Përshëndes me gjithë zemër vendimin e BE për statusin që është sa e përgjithshme dhe personal, një pasaportë e re besimi për qytetarët shqiptarë dhe Shqipërinë.
Kjo pasaportë e bën Shqipërinë të besueshme në të gjithë hapësirën botërore, e paraqet një vend me serioz, më të sigurt më të përgjegjshme se më parë. Pra shton shumë shanset e investimeve. Nivel i ri nga i cili nis stadi përfundimtar për integrimin e Shqipërisë në BE”. Kështu është shprehur ish kryeministri Sali Berisha në një konference me gazetarët një ditë pasi Ministrat e Jashtëm të BE i dhanë statusin Shqipërisë.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Berisha përshëndeti vendimin dhe vlerësoi punën e bërë për të arritur në këtë ditë. Berisha nuk nguroi të akuzojë Ramën se është i vetmi person në Europë që ka bllokuar statusin e vendit kandidat.
Sipas tij, statusi “Është larg së qëni një pilulë antidepresive qoftë edhe për ata që vuajnë nga depresioni, kjo është arritje e madhe”, u shpreh Berisha duke ironizuar një deklaratë të Ramës, sipas të cilit statusi i ngjante një pilule antidepresive.
Berisha tha më tej se me dhënien e statusit ra dhe teza e Ramës se atë e bllokojnë forcat e djathta në Europë.
“Teza se Shqipërisë iu vonua statusi për shkak të forcave të djathta ra. Nëse do ishin ato që diktuan refuzimin e tij në dhjetor këtë qershor janë më të forta numerikisht, pra nuk do mund të ishte marrë ai vendim. Ato janë një realitet i pamohueshëm por në asnjërin nga vendet ku kanë dalë forcë e parë nuk kërcënojnë BE dhe bashkimin me vendet e tjera, sepse vendimmarrjen nuk e kanë forcat e djathta, ato ndikojnë në politikat e brendshme. Kjo tezë ishte gjethe fiku e Ramës që deshte ti vendoste vetes së tij, sepse në listën e politikanëve europianë, edhe atyre që kanë shkuar për ekstremizëm para gjykatave, nuk gjen një të vetëm që të kenë bllokuar statusin e vendit të tyre, përveç Edi Ramës. Vetëm 1 javë më parë në rrjetin francez Franc 24 gazetarja i tha hapur në sy, ti ke bllokuar statusin. Ai siç e ka zakon e mohoi”, tha Berisha.
Akuzat e Berishës, shkuan më tej kur tha se problem për integrimin e vendit nuk janë vetëm gjyqtarët e lidhur me krimin por edhe politikanët shqiptarë. Ish-kryeministri bëri një panoramë të gjërë të lidhjeve me krimin, ndërsa Ramën e cilësoi si kryebalozin e lidhur me disa prej bandave më të rrezikshme në vend.
“Rama shfrytëzoi statusin për revansh primitiv ndaj drejtësisë. I paraqiti drejtësisë si bajlozin e zi, si demonin që iu ka zënë rrugën shqiptarëve drejt integrimit, bëri fjalë për gjykatës që bashkëpunonin me trafikantet dhe vrasësit, kjo është e vërtetë, ai nuk shpiku. Ata janë dhe duhen ndëshkuar, por dua t’ju them se kryebajlozi në rrugën e integrimit janë politikanët e inkriminuar dhe krimi në majat më të larta të politikës. Janë lidhjet polivalente të Edi Ramës me krimin, janë sjellja e krimit në dyert e shtetit, në kuadër të aleancës së qelbësirave, qeveritarët aktualë lidhe me krimin. Parlamenti shqiptar ka vrasës, persona që kanë bërë vite burg për trafik e prostitucion, kreu i ekzekutivit është i lidhur si mishi me thoin me bandën e rrugës së Kavajës, shefin e së cilës e bëri drejtor. Edi Rama del si ‘darling’ i Bandës së Lushnjes në dosjen në Firence, ka lidhje direkte me Hakmarrjen për Drejtësi. Rama lidhje edhe me bandën e Dritan Dajtit, cili shqiptar nuk e di? Drejtori i antikorrupsionit, që mediat thonë se i jep dozat e kokainës u gjet me targat e një trafikanti, kishte marrë targat e makinës së një trafikanti, targat diplomatike. Një deputet i parlamentit është i paditur për përdhunim nga një e sëmurë me AIDS,ka marrë për avokat një trafikant droge që në Librazhd e quajnë Taulant Gjura, mandatori i tij për drejtësinë është Fatmir Xhafaj, klani Xhafaj është klani më i fortë i drogës”, akuzoi Berisha.




