Berisha: Pa ndëshkimin e Ramës dhe Ballukut nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë hap drejt BE
Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë një konference shtypi deklaroi se, pa ndëshkimin e Ramës dhe Ballukut nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë hap drejt BE-së.
Berisha: Shqipëria, ëndrra evropiane e saj, procesi më thelbësor për të ardhmen e vendit, vazhdon të mbahen peng nga Edi Rama dhe Lubi Balluku.
Përpjekjet për ta arkivuar dosjen Balluku, de facto dosjen Rama, janë përpjekjet më kriminale, përpjekje të cilat shkelmojnë interesat personale, shoqërore dhe kombëtare të çdo shqiptari.
Edhe njëherë, është goditja më e rëndë që i bëhet interesave të shqiptarëve në dy aspekte.
Së pari, lufta kundër korrupsionit merr fund. Pa dënimin, pa heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit.
Pa thirrjen e Edi Ramës për të gjithë ato që mban dosja Balluku, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit.
Pa ndëshkimin e korrupsionit dhe përgjegjësinë e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë hap drejt BE.
Edhe njëherë, raporti IBAR është shtyrë tre herë gjatë muajit mars.
Po bëhet gjithnjë më i madh numri i vendeve që kundërshtojnë në mënyrë të prerë të votojnë IBAR-in.
IBAR-i është raporti i vlerësimit të standardeve dhe luftës kundër korrupsionit.
Votimi i këtij raporti është kusht që kapitujt e tjerë të mund të mbyllen dhe ky votim është i ndërmjetëm, nuk është përfundimtar për dy kapitujt, 23 dhe 24, kapitujt për shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut.



