“Kryeministri mbrojti mikun e tij dhe urdhëroi strukturat drejtuese të komisariatit nr. 3 që të ndërhyjnë dhe të marrin peng punonjësit e Bashkisë”
Policia e Tiranës ka bllokuar ndërtimin e një nyje semaforike, e cila do të garantojë më shumë siguri rrugore për nxënësit e shkollës “Harry Fultz” në kryeqytet. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dje drejtorja e Transportit dhe Lëvizshmërisë, Nereida Hoxha, e cila tha se Policisë së Shtetit i janë dërguar të gjitha shkresat që janë hartuar nga Bashkia e Tiranës në lidhje me ndërtimin e kësaj nyje semaforike, ndërsa i bëri thirrje policisë të mos pengojë këtë projekt, që u shërben nxënësve dhe qytetarëve. “Bashkia e Tiranës, si enti pronar i rrugës, në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të qarkullimit e sigurisë rrugore në qytetin e Tiranës, ka vendosur të shtojë një tjetër nyje semaforike në këtë qytet. Kjo nyje vjen për disa arsye, por ajo kryesore është rritja e sigurisë rrugore si për nxënësit e shkollës “Harry Fultz”, duke qenë se jemi edhe në prag të fillimit të shkollës, por gjithashtu edhe për udhëtarët që udhëtojnë me autobusët e linjave urbane, pasi stacioni i autobusit është shumë pranë. Nga ana tjetër, kjo nyje shërben edhe për të lehtësuar trafikun, si për banorët e zonës, por ashtu edhe për të gjithë qytetarët që vijnë e shërbehen në institucionet që janë në zonën, në krahun verior të unazës së qytetit. Ky veprim i policisë është i përsëritur, pasi edhe në kuadër të projektit multimodal me të cilin përmirësoheshin disa nyje të qytetit, përsëri policia në zonën e Kombinatit i ka pezulluar punimet, duke thirrur në rajon për sqarime të mëtejshme edhe punonjësit e Bashkisë së Tiranës”, – theksoi ajo. Më tej, Hoxha kërkoi nga policia që të mos pengojë punën e Bashkisë së Tiranës, e cila, sipas saj, ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe lehtësimin e vazhdueshëm të trafikut në qytetin e Tiranës.
Rasti
Në statistikat e aksidenteve automobilistike për kryeqytetin, rruga “Asim Vokshi”, pranë shkollës “Harry Fultz” në kryeqytet, është evidentuar si njollë e zezë, për shkak të numrit të lartë të aksidenteve, ku automjetet kanë përplasur këmbësorë apo nxënës të kësaj shkolle. Për këtë arsye dhe për shkak të ankesave të shumta të mbërritura në dyert e Bashkisë së Tiranës, është vendosur ndërtimi i një nyje semaforike, por policia e Tiranës dhe komisariati nr. 3 kanë penguar dhe bllokuar punimet e kësaj nyje semaforike, si dhe kanë shoqëruar në komisariat pesë punëtorë të Bashkisë. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, e vuri gishtin drejtpërdrejt tek Kryeministrit Rama, si përgjegjës për këtë situatë. Sipas Bozdos, policia ka arrestuar punonjësit e Bashkisë me urdhër të Ramës, pasi vendi ku do të ngrihej nyeja semaforike, e cila do t’u shërbente qytetarëve, prishte interesat e një biznesmeni, që është mik i ngushtë i Ramës. “Një akt shumë i rëndë ka ndodhur sot: pesë punonjës të Bashkisë së Tiranës janë rrëmbyer sot nga policia e Tiranës dhe mbahen ende në mënyrë të jashtëligjshme dhe kundër çdo norme të shtetit ligjor, në qelitë e komisariatit nr. 3. Punëtorët e Drejtorisë së Përgjithshme nr. 2 të punëtorëve të qytetit ishin përgatitur për të filluar punën për ndërtimin e një nyje të re semaforike në një zonë të Tiranës, si kërkesë e vetë banorëve të zonës. Pikërisht për të mos lejuar këtë investim, sepse binte ndesh me interesat