Gëzim Saliu
Trafiku i drogës/rasti i Divjakës, Ish-kryeministri: Rama nuk dorëhiqet, ai duhet të hiqet. Demokracia i ka të gjitha mjetet
Protesta, Berisha: U kërkoj forcave të rendit të mos i provokojnë, por t’i respektojë demonstruesit
Trafiku i drogës është kthyer në një dukuri që ka marrë masa alarmante në vend për shkak se qeveria qëndron në krye të këtyre operacioneve. Kështu deklaroi dje ish-kryeministri i vendit Sali Berisha në një bashkëbisedim me gazetarët lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë për avionin e drogës në Divjakë. Duke marrë shkas nga akuzat prej disa kohësh të opozitës për këtë çështje, Berisha akuzoi kreun e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Jeronim Baze, dhe gjeneralin Leshi se kanë gënjyer kur kanë thënë se hapësira jonë ajrore ruhet nga NATO. “Në fakt, ne po akuzonim qeverinë e drogës, por tani ne akuzojmë absolutisht Shtabin e Ushtrisë, gjeneral Lleshin, shef shtabi de fakto i Ushtrisë dhe gjeneral Bazen, të cilët në vend të shqyrtimit u vërsulën me komunikata kundër opozitës, përdorën NATO-n për të mashtruar shqiptarët se si të mbronin trafiqet në Gjadër. Gjeneral Lleshi, zëdhënësi i Edi Ramës për Ushtrinë dhe gjeneral Baze, vartësi i bindur i Lleshit, shkuan deri aty sa të mashtronin shqiptarët se NATO na ka garantuar se nuk ka aeroplanë renegatë. Ky është një mashtrim shumë i madh. Aleanca e Atlantiku të Veriut garanton qiellin shqiptar në lartësinë mbi 3 mijë metra dhe vetëm në këtë lartësi. Në lartësinë nën 3 mijë metra për avionët renegatë, dhe ju lutem shumë bëni një check up dhe shikoni se çfarë quhen avionë renegatë, vendi është i detyruar të mbrohet vetë. Aleanca të ndihmon nëse ti i kërkon ndihmë asaj, por shpenzimet, personelin, duhet ti kesh të tutë. Kjo është historia. Nuk ka Aleancë, nuk ka vend, që të të japë ty garanci për avionët e fluturimeve të ulëta”, – deklaroi Berisha.
ANTA
Sipas ish-kreut të qeverisë shqiptare, Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror, luajti një rol kryesore në zhdukjen e të dhënave lidhur me fluturimin e avionit të bllokuar në Divjakë. “E dini ju që rënia me shkatërrim të rrotave në Divjakë është shoqëruar me zjarrin në Drejtorinë Juridike të ANTA-s? E keni dëgjuar ju këtë? Si na u dogj pikërisht zyra dhe dosjet ku ndodheshin dokumentet dhe dosjet e këtyre problemeve? Duheshin djegur dosje dhe dokumente dhe cili është shkaku? USB-ja. A mund të imagjinoni ju se USB-ja të japë zjarr! Përveçse në ANTA, përveçse në Albkontroll kjo nuk mund të ndodhë kund në botë. Po aty duhet të zhdukeshin dosjet e krimit”, – tha Berisha. Më tej, ai theksoi se piloti italian kalonte në aeroport me ndihmën e bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Rama. “Ky rilindësi i Ramës, Riformatto, kalonte nga dera e personelit pa asnjë check up. Kush e kalonte? E kalonte bashkëshorti i ish-shefes së kabinetit të Edi Ramës, Johana Bushi, zyrtare shumë e lartë në Albkontroll. Pra me urdhër të saj kalon cilindo në aeroport, e shoqja urdhëron burrin e saj për të kryer veprimet sipas udhëzimeve të shefes së saj dhe me radhë”.
