhe Sllovenia. Dallgë deri në dhjetë metër të larta shkaktuan dëme të mëdha në veriun e Spanjës. Në Laura në rajonin Asturia dallgët shkatërruan muzeun detar, që ka pasur një nga koleksionet më të rëndësishme në botë të kallamarëve gjigandë. Sipas drejtorit të muzeut dëmi i shkaktuar arrin në më shumë se dy milionë euro.

Në qytetin bregdetar San Sebastián uji arriti lartësinë 1,50 metra në rrugë. Në portin e peshkatarëve Bermeo pranë Bilbaos dallgët prishën edhe pjesë të murit rrethues. Ata përmbytën tri anije dhe disa depo me peshk. Në Zarautz dhe në disa plazhe të tjera valët shkatërruan shëtitoret e plazhit.

 

Valë gjigande përplasen në molon e Bermeos në Spanjë

Edhe në bregdetin francez në oqeanin Atlantik batica dhe stuhia kanë shkaktuar dëme të mëdha. Në vendet bregdetare si Roscoff dhe Douarnenez dallgët sipas të dhënave të autoriteteve kanë hyrë aq thellë në thellësi të tokës, saqë janë shkatërruar fasadat prej xhami të disa ndërtesave. Ndër të tjera është dëmtuar një spital, një hotel dhe një banjo publike.

 

Përmbytje të mëdha në Itali

Në Itali shiu i rrëmbyeshëm, që zgjat prej disa ditësh, ka shkaktuar përmbytje të mëdha. Së paku shtatë vetë humbën jetën, ndër ta një fëmijë shtatëvjeçar. Fëmija së bashku me dy gra, që po udhëtonin në një makinë, u përfshi nga masat e ujit në Noto të Sicilisë.

Në Bergamo në Italinë e Veriut shumë njerëz u desh të evakuoheshin për shkak të rrëshqitjes së tokës. Në Romë të hënën dhe të martën shumë shkolla do të qëndrojnë të mbyllura. “Mendimet e mia të përzemërta janë te popullsia, që është prekur nga reshjet e forta dhe përmbytjet dhe vërshimi i ujërave”, – tha Papa Françesku të dielën në lutjen e Engjëllit në sheshin e Shën Pjetrit.

 

Borë pa fund

Nga ana tjetër në Serbi dhe Slloveni ka pasur reshje të dendura të dëborës, të cilat ia kanë vështirësuar jetën njerëzve. Të shtunën më shumë se 400 vetë në Serbi kanë mbetur me orë të tëra në makina të bllokuar nga bora. Ata u çliruan me ndihmën e tankeve dhe helikopterëve. “Kishim prurje dëbore nga pesë deri gjashtë metër, siç nuk ka ndodhur që prej 50 vjetësh”, – tha zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiç në vizitën, që i bëri forcave të shpëtimit. Ndihmësve iu desh të ndërhynin në komunat e Suboticë dhe Feketiq në veri të qytetit Novi Sad. Policia dhe ushtarët bllokuan disa rrugë transiti. Sipas meteorologëve përgjegjëse për malet e mëdha të dëborës ishte era e stuhishme e koshavës.

Një stuhi e akullt disaditëshe shkëputi rreth 90.000 njerëz në Slloveni nga furnizimi me energji elektrike. Pas ndërprerjes së energjisë elektrike dhe shkatërrimit të gjeneratorëve, situata është katastrofale, tha Kryeministrja Alenka Bratushek në vizitën, që zhvilloi në fshatin veçanërisht të prekur Postojna në jugperëndim të Lubjanës. Qeveria e saj do të kërkojë ndihmë nga fqinjët, Italia dhe Kroacia, sepse vendi i vogël Sllovenia nuk mund t’i kryejë i vetëm riparimet. Edhe nga komisioni i BE në Bruksel do të kërkohet ndihmë.

 

 

Rrezik nga ortekët

Borë pa fund dhe akull në Zvicër dhe në Austri. Atje gjendja nuk është shtensionuar aspak të dielën. Rreziku i ortekëve ka qenë kudo i lartë, disa komuna janë izoluar nga bora. Masat e mëdha të borës rrezikojnë të rrezojnë çatitë e shtëpive.

 

Share it :