Kryetari i Partisë Demokratike do të marrë pjesë këtë të enjte në një aktivitet politik të Partisë Popullore Evropiane. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare pranë selisë së Partisë Demokratike, ndërkohë që ky takim është i dyti i kreut të PD-së me krerët e PPE-së brenda dy javësh.
Sipas selisë blu, Basha në axhendën e takimeve me krerët e PPE-së, ka edhe lobimin për statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, ai pritet të shprehë edhe shqetësimet që opozita ka për disa çështje në vend.
Më herët kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP) që mbajt më 6 dhe 7 mars në kryeqytetin e Irlandës, Dublin. Në delegacionin e Partisë Demokratike mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti i PD-së, Gerti Bogdani. Në këtë kongres, Lulzim Basha mori pjesë për herë të parë si kryetar i PD-së, ndërkohë që ish-kryeministri i vendit si i ftuar. Basha dhe Berisha përtej axhendës së Kongresit zhvilluan takime me krerët e lartë të partive motra në Evropë, duke i njohur ata edhe me zhvillimet politike ne Shqipëri dhe situaten në të cilin ndodhet vendi pas ardhjes në pushtet të socialisteve. Vizita e politikanëve opozitare në Dublin përkoi me ardhjen në Tiranë të komisionerit për Zgjerim, Stefan Füle. Vizita e Füles duhej të mbahej disa ditë më parë, por axhenda e takimit të tij u shty për shkak të situatës në Ukrainë. PPE është partia më e madhe në nivel politik evropian. PPE ka 73 parti anëtare nga 39 vende, presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, 12 kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të BE-së dhe 6 jo anëtare, 13 komisionerë të Komisionit Evropian dhe grupin më të madh në Parlamentin Evropian




