Ndeshjet e javës së 33-të kanë mbaruar dje, duke përcaktuar skuadrat që do të bien dhe dha konfirmimin zyrtar të Skënderbeut si kampion
Bojkot dhe festë. Nga këto dy ekstreme u karakterizua dita e djeshme e javës së 33-të kampionatit shqiptar. Java e fundit për këtë sezon i cili ka pasur shumë ngjarje dhe që ka dhuruar shumë emocion. Ngjarja më e shëmtuar ishte skena e dhunës në Ballsh. Ndërsa sezoni ka pasur edhe rivalitet. Një Tiranë e cila rrezikonte zbritjen ne Ligën e parë e deri te ndeshjet derbi të rikthyer kundër Partizanit. Ndërsa interesante ishte edhe dominimi i Skënderbeut që humbi toruan drejt fundit por që arriti të menaxhonte shumë mirë momentin dhe u shpall kampion për të katërtin vit radhazi. Ndërsa Besa bie me bojkot, klubi kavajas nuk u paraqit në fushë për takimin e fundit të kampionatit për ndeshjen me Tiranën në “Qemal Stafa”. Pavarësisht se matematika i lejonte të shpresonte ende mbijetesën kavajasit nuk dolën në fushë. Në këtë mënyrë verdhezinjtë iu bashkuan Bylisit, Kastriotit e Lushnjës që kishin prerë me kohë biletën për në Kategorinë e Parë. Në këtë mënyrë klubi kavajas iu kurseu ankthin Vllaznisë por dhe Flamurtarit që rrezikoheshin të kaloheshin nga verdhezinjtë. Ishte një atmosferë feste ajo në “Qemal Stafa” ku pritej skuadra e Mërgjyshit. Ndërsa klubi kishte shpërndarë vetëm pak orë më parë një komunikatë ku bënte publik vendimin për bojkotimin e sfidës në shenjë proteste për persekutimin nga arbirtrat me gjykimet e njëanshme. Me tifozët bardheblu në shkallët e stadiumit, e Tiranën që vijonte nxehjen e stërgjatur, kishte festë në kampin bardheblu ku festohej një mbijetesë për të cilën është thënë shpesh se vlen sa dy tituj për Tiranën. Gjithsesi pas respektimit të procedurës me pritjen prej 45 minutash skuadra e bardheblu dhe gjyqtarët zbritën në fushë, për të formalizuar gjithçka me topin e parë të nisur nga Elvis Sina në ditën e lamtumirës. Menjëherë më pas gjyqtari kryesor i takimit shënoi sinjalizimin e mbylljes së ndeshjes më të shkurtër ndoshta në historinë e futbollist shqiptar, e cila përfundon me fitoren 3-0 në tavolinë të Tiranës. Ndërsa Besa rrezikon që penalizmin për bojkotin e ndeshjes ta marrë me vete edhe në Kategorinë e Parë. Ndërsa lart do të ngjiten dy ekipe që i kanë munguar kampionatit tonë. Bëhet fjalë për Elbasanin, që i mungonte Superiores prej tri edicionesh, dhe Apoloninë, që luajti në të Parën vetëm edicionin që u mbyll këtë të shtunë. Skuadra fierake, që ngjitje-zbritjet nga “salloni” i më të mirëve të futbollit tonë i ka pasur të shpeshta, ka provuar të fitojë Kupën e Shqipërisë në sezonin 1997-1998, ndërsa Elbasani mban 2 tituj kampioni por edhe dy Kupa të Shqipërisë. Kështu të dyja ekipet duket se do të sjellin më shumë rivalitet midis skuadrave të Supeligës. Ndërsa Besa, Bylis dhe Kastrioti me Lushnjën do të duhet që të dyluftojnë fort për sezonin tjetër në kategorinë e parë në mënyrë që të ngjiten në superiore. Risia e kampionatit për sezonin tjetër është se Superliga do të përbëhet nga 10 skuadra të cilat do të zhvillojnë katër faza. Ndërsa në kategorinë e parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra respektive.
