Berisha: Me protestat tona i faktuam botës se shqiptarët nuk janë komb që e kanë kulturë korrupsionin
Kevin Veliu: Zoti Berisha, protestat e opozitës kanë qenë të vazhdueshme, por pa arritur ndryshim konkret. Çfarë po mungon që këto protestra të prodhojnë rezultat real politik?
Sali Berisha: Protestat kanë qenë të shpeshta, jam dakord me ju.
Lidhur me rezultatin, besoj se duhet të analizojmë me gjakftohtësi dhe objektivitet.
Mendoni pak ku ishim në dhjetor dhe ku jemi sot.
Në rrafshin ndërkombëtar, protestat tona mbrojtën dinjitetin e kombit shqiptar.
Ju e keni dëgjuar se si zyrtarë të paguar, lobistë antishqiptarë në mbrojtje të Edi Ramës, kanë guxuar dhe janë shprehur se korrupsioni është pjesë e kulturës së shqiptarëve, pra vjedhja është pjesë e kulturës së shqiptarëve.
Dhe këto deklarata ata i kanë bërë vetëm për të mbrojtur Edi Ramën.
Por, me protestat tona, ne i faktuam botës se shqiptarët nuk janë komb që kanë kulturë korrupsionin.
Shqiptarët nuk pranojnë korrupsionin.
Dhe u them një gjë, se ato protestat kanë pasur jehonën më të madhe.
Ato protesta kanë vendosur në epiqendër të opinionit publik botëror si figurat më të zeza pas ajatollahëve të Iranit, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun.
Në rast se ne nuk do protestonim, unë mund t’u them se do ishte një gjëmë e madhe e për shqiptarët sepse vërtet do besohej shpifja që Edi Rama dhe propaganda e tij mashtruese bën se ne jemi komb që e kemi kulturë vjedhjen dhe korrupsionin.
Kjo e para.
E dyta, ngritja e zërit tonë bëri që prozhektorët të vendosen mbi Shqipërinë dhe të shihet realiteti shqiptar jo ashtu siç ua paraqisnin lobistët e korruptuar nga Edi Rarma, por të shihet siç është në të vërtetë.
Ju jeni dëshmitarë se çfarë përpjekjesh ndërkombëtare u bënë për zbatimin e shtetit ligjor, pra për heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut, për t’u trajtuar njëlloj para ligjit dhe zëri i opozitës ka pasur peshën e vet.
Pra jo se unë dua të mbroj, por duhet të jemi të vërtetë, nuk mund të themi se protestat tona nuk kanë pasur efekt.
Nuk kanë pasur efektin maksimal që ne do donim, përmbysjen, por ato kanë pasur një efekt shumë të madh, damkosjen e regjimit të korruptuar.
Ne jemi të përcaktuar për rrugë paqësore, si rruga për ne më e sigurt, si rruga e vetme për largimin e Edi Ramës dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.
Ne si PD nuk pranojmë kurrë të vijmë në pushtet me dhunë.
Është ligj kjo.
Ne jemi themeluar mbi vlerat e lirisë, votën e lirë, të drejtat e njeriut.
Ndaj dhe ne do të vazhdojmë protestat paqësore gjer në largimin e Edi Ramës.
Është e mundimshme, kërkon durim, kërkon persistim, por ne i kemi të gjitha këto.



