Basha në PPE/ “Shqiptarët e meritojnë statusin, mazhoranca po zhbën standardet”

Florenc Drizari

 

Kreu i PD-së: Jemi në situatë paradoksale, që qeveria me dy fjalë nuk çan kokën për statusin, u është përveshur me një revansh antikushtetues, antiligjor dhe antiinstitucional standardeve evropiane të krijuara e aq më pak të bëjë punën e vet, por po zhbën edhe punën e bërë tashmë në arritjen e këtyre standardeve

 

 

lulzim basha ne ppeKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim në Bruksel. Mësohet se kreu i PD-së e shfrytëzoi këtë takim për të lobuar ndaj Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke shfrytëzuar samitin e PPE-së, Basha tha se etapa e statusit duhet kaluar në muajin qershor, duke kaluar në një tjetër fazë të rëndësishme të procesit të integrimit, hapjen e negociatave për anëtarë në Bashkimin Evropian.

Në samitin e PPE-së, Basha ishte i shoqëruar nga deputeti Gerti Bogdani, ndërkohë që në këtë tryezë morën pjesë liderët e Partive Popullore Evropiane dhe krerët e BE-së. Pjesë e këtij takimi ishte Kancelarja Gjermane Angela Merkel, Presidenti i Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso e shumë përfaqësues të tjetër të partive simotra të unionit të 28 vendeve evropiane.

 

Lulzim Basha

 “Nuk kam reshtur përpjekjet e mia në këtë samit, sikundër para dy javësh në Dublin gjatë kongresit me kryetarët e partive dhe qeverive simotra, për të kërkuar mbështetjen e tyre për çështjen e statusit, duke argumentuar se puna e kryer ndër vite nga qeverisja e Partisë Demokratike meritoi një rekomandim pozitiv të Komisionit dhe se pavarësisht prej situatës së nderë që mazhoranca e re ka krijuar në raport me kriteret e Kopenhagenit, etapa e statusit duhet përmbyllur dhe duke insistuar që etapa tjetër e rëndësishme, ajo e negociatave, duhet të hapet sa më parë”, – deklaroi kryetari i PD-së pas samitit të Partisë Popullore Evropiane. Kreu i PD-së theksoi se mazhoranca po krijon probleme me sulmin ndaj institucioneve kushtetuese, çka, sipas tij, ka rritur dyshimin e ndërkombëtarëve te qeveria. Basha tha se kjo problematikë po bëhet gjithnjë e më shumë shqetësuese për partnerët evropianë, ndërsa shtoi se dhënia e statusit do t’u japë më shumë mundësi çështjeve themelore të demokracisë, të shtetit ligjor, të kushtetutshmërisë që po kthehen nga kjo mazhorancë, si pjesë e problemit dhe dosjes problematike të vendit. “Nuk ka dyshim që nëse situata do të kishte qenë e favorshme, Shqipëria do ta kishte marrë tashmë statusin. Situata nuk ka qenë e favorshme 3 muajt e parë të qeverisjes, kjo qeveri vazhdon të krijojë dyshime. Jemi në situatë paradoksale, që qeveria me dy fjalë nuk çan kokën për statusin, i është përveshur me një revansh antikushtetues, antiligjor dhe antiinstitucional standardeve evropiane të krijuara e aq më pak të bëjë punën e vet, por po zhbën edhe punën e bërë tashmë në arritjen e këtyre standardeve. Nga ana tjetër, kemi një opozitë e cila edhe në mbrojtje të trashëgimisë sonë pozitive, për sa i përket integrimit evropian të vendit thotë: “Po! Le të ecim përpara, Shqipëria e meriton statusin, shqiptarët e meritojnë statusin!” Është e vërtetë që kjo mazhorancë ka krijuar dhe po krijon probleme të jashtëzakonshme me konfliktualitetin e saj, por pa injoruar problematikën e krijuar nga kjo mazhorancë, dhënia e statusit, do t’u japë më shumë mundësi, më shumë fokus, më shumë energji çështjeve themelore të demokracisë, të shtetit ligjor, të kushtetutshmërisë që po kthehen nga kjo mazhorancë, si pjesë e problemit dhe dosjes problematike të vendit”, – deklaroi Basha. Vizita e kreut të PD-së në PPE është e dyta brenda dy javëve të fundit dhe sipas zërave brenda selisë blu, kreu i opozitës ka shprehur në këto takime vendosmërinë e së djathtës shqiptare për të mbështetur proceset integruese të Shqipërisë drejtë Bashkimit Evropian.

 

 

 

Rekrutimi i shqiptarëve drejt Sirisë

 Takimi me kryeprokurorin dhe kreun e SHISH-it, Nishani: Shpejtësi dhe cilësi në hetime

Në kuadër të arrestimeve të fundit të disa personave, me akuzën e përfshirjes në grupe terroriste në Siri si dhe nxitjes së urrejtjes fetare, kreu i shtetit, Bujar Nishani, priti në një takim prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, kryetarin e SHISH-it dhe prokurorin e Krimeve të Rënda. Qëllimi i këtij takim i ishte informimi për goditjen dhe parandalimin e veprimtarisë së grupeve radikale për dërgimin e qytetarëve shqiptarë në luftën në Siri. Presidenti Nishani u informua për nismat ligjore që po ndërmerren, në mënyrë që në të ardhmen kjo dukuri të jetë e ekspozuar ligjërisht në ndihmë të sigurisë kombëtare të vendit. Duke kërkuar shpejtësi e cilësi në hetim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët, Presidenti i Republikës vlerësoi punën e kryer deri më tani nga organet kompetente ndaj dukurive që lidhen me organizimin, financimin dhe dërgimin e shtetasve shqiptarë për të luftuar në Siri. Presidenti Nishani shprehu mbështetjen e plotë për gjithçka që ka lidhje me këtë proces, por edhe me procese të tjera që kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë kombëtare dhe luftën ndaj korrupsionit.

Share it :