Martino: Nëse fitojmë titullin, do të thotë se e meritojmë
Tekniku katalanas Martino nuk e shqetësojnë aspak lëvizjet e Barcelonës në javët e fundit për të gjetur pasuesin e tij. Trajneri aktual i katalanasve siguroi se nuk ndihet i mërzitur nga fakti që drejtori sportiv, Andoni Zubizareta është takuar me Luis Enriken. “Klubi nuk ka kryer asnjë veprim të gabuar, të paktën për pozicionin tim. Nuk është e thënë se duhet të jem i qetë për vendin e punës edhe nëse e fitoj La Ligën. Ndihem krenar për faktin që jam trajner i Barcelonës dhe kjo nuk është pak”. Martino e ka të qartë se e ardhmja e tij është larg Barcelonës, por para se të thotë lamtumirë, dëshiron të fitojë titullin, që për të do të jetë i merituar. “E kemi fatin në dorën tonë. Realisht nuk më surprizon ajo që po ndodh në La Liga. Nëse e fitojmë titullin, do të thotë se e meritojmë. Dhe sigurisht që do të festojmë. Mes Barcelonës si ekipi më i mirë në botë dhe asaj që ka zhvilluar një sezon të keq ka pak diferencë”. Në fund një koment i argjentinasit për Elçen, e cila kërkon pikë në shtëpinë e saj për të siguruar mbijetesën. “Elçe është shumë e fortë sidomos në shtëpinë e saj. Kundërshtari ynë kërkon pikë për të mos rrezikuar rënien nga kategoria, ndërsa neve na jepet mundësia për ta fituar titullin”.
Tohir: Maxarri qëndron, Në Londër jo për Torresin
Pas një shkëputjeje nga të gjitha angazhimet e tjera, presidenti i të zikaltërve Tohir foli nga Italia për Interin e të tashmes dhe idetë e të ardhmes. Maxarri ka mbështetjen maksimale nga manjati indonezian, edhe pse nuk kanë munguar kritikat për teknikun pas disfatës në derbi. “Maxarri do të qëndrojë. Ka një kontratë dhe dëshira jonë është ta respektojmë. Kritikat pas derbit i kuptoj, por është e rëndësishme që sezonin tjetër ta nisim me stabilitet për të mirë të skuadrës”, – u shpreh indoneziani. Pas 19 vjetësh me Interin në një karrierë brilante, një kapitull i ri do të hapet për Zanetin si pjesë e stafit drejtues të Interit, për të cilin ka dhënë gjithçka në çdo moment, brenda e jashtë fushe. “E pres me padurim bashkëpunimin me Zanetin në nivel drejtues. Vendimet përfundimtare do të merren sapo të mbyllet sezoni”, – vijoi Tohir. Javën e ardhshme, manjati do të udhëtojë drejt Londrës. Kur u pyet nëse do të ketë një takim me përfaqësues të Çelsi për transferimin aq shumë të përfolur të Fernando Torres në Milano, presidenti tha se do të jetë në kryeqytetin anglez për të tjera takime.
Gigs: Runi dhe Adnani shkëlqejnë në Botëror
Trajner aktual i Junajtidit Rajan Gigs, beson se Adnan Januzaj dhe Uejn Runi do të shkëlqejnë në Kampionatin e sivjetmë Botëror. Sulmuesi anglez ka probleme me lëndim në javët e fundit, mirëpo uellsiani është i bindur se ai do të rikuperohet me kohë për të udhëtuar në Brazil. Ndërkohë, shqiptari 19-vjeçar zgjodhi të luajë për Belgjikën dhe pritet që përzgjedhësi i asaj përfaqësueseje ta marrë në turneun e madh. “Adnani është futbollisti që mund t’i japë dritë Kampionatit Botëror, qoftë si startues ose edhe nëse e nis nga pankina. Ai e qarkullon topin me lehtësi. Është nga ata lojtarë që të gjithë duan t’i shohin duke luajtur”, – ka deklaruar Gigs. “Uejn është në kulmin e fuqisë së tij. Runi është një top lojtar. Ai është në një moshë të mirë. E di për faktin se mezi e pret turneun. Ai ka pasur një sezon fantastik dhe është i gatshëm që të lë nam”, – ka shtuar i trajneri i Junajtidit.
Simeone: Nuk kemi presion për La Ligan
Diego Simeone thotë se ekipi i tij nuk ka aspak presion që ta fitojë titullin e kampionit në La Liga. Argjentinasi e di se një fitore ndaj Malagës dhe një barazim ndaj Barcelonës do të mund të shpallet kampion, por thotë se nuk ndjen presion. “Nuk ka presion, ne kemi vetëm përgjegjësi. Ky është moment i mrekullueshëm. Është rezultat i punës që kemi bërë. Ne do të jetojmë momentin ashtu si duhet dhe do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë që t’i bëjmë gjërat mirë. Mënyra e lojës tonë është bazuar në aspektin kolektiv për një kohë të gjatë. Ne duhet të vazhdojmë, ne duhet që të përgatitemi sa më mirë për këtë periudhë. E ardhmja jonë varet nga ne”, – ka deklaruar tekniku argjentinas.




