Florenc Drizari
Presidenti Barroso në Kuvend/ Konsensusi jetik mes partive, pa Evropën Juglindore, BE nuk është e bashkuar
“Një gjë që se kam pritur kurrë gjatë opozitës, ishte që të kisha mbështetje të qeverisë”
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, zhvilloi dje një takim edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Në një seancë të posaçme parlamentare ku ishin të pranishëm pozita dhe opozita, presidenti i KE-së mbajti edhe një fjalim që u duk sa ikurajues për proceset integruese të Shqipërisë drejtë Bashkimit Evropian, aq edhe paralajmërues për klasën politike shqiptarë që të bëshkëpunojë për arritjen e reformave kyçe që i kërkohen vendit ne interes të integrimit. Barroso foli për konsensus me të gjithë partitë politike, reforma dhe për debate demokratike mes palëve.
“Unë mendoj se kjo tregon se Evropa, dhe BE nuk është koncept i largët, teorik, Europa jemi ne. Secili prej nesh, Shqipëria, është Evropa. integrimi i Shqipërisë në BE duhet të jetë një projekt për secilin prej nesh, për brezin tonë, pasi realizojmë një aspiratë historike. Ky është një nga mësimet më të mira sa i takon zgjerimit. Konsensusi në vend, në të gjitha partitë politike, ky konsensus është i rëndësishëm. Këtu, vinë të gjitha idetë, dhe këtu në Kuvend përfaqësohen të gjitha idetë. Kjo është salla e demokracisë. Unë e vlerësoj rolin tuaj, dhe e vlerësoj debatin demokratik. Një gjë që se kam pritur kurrë gjatë opozitës, ishte që të kisha mbështetje të qeverisë. Por, në disa sektor është e mundur që të realizohet një konsensus real, përtej pikëpamjeve politike.”-deklaroi para deputetëve Barroso.
Duke folur për rolin që ka Kuvendi në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Barroso tha se ky institucion ka një rol ky dhe për këtë duhet angazhim konkret në të mirë të vendit. “Ndaj, kam kënaqësi që tu them këto gjëra, ku përfaqësohen të gjitha forcat politike të vendit. Ne e kemi të rrënjosur në ADN-ën e Bashkimit Europian këtë vlerë bashkëpunimi. Unë e di, se nga përvoja se nxitja e një demokracie, do duhet shumë punë. Kurajo çdo ditë. Që do të thotë se është nevoja për të ndjekur me vendosshmëri në një rrugë të caktuar dhe se duhet ti përmbaheni rezolutës së Kuvendit. Duhet të çoni sinjalin e duhur sa i takon realizimit të platformave, për aderimin e Shqipërisë më pas në BE. Në këtë Kuvend, ju urojë për punën që bëhet, si një mekanizëm për konsultime të gjera, që më pas do çojnë në aderimin e Shqipërisë në BE. Duhet ti mbani sytë tek ky destinacion. Procesi i integrimit Europian, është një proces”,-tha Barroso. Përsa i përket motivimit për të ecur drejtë BE-së, Barroso solli edhe shembuj nga jeta e tij personale.
“Unë vetë kam jetuar në diktaturë për 18 vite, kam përjetuar atë shpresë që na ofronte Europa dhe BE dhe se si përfituam. Prandaj kjo është arsyeja që unë ndjehem afër jush. Ju lidhni perspektivën e aderimit me konsolidimin dhe modernizimin e institucioneve tuaja. Ky është procesi që duhet të motivoni”, -tha kreu i KE-së.
