Basha takon misionin e FMN-së/ “Paketa fiskale, impakt negativ te biznesi dhe qeverisja vendore”

lulzim basha me fmnKryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti në një takim misionin e FMN-së për asistencë teknike në sistemin e taksave në administratën tatimore, drejtuar nga John Norregaard.

Në këtë takim, Basha ka shprehur shqetësimin e njësive të qeverisjes vendore, për mënyrën e sjelljes së qeverisë së re ndaj tyre dhe cenimin e hapur që i bën autonomisë vendore. Sipas Bashës paketa fiskale e cila çoi në rritje të taksave dhe centralizimin e mbledhjes së taksës së biznesit të vogël.

“Biznesi i madh, i mesëm dhe i vogël, në të gjithë vendin po përballet me problemet e diktuara nga paketa fiskale e cila duke mos marrë parasysh kundërshtimet që iu bënë, si nga grupet e interesit ashtu edhe nga opozita, vendosi taksën progresive e cila rriti në masën 50% tatimin mbi fitimin për korporatat, nga 10 në 15%, çka ka sjellë rritje të evazionit fiskal.

Z. Basha u ndal edhe në vendimin e qeverisë për mbledhjen e taksës së biznesit të vogël, pa asnjë konsultim me autoritetet lokale. Ky vendim i pakonsultuar dhe i pashoqëruar me kompensim financiar ka sjellë mungesë të ardhurash në buxhetet e bashkive dhe komunave të vendit. Nga centralizimi i mbledhjes së të ardhurave nga taksat e biznesit të vogël, vetëm në buxhetin e Bashkisë së Tiranës mungojnë 8% e të ardhurave. Kjo mungesë të ardhurash nuk mund të rikuperohet nga taksa e pronës, e cila u dyfishua në paketën e re fiskale. Mbledhja e kësaj takse, sipas zotit Basha, është një problem i madh që vërehet në çdo njësi të qeverisjes vendore”,-thuhet në zbardhjen e takimit të Bashës me përfaqësues të FMN-së. Gjithashtu mësohet se Basha ka shprehur shqetësimin e tij si kryetar i shoqatës së bashkive dhe kryebashkiak i Tiranës, edhe për performancën e dobët dhe sjelljen arbitrare të qeverisë në këta 6 muaj.

 

 

Bilanci i 6 muajve të parë, përplasje mes Bashkisë së Tiranës dhe PS-së

Pas bilancit që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri gjatë muajve të parë të qeverisjes së majtë, duke kritikuar ashpër punën ekzekutivit, reagoi edhe zyra e shtypit e Partisë Socialiste me anë të deputetes Olta Xhaçka. Sipas deputetes Xhaçka, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës derdhi një lumë gënjeshtrash nga selia e tij e re dhe “Basha foli për punën e qeverisë në më pak se 6 muaj, duke harruar dështimet e tij të njëpasnjëshme, premtimet e pambajtura si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Personi që u premtoi qytetarëve të Tiranës se do të punonte për ta, sot i ka braktisur, njësoj siç ka braktisur premtimin për tramin e Tiranës”, – tha ajo. Ndërkohë, pas reagimit të selisë së PS-së, pati edhe një deklaratë nga Bashkia e Tiranës. Në deklaratën e Bashkisë thuhet se “Kryeministri i konfliktit dhe bllokimit u merakos sot për qytetarët e Tiranës. Edi Rama u bllokoi investimet dhe shërbimet qytetarëve të Tiranës, përmes bllokimit të buxhetit. Edi Rama u ka mohuar të drejtën e varrimit përmes bllokimit të shpronësimit të hapësirës për varre. Edi Rama u bllokoi kreditë për strehim, qytetarëve të Tiranës”.

Share it :