Berisha: Çdo i përjashtuar ka të drejtën e ankimit, por kushdo që ka punuar me kundërshtarin nuk ka vend në PD!
Rugova Dunisha, RTSH: Zoti Berisha, ditën e mërkurë këtu në selinë e PD, disa anëtarë të kësaj force politike të Durrësit, të përjashtuar, kërkuan një takim me ju që të sqarohen në lidhje me përjashtimin e tyre, ndërkohë hodhën poshtë pretendimet se kanë bashkëpunuar me PS. Pse nuk u pritët dhe a do i prisni në ditët në vijim?
Sali Berisha: Së pari, nga ata që janë përjashtuar aty ishte vetëm njëri dhe ai është përjashtuar me motive të qarta. Ai ka qenë nënkryetar, në fushatë elektorale ka punuar për kundërshtarët, për të mos thënë edhe ca gjëra të tjera, nuk ka nevojë, por edhe ai dhe çdo njeri tjetër, ka një gjykatë kjo parti, duhet të paraqesë ankesat.
Nuk është Sali Berisha gjykatësi i partisë. Po, Sali Berisha ka premtuar me kohë që do bëhen analiza.
Ka premtuar me kohë që në këto analiza do nxirren përgjegjësitë, pa diskutim.
Në qoftë se iksi apo ipsiloni për shkaqe, nuk më interesojnë, bën fushatë dhe bën thirrje të votohet, bën thirrje ditën para votimit që të votohet për kandidatin e Tom Doshit, unë mendoj se është më e pakta që mund të them pacipësi ekstreme të pretendojë se ka ndonjë gjë të përbashkët me PD.
Ka shkelmuar vetë investimin e vet dhe keqpërdoret.
Pra, ata persona që jepen me qira, që japin veten me qira, kanë bërë një zgjedhje ata.
Partia është një institucion që ka të gjitha forumet dhe cilido që ka vërejtje, ka pakënaqësi, ka të drejtë të ankimojë.
Por absolutisht ata që kanë punuar për kundërshtarët, nuk do kenë vend në PD.
Jo, ke punuar për kundërshtarin, shko…
Marrin përsipër një mision të turpshëm, të neveritshëm. Mirë, ti e bëre atë, dikush thotë se bashkëjeton me të, nuk di asgjë, nuk merrem, por e bëre atë, ti vazhdo, nuk të thirri njeri për të të thënë pse e bëre. Bëre zgjidhjen tënde dhe unë e respektoj zgjidhjen e gjithsecilit.
Shkove bëre fushatë për deputetin kundërshtar, tani shkon të më shitesh mua se të mbaroi periudha e qirasë?
Jo.
Këto janë përpjekje të dëshpëruara të Edi Ramës dhe atyre që bëhen lolo të tyre.
Por e vërteta është se këto janë në përputhje me atë zotim që analiza do bëhet dhe çdo njeri që nxirret nga lista që ka punuar për kundërshtarin, sa janë, nuk mund të them, por janë. 10, 15, 20, janë ata, nuk mund të them se nuk janë. E kam thënë gjithnjë se do bëhet analiza.
E kam thënë gjithnjë se ata që kanë punuar për kundërshtarin do marrë atë që meriton.
Megjithatë secili ka të drejtën të ankimojë dhe të faktojë se është ndëshkuar në mënyrë të pamerituar.