Meta
Më herët në fjalën e tij të mirëseardhjes, kryeparlamentari Meta, e siguroi Presidentin e Komisionit Europain, se Kuvendi shqiptar do jetë i hapur për dialog dhe gjithëpërfshirje. Meta nuk nguroi ta quajë historike, vizitën e Barrosos në Tirane“Shqipëria dhe rajoni ynë kanë avancuar në mënyrë të dukshme drejt integrimit euroatlantik. Z. Barroso vjen sot në një vend anëtar të NATO-s dhe vizita ka një kontekst tepër të rëndësishëm për Shqipërinë. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e Kuvendit për punën e palodhur të KE-së në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për statusin e kandidatit. Kuvendi do garantojë gjithëpërfshirje dhe dialog politik.”,-tha Meta. Në këtë seancë plenare ishin të pranishëm edhe deputetët e opozitës, të cilët ashtu siç kishin lajmëruar do të ktheheshin në Kuvend duke dalë nga bojkodi një javor që i bënë këtij institucioni pas pezullimit të ish-kryeministrit Berisha me 10 ditë nga Byroja e këtij institucioni.
Rama: Sistemi i drejtësisë një turp i përbashkët
Gjatë vizitës që Presidenti i KE-së Barroso zhvilloi edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij ritheksoi qëndrimin e qeverisë për një reformë të thellë në sistemin gjyqësor. Shefi i qeverisë theksoi rëndësinë e reformimit të sistemit të drejtësisë, në mënyrë që siç tha ai “drejtësia të japë drejtësi dhe çekiçi i gjyqtarit të mos jetë një armë për të marrë jetë në bashkëpunim me kriminelët”. Sipas kryeministrit, “sfida për të kaluar nga një sistem drejtësie primitiv, në drejtësinë evropiane është një sfidë e përbashkët që duhet adresuar si një reformë e shoqërisë”. “Duhet të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga kjo fazë e sistemit të drejtësisë që është një turp i përbashkët. Jo reformë e një pale, por reformë e aktoreve dhe faktorëve, pa të cilët sistemi nuk mundet as të ndryshojë dhe as të funksionojë”- deklaroi Rama. Kryeministri përmendi sërish fjalët e kancelares gjermane Merkel, lidhur me sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke thënë: “Do të mbetet e paharrueshme për mua, ndër të tjera në takimin me kancelaren Merkel, ajo pjesë e takimit kur kancelaria me ka thënë, dakord Shqipëria mund të jetë si thua ti, mundet ta meritojë statusin e vendit kandidat, por dua të më shikosh në sy dhe të më thuash a beson se me drejtësinë që ka Shqipëria sot mund të bëhet anëtare e BE-së. Sigurisht ne e dimë që përgjigjia është jo. Me këtë gjendje të drejtësisë nuk mund të bëhemi anëtare të BE-së”.
Barroso: BE ka dhënë 150 milionë euro për drejtësinë, fuqizimi i sistemit me rëndësi kritike
Presidenti i Komisionit Evropian Barroso, zhvilloi edhe një takim në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, kryetari i Gjykatës së Lartë, zv.ministri i Drejtësisë etj. Në fjalën e tij Presidenti Barroso tha se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është mbështetur në vazhdimësi nga BE dhe këtu ai përmendi shifrën prej 150 milionë eurosh. Sipas Barrosos BE do të vijojë ta mbështesë sistemin e drejtësië, pasi sipas tij, forcimi i sistemit gjyqësor ka një rëndësi kritike në vijimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE pas marrjes së statusit kandidat “BE është krenar që ka kontribuar në këtë projekt të rëndësishëm për shoqërinë. Natyrisht që kjo ndihmë që kemi dhënë në fushën e sundimit që deri tani kap shifrën 150 milionë euro asistencë financiare është dëshmi e rëndësisë që u japim këtyre çështjeve dhe angazhimit të Shqipërisë dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Në të gjitha takimet që kam bërë në Tiranë kam theksuar rëndësinë kritike që ka fuqizimi i pushtetit gjyqësor në vend.”- vijoi më tej Barroso. Ai theksoi se Gjykata dhe gjyqësori është tepër i rëndësishëm në konsolidimin shtetit të së drejtës në vend. “Dëshiroj t’ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj. E di që puna juaj për konsolidimin e shtetit të së drejtës do jetë në vazhdim.”- theksoi Barroso.