Protesta
Duke u ndalur tek protesta e opozitës, Berisha tha se Kryeministri Rama nuk e njeh dorëheqjen dhe në këto kushte, sipas tij, ai duhet hequr me të gjitha mjetet që ka demokracia. “Për sa i takon dorëheqjes së Edi Ramës unë dua t’i informoj shqiptarët se Edi Rama kurrë nuk dorëhiqet. Harrojeni se do të dorëhiqet. Psikika e tij është e tillë që atë nuk e lejon të dorëhiqet, por duhet dorëhequr, duhet hequr. Demokracia ka të gjitha mjetet e veta, duhet shpëtuar vendi prej tij”. Ndërkaq, Berisha pohoi se motivet e protestës së ditës së nesërme përpara Parlamentit janë të shumta: “Por prapë u bëj thirrje shqiptareve që të kemi kryemotiv drogën në emër të fëmijëve tanë dhe të vendit tonë. Natyrisht mjete demokratike është fjala. Të enjten e fillojmë, do ta vazhdojmë. Ne jemi njerëz me durim, me qëndresë, por ne do përballemi në mënyrën më të fuqishme me qeverinë e drogës”, – deklaroi ai. Ndërkohë i pyetur se sa ndikon kjo situatë në marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë në qershor, Berisha theksoi se vendi e meriton dhe do ta marrë atë. “Shqiptarët kanë mekanizmat e tyre demokratike për ti zgjidhur problemet. Kanë opozitën, kanë protestat, kanë demonstratat, kanë grevat pra kanë të gjitha këto, dhe duhet t’i zgjidhin si një vend demokratik. Por po ta ndëshkosh për Edi Ramën, që e ndëshkove një herë me mekanizmin e tri ligjeve dhe pastaj për të tjera, pastaj kjo për mendimin tim nuk është e drejtë. Shqipëria e meriton plotësisht statusin”.
Kërkesa e kreut të grupit të PD-së/Paloka: Seancë të jashtëzakonshme në Parlament për trafikun e drogës dhe rastin e Divjakës
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi dje se opozita kërkon një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit lidhur me ngjarjen e fundit, ku një avion i vogël që transportonte drogë u bllokua në Divjakë. Në kërkesën drejtuar Kryeparlamentarit Meta, ku paraqitej itinerari i të gjithë ngjarjes që nga akuzat e opozitës në Kuvend për trafikun e drogës e deri te ngjarja e avionit në Divjakë, kreu i ligjvënësve demokratë kërkoi: “1-Thirrjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, ku të diskutohet mbi ngjarjen e Divjakës dhe trafikun e drogës në rrugë ajrore, me ndihmën e alibisë shtetërore “të mushkonjave”. 2-Përfshirjen e kësaj çështje në rend dite, duke qenë e vetmja çështje që diskutohet/shqyrtohet në seancë plenare. 3-Çështjet e përfshira në rendin e ditës të seancës plenare të datës 15.4.2014 të shtyhen dhe të shqyrtohen në një seancë tjetër të Kuvendit, për datën dhe orën e të cilës të bihet dakord në Konferencën e Kryetarëve”. Sipas deputeti demokrat në gjithë këto kohë pas akuzave të opozitës për trafikun e drogës, në mungesë totale përgjegjshmëria, qeveria jo vetëm mohoi dijeninë mbi këtë fakt, por u zotua se një gjë e tillë ishte e pamundur të ndodhte në Shqipëri. Më tej, ai theksoi se ngjarja e Divjakës me 10 maj ku një avion i vogël u ulë në Divjakë, me qëllim transportim të lëndëve narkotike, tregon sipas tij se ka pasur më së pakti qëllim të fsheh të vërtetën, dhe më së shumti, përfshirjen e drejtpërdrejt të atyre që ngritën alibinë në një aksion shtetëror për përkrahjen e narkotrafikantëve dhe bërjes palë me to. “Çdo shqiptar kërkon sot përgjigje për pyetjet e mëposhtme: 1-Pse u ngrit alibia shtetërore e mushkonjave për të mbuluar këtë formë të trafikut të drogës? 2-Pse Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, folën për “mushkonja” dhe insekte të tjera, të cilën fluturonin në hapësirën ajrore shqiptare, duke mohuar kategorikisht mundësinë e përdorimit nga narkotrafikantët të hapësirës ajrore për trafik të paligjshëm droge? 3-Cila ishte arsye e këtij qëndrimi të nxituar dhe të papërgjegjshëm? 4-Pse nuk u morë asnjë masë për të verifikuar informacionet mbi përdorimin e avionëve të vegjël për trafik droge? 5-Cili është roli i organeve shtetërore në këtë çështje dhe çfarë masash kanë marrë ato për parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni”, – pyeti kreu i grupit parlamentar demokrat.




