Bashkia e Tiranës: Kryeministri t’i hapë rrugë projektit të tramit dhe terminalit

Bozdo: Qytetarët nuk do të kenë ku të parkojnë

 projekti i tramitKompani të njohura ndërkombëtare vazhdojnë të shprehin interes për ndërtimin me koncesion të terminalit dhe tramit të Tiranës, midis tyre edhe kompani kanadeze. Kjo ka bërë që nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, t’i kërkojë Kryeministrit Edi Rama që t’u hapë rrugën dy projekteve strategjike për Tiranën, tramit dhe terminalit. “Patëm një takim pune me përfaqësues të lartë të kompanive kanadeze. Takimi u fokusua veçanërisht në projektin e Bashkisë së Tiranës për tramin, linjën Kombinat – Kinostudio dhe për terminalin multimodal të Tiranës. Gjeta një interes të pazakontë të kësaj kompanie, për të qenë pjesë e garës. U shpjegova kushtet e garës dhe u shpjegova në të njëjtën kohë faktin që për të dy projektet ne presim ende një përgjigje nga qeveria qendrore, duke shpresuar që kjo përgjigje të jetë pozitive dhe që Tirana të ketë terminalin e saj, si të gjithë kryeqytetet e tjera evropiane por të ketë edhe linjën e parë të tramit të saj, në të mirë të qytetarëve të Tiranës. U shpjegova gjithashtu se kjo nuk ka lidhje me koston financiare pasi qeverisë qendrore nuk i kërkohet absolutisht asgjë dhe çfarë i kërkohet është vetëm të japë dakordësinë e saj, që Bashkia e Tiranës të procedojë për këto dy projekte shumë të rëndësishme për kryeqytetin, për sot, nesër dhe dekadat që vijnë”, – u shpreh Bozdo në një deklaratë për mediat.

 

Pedonalja te “Nënë Tereza”

Nënkryetari i Bashkisë, lidhur me vendimin e qeverisë për të kthyer sheshin “Nënë Tereza” në pedonale për disa orë, është shprehur se kjo është kompetencë e qeverisjes vendore dhe se ky është një projekt i iniciuar nga kryebashkiaku Basha. Bashkia po zbaton një projekt për rehabilitimin e sheshit “Nënë Tereza” dhe po kështu për të çliruar trafikun dhe vendparkimet në Tiranë duhen zbatuar më parë dy projektet e bllokuara të Bashkisë, terminali multimodal dhe trami. “Urdhri i qeverisë parashikonte edhe ndalesën e parkimit në bulevardin qendror të Tiranës. Me një të rënë të lapsit, praktikisht qytetarëve të Tiranës u mohohen kilometra të tërë parkim. E them këtë, sepse ndërsa ndalohet parkimi në një vend në Tiranë, duhet patjetër të gjendet një opsion tjetër për parkimin, që edhe pa këtë ndërhyrje të qeverisë është i rënduar. Ky vendim duhet të merret vetëm pasi të krijohej infrastruktura e nevojshme si terminali i ri i Tiranës, i cili do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në parkimet në Tiranë”, – theksoi Bozdo.

 

 

 

Share it :