Rama i thotë Po vizitës në Beograd, Barroson vlerëson takimin
Një ditë pas urimit që kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç i bëri Shqipërinë për marrjen e statusit, ku në të njëjtën kohë foli për një takim të mundëshm me kreun e ekzekutivit shqiptar në vjeshtën e këtij viti, Kryeministri Edi Rama deklarojë dje se do të shkojë në Beograd. Kryeministri Rama iu përgjigj homolug të tij serb gjatë takimit që pati gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e KE-së Jose Manuel Barroso. Gjatë fjalës së tij kryeministri shqiptar tregoi për entuziazmin e Barrosos kur mori vesh lajmin se Rama do të shkonte në Beograd. “Presidenti është entuziast për një hap të ri të zhvillimit të marrëdhënieve rajonale, për vizitën që unë do kryej në Beograd, për të marrë një rol të ri, të bashkëpunoj me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, që të bëhemi të vetëdijshëm për rrugën tonë të përbashkët drejt BE, që Ballkani ka nevojë për BE aq, sa BE ka nevojë për Ballkanin dhe se Ballkani nuk mund të kuptohet pa BE, ashtu si BE nuk ka kuptim pa përfshirjen e Ballkanit”,-tha Rama. Nga ana e tij, Barroso e mirëpriti faktin që Rama do zhvillojë një vizitë në Serbi ku do të takohet me kryeministrin serb Aleksandar Vucic.
Basha-Barroso: Statusi stacion i rëndësishëm, sfidat e Shqipërisë vazhdojnë
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso gjatë vizitës që zhvilloi dje në Tiranë, u prit në takim edhe nga kreu I opozitës, Lulzim Basha.
Basha i shprehu Barroso mirënjohjen për kontributin që ai dhe Komisioni Europian kanë dhënë që Shqipëria të arrijë në këtë stacion të rëndësishëm të integrimit europian. Presidenti Barroso vlerësoi kontributin e Partisë Demokratike në qeverisje të vendit dhe reformat e ndërmarra që mundësuan ecjen përpara të procesit të integrimit europian, dhe shprehu mbështetjen e plotë të Komisionit Europian për rolin e rëndësishëm të Partisë Demokratike në vazhdimin e rrugëtimit europian të Shqipërisë. Duke shprehur keqardhje se mungesa e konsensusit nga opozita e djeshme vonoi miratimin e 3 ligjeve dhe shtyu për dy vite radhazi vendimmarrjen për statusin, Basha theksoi se Partia Demokratike e ka mbështetur pa asnjë kushtëzim procesin e integrimit që ditën e parë që kaloi në opozitë e do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Zbatimi i Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve të gjykatave mbeten një sfidë e madhe tha Basha, duke e njohur Presidentin Barroso me zhvillimet shqetësuese në vend, ku qeveria refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit. Basha u shpreh se konsensusi është arritur me vështirësi në këto vite në Shqipëri, por kur është arritur është zbatuar. Krejt e kundërta ka ndodhur nga mazhoranca aktuale, akti i parë i të cilës ishte prishja e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil që u ndoq nga spastrimet masive duke larguar mijëra punonjës nga detyra pa asnjë motiv ligjor.
Lufta ndaj korrupsionit është prioritet kyc, tha Basha, ndërsa vuri në dukje se korrupsioni politik është forma më e rëndë e tij. Kryetari i opozitës solli në vëmendje rastin e blerjes së votave në Korcë dhe amnistimin nga qeveria të këtij akti të rëndë, emërimin e një personi të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në krye të Qarkut të Vlorës, kapjen përmes presioneve dhe akteve korruptive të kreut të Qarkut të Korcës, dhe një seri emërimesh të personave me precedentë penalë në poste drejtuese të administratës shtetërore.
