Policia, hetim konflikteve për shkak të biznesit. Shoqërohen 7 persona, asnjë i ndaluar. Semi: Nuk kam konflikte me njeri
Shpërthimet me tritol nuk kanë të mbaruar në kryeqytet. Objekt i tritolvënësave janë biznesmenët dhe sërish një prej tyre e ka pasur radhën mesnatën e kësaj fundjave. Shpërthimi i fuqishëm që tronditi gjithë lagjen pranë stadiumit “Dinamo” nuk pati për fat të mirë të lënduar në njerëz, por shkaktoi vetëm dëme materiale. Policia bën me dije se sasia e tritolit kishte për objektiv banesën e biznesmenit Fotaq Semi, i cili njihet në fushën e tregtimit të vajrave ushqimorë. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, ka bërë me dije se atentatorët kishin vendosur një sasi prej 150 gramë lëndë eksplozive, në pragun e derës së banesës.
Ngjarja
Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në orët e mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme, rreth orës 01:00, në një banesë në rrugën “Muhamet Butka” në afërsi të stadiumit “Dinamo” në Tiranë. Policia e kryeqytetit bën me dije se shënjestër e sasisë prej 150 gram lëndë eksplozive ka qenë apartamenti i Fotaq Semi, biznesmen i vajrave ushqimorë. Mësohet se shpërthimi ka ndodhur në pragun e derës ku jetonte familja e biznesmenit, në katin e katërt të pallatit. Për fat të mirë, nga shpërthimi nuk ka njerëz të lënduar, por janë dëmtuar dyer, dritare e mure rrethuese të apartamentit të biznesmenit dhe fqinjëve për rreth. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka marrë në pyetje biznesmenin, familjarë të tij por edhe fqinj.
Hetimi
Pas ngjarjes, menjëherë kanë nisur hetimet për zbardhjen e saj. Policia ka marrë në pyetje biznesmenin dhe disa persona të tjerë. Ndërkohë që ka ngritur edhe pistat e para hetimore. Sipas burimeve policore, pistë kryesore e hetimit është ndonjë konflikt i mundshëm i biznesmenit Bardhi me persona të tjerë. Ndërkohë që i pyetur pas shpërthimit, vetë biznesmeni ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Ndërkohë që në të njëjtin pallat banon edhe ish-inspektori i Tatimeve Petrika Bardhi, prandaj dhe fillimisht u dyshua se lënda eksplozive mund të ishte vendosur edhe për të. Gjatë orëve të natës, policia ka shoqëruar 7 persona, por ende nuk ka asnjë të ndaluar. Paraprakisht dyshohet se shkak i vendosjes së lëndës plasëse të jenë konfliktet për biznesin. Bardhi dhe Semi janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, por të dy kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve të vendosjes së tritolit.
Mirditë
Përplasen mes tyre dy automjete, plagosen 3 persona
Tre persona kanë mbetur të plagosur në një aksident të regjistruar në orët e para të ditës së djeshme. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Rrëshen-Kalimash, në afërsi të fshatit Reç, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Furgoni me targë LA9424A dhe automjeti tip “Benz” me targë AA441IN, pas përplasjes me tyre janë përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës. Si pasojë e aksidentit tre shtetas kanë mbetur të plagosur dhe po marrin mjekimin e nevojshëm në spital. Policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se humbja e kontrollit nga njëri prej drejtuesve të mjeteve ka qenë dhe shkaku i aksidentit që la të plagosur tre persona, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Lezhë
Kërkohej për vrasje të mbetur në tentativë, arrestohet
Policia e Lezhës ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim për vrasje e mbetur në tentativë. Burime nga blutë e këtij qyteti bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Berti Përgjini, i shpallur në kërkim për vrasje të mbetur në tentative. Ky shtetas mësohet se me 22 prill të një viti më parë, në qendër të qytetit, ka tentuar të vrasë duke e qëlluar me armë zjarri shtetasin Kastriot Përgjergji. Ndërkaq materialet lidhur me këtë rast iu referuan Prokurorisë së Lezhës për ndjekje të mëtejshme.
Lushnje
Plagoset në këmbë 47-vjeçari, apelon policinë për ndihmë
Një person ka mbetur i plagosur dy netë më parë, në Krutje të Lushnjës, pasi është qëlluar para banesës së tij, nga persona të paidentifikuar. Mësohet se i plagosur ka mbetur Agron Gobo, 47 vjeç, i cili është goditur me armë zjarri nga dy plumba, në krah dhe në këmbë. Nga hetimet paraprake, rezulton se ndaj Gobos ka pasur një tjetër atentat në vitin 2000. Burime policore bëjnë me dije se Gobo, i shtruar në spital, raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, sipas policisë, nuk dihen ende motivet e ngjarjes, ndërkohë që po punohet për kapjen e autorëve si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Por ndërkohë, vetë i plagosuri pranon se ka konflikte me persona të cilët ai i njeh, ndërsa bashkë me të shoqen i kanë bërë thirrje policisë që të veprojë. Ndërkohë që mësohet se janë marrë disa persona në pyetje për zbardhjen e ngjarjes.





