Bilanci i 6 muajve/ Çfarë humbi Rama për të mbrojtur Belinda Ballukun

Ndërsa Belinda Balluku ka hyrë në muajin e gjashtë të statusit të saj si e pandehur nga SPAK, Edi Rama përpiqet ta ruajë sa është e mundur pozicionin e saj në radhët e socialstëve si një figurë qendrore që ka ende mbështetjen e tij të pakursyer.

Në fundjavë ishin bashkë në takim me socialistët e Fierit dhe të Lushnjes dhe Rama e ka ulur pranë vetes Ballukun, në një përpjekje për ta normalizuar pushtetin e saj, megjithëse ajo është marrë e pandehur, megjithëse SPAK kërkoi ta arrestojë, gjykata i ka bllokuar pasaportën për të mos e lënë të dalë jashtë vendit dhe në media kanë dalë mesazhe kompromentuese për mënyrën se ku ka degraduar sistemi i prokurorimeve me qeverinë e tij.

Teatri në takimet e Ramës është i pashmangshëm: një kryeministër që flet për luftë kundër korrupsionit dhe integrim europian, ndërkohë që në praktikë ka ndërmarrë një seri veprimesh bllokuese për të mbrojtur një prej figurave më të rëndësishme të kabinetit të tij.

Dhe duke e mbrotjur atë nga arrestimi, Rama është detyruar të sakrifikojë disa nga narrativat themelore mbi të cilat ka ndërtuar pushtetin e tij për më shumë se një dekadë.

Rënia e maskës së gardianit të reformës në drejtësi

Për më shumë se 10 vite, Edi Rama e pozicionoi Partinë Socialiste si promotoren më të zellshme të reformës në drejtësi, një reformë që ai, në bashkëpunim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, e shiti si projekt historik për shtetin shqiptar.

Madje, në fillimet e punës për reformën, Rama deklaronte se ishte gati t’i votonte ligjet “pa i lexuar fare propozimet e ekspertëve ‘të pavarur’”, një mënyrë për të treguar angazhim të plotë politik ndaj reformës. Edhe kur drejtësia nisi të godiste brenda radhëve të Partisë Socialiste, me arrestime kryebashkiakësh, deputetësh apo ministrash, Rama shprehej se e dinte shumë mirë çfarë kishte bërë dhe i inkurajonte prokurorët “t’i nxirrnin ujët e zi” korrupsionit.

Në kulmin e këtij diskursi, duke parë se liderët e opozitës po arrestoheshin, Rama nuk i përfilli disa “ushtarë socialistë” që ranë në rrjetën e SPAK dhe shprehej kategorik: “S’ka shans që ne ta cënojmë këtë reformë, është për 100 vitet e ardhshme”, duke e cilësuar atë si “kontributi më i madh i PS i këtij shekulli për Shqipërinë”.

Madje në fushatën për zgjedhjet e 11 Majit 2025, Rama mburrej në mitingje se Partia Socialiste ishte “macja më e mirë për të kapur minj”, sepse arrinte të kapte edhe “minjtë e saj”. Deri në asamblenë socialiste të shtatorit 2025, ky qëndrim ishte i padiskutueshëm në Partinë Socialiste.

Deri kur prokurorët e SPAK prekën një nga pikat më të ndjeshme të qeverisë, korrupsionin me tenderat e rrugëve dhe konkretisht Belinda Ballukun. Nga ai moment Rama nisi një fushatë sulmesh ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që pezulluan nga detyra Belinda Ballukun. Ai e quajti vendimin e tyre, një “precedent unik dhe të rrezikshëm” ai e cilësoi pezullimin “absurd në vetvete”, me pretendimin se po minonin në mënyrë efektive ndarjen e pushteteve në vend. Rama akuzoi gjykatësit se kishin bllokuar punët e qeverisë me vendimin e tyre duke paralajmëruar ndryshimin e Kodit Penal për të mbrojtur ministrat nga pezullimi.

Më 12 mars, pas një fushate të hapur sulmesh ndaj sistemit të drejtësisë, Rama i tha JO arrestimit të Belinda Ballukut, pavarësisht se SPAK pretendonte se ajo kishte kërcënuar dëshmitarët e çështjes.

Me votimin me 82 vota të socialistëve në parlament, u rrëzua përfundimisht gjithë narrativa e ndërtuar për një dekadë; për një drejtësi të pavarur që nuk prekej nga politika.

2) Krisja e aleancës me Brukselin dhe kostoja në procesin e integrimit

Vendimi për të mbojtur Ballukun nga arrestimi në 12 Mars ka sjellë pasoja në një moment kritik për procesin e integrimit europian.

Në kohën kur Shqipëria priste avancimin në testin IBAR në fillim të prillit, reagimet nga kancelaritë perëndimore ishin plot dyshime. Sipas raportimit të Lapsi.al, 9 vende kërkuan më shumë informacion dhe diskutime, pasi nuk ishin plotësisht të bindura për zbatimin e ligjeve dhe reformave që Shqipëria kishte hartuar tashmë në letër.