Përtej retorikës dhe fjalëve të bukura, theksoi Basha, qeveria është angazhuar në ngushtimin e hapësirës parlamentare dhe ligjore të opozitës. Opozitës i mohohet e drejta kushtetuese e hetimit parlamentar, si në rastin e vjedhjes së të dhënave në serverin e tatimeve apo në kerkesën për hetimin e emërimit të personave me precedentë të rëndë kriminale në poste të rëndësishme të administrates. Dhuna fizike ndaj deputetëve të PD në parlament, moszbatimi dhe refuzimi i konsensusit për reformat e rëndësishme janë realiteti i përditshëm i politikës konfliktuale që ofron mazhoranca.
Gjithashtu Basha e siguroi z.Barroso se pavarësisht sfidave, Partia Demokratike mbetet e angazhuar vendosmërisht për të mbështetur pa kushte procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të ruajtur dhe konsoliduar standartet dhe normat europiane të demokracisë, lirisë dhe shtetit ligjor.
Vizita e Presidentit të KE-së Barroso në Tiranë: Duhen Reforma dhe gjithëpërfshirje
Rama: Kemi një objektiv ta bëjmë Evropën të bjerë në sevda me Shqipërinë por s’mund të ta bëjmë opozitën të bjerë në sevda me ne
Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, duke takuar krerët e shtetit dhe të opozitës. Gjatë takimit që Barroso pati me Kryeministrin Edi Rama, theksoi mbështetjen e BE-së ndaj Shqipërisë në sfidat e integrimit. Kreu i KE-së vuri theksin tek plotësimi i reformave nga qeveria dhe tek realizimi i një dialogu me opozitën përsa i përket çështjeve të integrimit. Presidenti i BE-së zhvilloi takime me kreun e shtetit, Bujar Nishani, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Prioritetet
Presidenti i KE-së gjatë një deklarate për mediat në ambientet e Kryeministrisë, tha se Shqipëria duhet që të vazhdojë dhe të intensifikojë qasjen e vet sistematike për reformat, “duke u përqendruar tek prioritet kyçe, me vëmendje të veçantë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në gjyqësor. Jam shumë i kënaqur që e shoh se qeveria i ka këto prioritete. E, për të pasur sukses integrimi europian, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, ku të gjithë në shoqëri të luajnë rolin e tyre”,-tha Barroso.
Për Lazaratin
Duke u ndalur tek aksioni më i fundit e qeverisë kundër grogë, ndërhyrjen në Lazarat, Barroso vlerësoi këtë nismë, duke theksuar se duhen shmangur politizimet e çështjes dhe se organet e hetimit duhet të bëjnë detyrën e tyre.
“Policia dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të lihen të bëjnë detyrat e tyre. Ato janë këtu, në mënyrë që të përmbushin detyrat e tyre si institucione të shtetit, nga asnjë parti dhe është shumë e rëndësishme që të ketë konsensus në Shqipëri, për nevojën për t’i dhënë fund kultivimit e trafikimit të drogës. Prandaj, unë mirëpres faktin që kjo është arritur, pra, ky operacion i suksesshëm. Unë shpresoj që ky angazhim të vazhdojë edhe në të ardhmen.”,-tha Barroso.
Klima politike
Barroso e cilësoi si tejet të polarizuar klimën politike në Shqipëri dhe kjo sipas tij, nuk e favorizon vendin. “Në fund ai lëshoi edhe një mesazh për klasën politike: mesazhi im i qarët dhe i fortë, për të gjithë forcat politike në vend, në pozitë dhe opozitë, – do t’i them të njëjtën gjë edhe udhëheqësve të opozitës kur ta kem rastin, – është që konsensusi minimal duhet arritur të paktën përsa i përket fateve që kanë të bëjnë me integrimin europian.
Rama
Në mbyllje të konferencës, Kryeministri Rama falënderoi mbështetjen e BE-së për statusin e vendit kandidat dhe shprehu angazhimin e qeverisë për të përmbushur reformat e kërkuara nga brukseli. Duke folur për opozitën, Rama tha se “Ne kemi një objektiv ta bëjmë Europën të bjerë në sevda me Shqipërinë, por s’mund të kemi objektiv ta bëjmë opozitën të bjerë në sevda me ne”,-tha Rama, duke nënvizuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me pakicën parlamentare në vend.