personale të një individi, biznesmen i kësaj zone, policia ka rrëmbyer pa asnjë tagër ligjor dhe në thyerje flagrante të të drejtave të njeriut, punonjësit e Bashkisë së Tiranës”, – tha Bozdo. Sipas tij, “individi në fjalë, për të cilin do të bëjmë shumë shpejt të ditur një dosje të plotë me aktivitetin e tij, sipas të dhënave që vijnë në mënyrë konfidenciale nga vetë policia e Tiranës i ka telefonuar Kryeministrit dhe ky i fundit, për të mos i prishur qejfin mikut të tij, ka urdhëruar personalisht strukturat drejtuese të komisariatit nr. 3 që të ndërhyjnë dhe të marrin peng punonjësit e Bashkisë”. Më tej Bozdo i bëri thirrje policisë, kryeprokurorit, por edhe përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë, të reagojnë me forcë ndaj këtij akti, që, siç tha ai, është i denjë për një regjim totalitar. “I kujtojmë drejtorit të policisë Tiranë, drejtuesve të komisariatit nr. 3 se rrëmbimi i personit përbën një vepër të rëndë penale dhe se kushdo që është i përfshirë në këtë çështje do të paditet penalisht. I bëjmë thirrje prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, të ndërhyjë sa më parë me forcën e ligjit dhe të vërë përpara përgjegjësisë së plotë ata që janë fajtorë, të urdhëruar dhe urdhërues të kësaj ngjarje shumë të rëndë”, – theksoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.
Reagimi i Policisë së Tiranës
“Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik, se ka nisur verifikimet dhe hetimet mbi pesë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë filluar punimet në ndërtimin dhe zhvendosjen e një semafori në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë duke prerë pemët, dëmtuar trotuarin dhe ndërhyrje të tjera në këtë rrugë. Policia e Tiranës ka bllokuar punimet dhe shoqëruar pesë punonjësit e Bashkisë Tiranë për të vijuar me verifikimin e dokumentacionit dhe lejes përkatëse për kryerjen e këtyre punimeve. Me qëllim sqarimin e mëtejshëm të rrethanave dhe dokumentacionit për kryerjen e këtyre punimeve, me shkresë urgjente me Nr.Prot 5177, i është kërkuar Bashkisë së Tiranes informacion mbi punimet e infrastrukturës në rrugën “Asim Vokshi” Tiranë, ku aktualisht ende nuk disponojmë një leje për zhvillimin e ndryshimeve të infrastrukturës në këtë segment rrugor. Për të realizuar këto punime, duhet paraprakisht një leje zhvillimi e infrastrukturës, mbi projektin e transportit multimodal, leje e cila miratohet nga Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe Kryetari i Bashkisë”.
Berati, tri ditë shumëkulturor
Prej datës 21 deri më 23 gusht, qyteti i Beratit hap portat në organizimin e ditëve shumëkulturore. Turistët do të kenë mundësinë të ndjekin një larmi veprimtarish kulturore nga mëngjesi deri në mbrëmje. Për tri ditë, në Muzeun e Beratit, do të projektohen ekspozita, projeksione me videoart, koncerte të xhazit etj., duke përfshirë edhe pjesën artistike dhe kulturore të qytetit-muze.
Artistët janë: Elina Duni me bandën e saj “Muza e zezë”, në koncertin që do të organizohet në Lagjen Kala; projeksion me videoart në lagjen Goricë nga Atelieri i Multimedias nën drejtimin e prof. Vladimir Myrtezai Grosha, i cili u bashkëngjitet të tri ditëve, si dhe një koncert me këngëtarin Dren Abazi dhe Zig-Zag Orkestra. Në një nga ditët do të mbahet edhe konferenca për trashëgiminë kulturore “Trashëgimia si kujtesë, identitet dhe si një realitet në lëvizje”, me ekspertë të fushës në muzeun “Onufri”.