Sot, Rama flet për spekulime mediatike. Ai shprehet me ironi se “u mbush e gjithë hapësira e tenxhereve me një vorbull të madhe “u bllokuan negociatat”, “u penguan”, “u ndaluan” “mbaroi kjo punë”, “e humbëm trenin për në Europë ” e humbëm shansin, e dogjëm”. Një gënjeshtër me 7 bishta, as është penguar, as është bllokuar as është ndaluar asgjë. E vërteta është se në po ecim sipas planit. Kemi një plan të dakortësuar me Komisionin Europian”.

Megjithatë askush nuk mund të thotë se kur do të avancojë Shqipëria me testin IBAR, që është një vlerësim për funksionimin real të reformave, për drejtësinë e pavarur, për pushtetin gjyqësor, për të drejtat e njeriut, për shtetin e së drejtës etj etj.

Nëse kthehemi pas në 12 Mars, pak pas votimit në parlament kur u rrëzua kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, disa ambasada të vendeve të Bashkimit Europian reaguan ashpër për pengimin që iu bë hetimit të SPAK.

Ambasada gjermane deklaroi se kishte pritur që ndjekja penale ndaj Ballukut të kryhej “shpejt dhe pa pengesa”, duke nënvizuar se “Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë”.

Në të njëjtën linjë, ambasada e Holandës theksoi se “një kërkesë kyçe për progres në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta”, duke shtuar: “Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa”.

Si Gjermania, ashtu edhe Holanda ishin në mesin e vendeve skeptike në diskutimet e fundit për plotësimin e kushteve nga Shqipëria për integrimin.

Rama, që sot mohon përplasjet me disa nga vendet e BE, atëherë iu përgjigj flakë për flakë ndërhyrjeve nga jashtë. Ai deklaroi se “Dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike” dhe se SPAK nuk kishte “karta bianka” për të arrestuar politikanët dhe se parlamenti shqiptar bëri atë “që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”.

Kjo ishte hera e parë në një dekadë që Rama hynte në një përplasje të drejtpërdrejtë me ambasadat perëndimore për reformën në drejtësi, pikërisht në momentin kur procesi i integrimit kërkonte prova konkrete funksionimi.

3) Cënimi i funksioneve si kryeministër

Vendimi për t’i dalë në mbrojtje Belinda Ballukut krijoi edhe një efekt të drejtpërdrejtë institucional mbi vetë Edi Ramën. Këtu është e rëndësishme të ndjekim datat e zhvillimeve në procesin penal.

Belinda Balluku u mor e pandehur më 31 tetor. Për 20 ditë, Rama refuzoi ta shkarkojë, duke e bërë të qartë se ishte i gatshëm të mbante në detyrë një zv.kryeministre të pandehur. Por këto ditë, kur ai refuzoi të respektojë një standart politik europian, do t’i kushtonin më shtrenjtë.

Më 20 nëntor, GJKKO mori një vendim plot pikëpyetje, kur vendosi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe sekuestrimin e pasaportës së saj. Ky vendim që ndërhynte haptas në kompetencat e kryeministrit krijoi një precedent për vetë strukturën e pushtetit ekzekutiv.

Në të njëjtën mënyrë, një vendim i ngjashëm mund të prekë sot edhe vetë kryeministrin. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese nuk e ndryshoi situatën, pasi më 6 shkurt vendimi u la në fuqi.

Praktikisht, sot mjafton që një prokuror i SPAK dhe një gjyqtar i GJKKO të veprojnë bashkë për të pezulluar edhe kryeministrin në detyrë. Një situatë jonormale në leximin politik të funksionimit të pushtetit, të cilën ende sot Edi Rama nuk e ka zhbërë dot. Ai përgatiti ndryshimet e një neni në Kodin Penal, por nuk e çoi për miratim në parlament.

E gjitha kjo nuk do të kishte ndodhur nëse Rama do ta kishte shkarkuar menjëherë Ballukun apo nëse do ta shmangte atë paraprakisht nga qeveria, siç ka bërë në raste të tjera. Por zgjedhja për ta mbrojtur deri në fund prodhoi një efekt zinxhir që sot e dobëson politikisht dhe juridikisht.

Nëse bëjmë një bilanc del se për të mbrojtur Belinda Ballukun, Edi Rama sakrifikoi tri shtylla të rëndësishme të pushtetit të tij, narrativën e reformës në drejtësi, marrëdhëniet me partnerët e Bashkimit Europian dhe vetë stabilitetin e tij institucional. Mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë t’i riparojë këto shembje që ka pësuar. Përndryshe mund të duket sikur sot është fitimtar me Belinda Ballukun në krah, por në thelb del gjithnjë e më i rrënuar./ Lapsi.al/

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :