Erneta Shevroja
Kreu i opozitës ka vijuar turin e takimeve. Qëndresa e fundit, pas Lushnjës dhe Divjakës, ka qenë Fieri
Problemet që i mundojnë qytetarët janë të mëdha. Kjo është pasqyra që na është paraqitur këto tri ditë, kur kreu i opozitës, Basha, ka vendosur të mbajë takime me banorë të qyteteve të ndryshme. Në Fier, kreu i opozitës Lulzim Basha ka dëgjuar nga afër shqetësimet e banorëve të Fierit për papunësinë, për mbylljen e bizneseve, për shtrenjtimin e naftës, të farërave etj. Në takimet me tregtarët në Fier, me banorë dhe fermerë të Cakranit, Levanit dhe Strumës, Basha është njohur me situatën e rëndë ekonomike, papunësinë dhe me faktin se dhjetëra biznese janë drejt mbylljes, për shkak të taksave të larta dhe rënies së fuqisë blerëse. Një prej banoreve, me të cilin Basha ka pasur një takim, është shprehur se gjendja e saj është ekstremisht e vështirë. Ajo e ka krahasuar me periudhën diktatoriale të Enver Hoxhës. “Jemi persekutuar tërë jetën me Enver Hoxhën, na kanë persekutuar tash më shumë, s’kemi ç’hamë”, – ka thënë një grua. “Shqipëria duhet të përjetojë një dhjetor të dytë”, – i thanë qytetarët Bashës. “Na vini prapë një tabelë atje, “kamp internimi”, siç ka qenë, se nuk ka më keq se jemi”, – thotë një tjetër banor.
Mungesa e tregut
Ndër problemet e shprehura nga banorët e Fierit ka qenë edhe mungesa e tregut për të shitur produktet e tyre. Ata shprehen se nuk ka blerës dhe malli u mbetet stok. “Kam bërë 40 kuintalë misër, 70 kuintalë rrush, 5 kuintalë fasule, asgjë nuk kam shitur”, – shprehet një fermer. “Gjendja është shumë e vështirë. Blerës nuk ka fare, nuk po na vjen njeri, është shumë keq. Llogaritë, kur vjen robi që i bie vdekja, thotë: Ma jep dot këtë kostum me të shënuar emrin?!”, – shprehet një qytetar. “Është tallje apo ironi që të them unë: “Urdhëroni, hajde blini mobilie!”, – kur ai thotë unë s’kam mbushur barkun”, – pohon një tregtare. “Duke mbyllur vendet e punës, duke ulur rrogat, duke shtuar papunësinë, dyfishon taksat. Ku do t’i gjejnë shqiptarët lekët për të vajtur në master apo specializim?!”, – thotë një qytetar.
Papunësia
Një shqetësim tjetër i banorëve ka qenë papunësia. Një prej banorëve është shprehur se në familjen e tij prej 7 anëtarësh asnjë nuk punon. Basha: Sa familjarë jeni ju në shtëpi? “Shtatë”. Basha: Sa vetë ke në punë? “Për momentin asnjë, babai im punon në ndërtim dhe ka një vit, zero…” “Kam kamion vetë, jam me licencë, me të gjitha. Janë rritur taksat, kanë vajtur sa …Jam gati ta mbyll licencën”, ankohet një banor i zonës. “Populli i gjithë 23 qershorin e quan si ditën më të zezë dhe fatkeqësia e këtij kombi. Duhet një dhjetor i dytë kryetar!”, – kërkon i revoltuar një qytetar.
Edhe në Fier, kryetari i PD-së është ndeshur me shqetësimin e banorëve për pamundësinë për të përballuar rritjen e kostos së punës dhe pamundësinë e shitjes së prodhimeve. Rritja e naftës ka dyfishuar çmimin për punimin e tokës dhe shërbime të tjera, një rritje tjetër e çmimit të naftës, sipas fermerëve do të bëjë që asnjë pëllëmbë toke të mos punohet më. Edhe fermerët e Fierit, ashtu si ata të Lushnjës, nuk kanë përfituar asnjë subvencion deri tani nga qeveria për prodhimet bujqësore. “Plugimi ka vajtur 14 mijë lekë dynymi”, – thotë një fermer. Basha: Sa e keni pasur para një viti? “Para një viti ka qenë 7 mijë lekë”. “Më hoqën pensionin, pa ndihmë, pa gjë, unë nuk kam me se të ushqehem”, – pohon banori. “Dhe fëmijët i ka sëmurë edhe gruan “të sëmurë”, shton një i njohur i tij. Basha: Të thanë pse e hoqën? “E hoqën se donin “xhixha”…” “Të mbjell tokën sot, unë nuk kam me se ta mbjell, do traktorin të plugohet, do fara. Fara është 85 mijë lekë 1 kuintal, bën 85 mijë lekë.
Bode: Politika fiskale 2015 asfikson ekonominë, rrit taksat, varfëron qytetarët
Ish-ministri i Financave edhe një herë ka kritikuar paketën fiskale të hartuar nga qeveria për vitin e ardhshëm. Bode thekson se paketa fiskale asfikson ekonominë, duke rritur në mënyrë progresive të gjitha taksat dhe rrit varfërimin e qytetarëve. Projektbuxheti i 2015-ës ka këto tipare sipas deputetit demokrat: Rrit progresivisht taksat; varfëron progresivisht qytetarët; thellon rënien e mëtejshme të ekonomisë. “Përllogaritjet e qeverisë për nivelin e konsumit të këtij viti 2014 thonë se do ketë një rritje për taksat me një efekt prej 16 miliardë lekë ose 160 milionë dollarë. Ky do të jetë efekti i taksave që rriten në 2015-ën. Por nga këto 15 miliardë lekë (150 milionë USD) do të paguhen nga konsumatorët dhe vetëm 1 miliard lekë (10 milionë USD) do të paguhen nga biznesi si rritje e tatimit mbi dividendin. Pra, 94% e taksave shtesë do të paguhen nga mbi 90% e qytetarëve dhe vetëm 6% e kësaj rritjeje taksash do të paguhet nga biznesi. Ky është premtimi i qeverisë Rama për uljen e taksave për 95% të qytetarëve. Dhe këtu nuk po llogarisim efektet e rritjes së çmimit të energjisë që rrit faturën me minimumi 7 mijë lekë në muaj për mbi 74% e familjeve, të cilat kanë të ardhurat më të ulëta. Në këtë rast, premtimi i qeverisë “Rama” se më të pasurit do paguajnë edhe më shumë dhe familjet më të ardhura të ulëta do paguajnë edhe me pak, tashmë është tërësisht fals dhe i diskretituar”, – tha Bode.




