Lideri demokrat Sali Berisha duke folur per aktin heroik te qytetareve te Kavajes 34 vite me pare, tha se ata u ngritën si viganë, u përballën me forcat më të egra të regjimit dhe e mposhtën, e nënshtruan.
”Pra, duke shprehur ne sot nderimin më të madh për heronjtë, trimat, guximtarët e 26 marsit, ftoj shqiptarët të frymëzohen prej tyre, prej guximit të tyre, vendosmërisë së tyre dhe të përmbushin detyrimin madhor si qytetarë, si demokratë, si opozitarë, çlirimin e Shqipërisë nga kjo diktaturë.
Mos harroni se me 26 mars të vitit 1990, regjimi bënte natën dhe ditën, nuk kishte opozitë.
Izolimi vazhdonte i plotë.
Por luftëtarët e lirisë nuk i zmbrapsi asgjë atë ditë.
Dolën në shesh.
Vepra e tyre është ftesë për ne: të dalim në shesh, të dalim si ata, të dalim në stadiume, të dalim në rrugë, të dalim kudo, të përballemi me diktaturën.
Rruga e vetme e shpëtimit është rruga e mosbindjes civile.
Rruga e largimit nga pushteti të kësaj qeverie, të këtij njeriu që ka sot të gjitha pushtetet në duart e tij.
Në vitin 1990, djemtë e Kavajës nuk kishin përveç njëri-tjetrit asnjë mbështetje mbi tokë.
Por kjo nuk i pengoi ata të përballen dhëmb për dhëmb në mosbindje civile me të keqen e kombit, me të keqen e shoqërisë dhe të fitojnë mbi të.
Duke shprehur nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme, për heronjtë e betejës epike të stadiumit dhe qytetit të Kavajës 34 vite më parë, ftoj shqiptarët të frymëzohen nga akti i tyre epik dhe të fitojmë.
Të largojmë dhe ne këtë të keqe të madhe që ka pushtuar Shqipërinë.”




