Anxhela Tato
Dëshmitarja okulare: Dëgjova një breshëri arme, pashë një makinë të zezë që u largua me shumë shpejtësi
Hetimi, precedentët penalë të viktimës, i dyshuar si autori i grabitjes së bankës së Laçit dhe vrasjes së GJ.GJ
Aktiviteti kriminal i Skejës është në qendër të hetimeve të policisë. Sipas dyshimeve ende të pakonfirmuara Skeja ka qenë autori i grabitjes së bankës së Laçit në 13 mars të vitit 1997 dhe vetëm pas tre muajve viktima është plagosur në zonën e Sanxhakut. Krimi i 28 majit të vitit 1997, ku mbeti i vrarë GJ.GJ ka dyshime se është kryer nga një vrasës me pagesë nga Skeja. Dyshime se Viktor Skeja ka qenë nën vëzhgim nga persona, të cilët kanë njoftuar autorët e krimit për çdo lëvizje. Nga burime të policisë mësohet se vrasësit kanë pasur bashkëpunëtorë, të cilët i kanë dhënë koordinatat e itinerarit të lëvizjeve së Skejës. E lidhur me mekanizmin e ngjarjes, kur në momentin që viktima po futej në makinë, i kanë zënë pritë vrasësit. Policia është vënë në dijeni nga banorë të zonës, se automjeti i viktimës ka qenë i parkuar në rrugën “Riza Cerova” që në ora 10 të paradites. Por askush nga dëshmitarët nuk ka parë ndonjë lëvizje të dyshimtë para se të ndodhte krimi. Për blutë banorët kanë treguar se autorët kanë gjetur momentin më të përshtatshëm për të qëlluar viktimën, rreth orës 14:30 kur nuk kishte asnjë këmbë njeriu në rrugë. Ndërsa ka qenë e pamundur që pas të shtënave të kuptohej se çka kishte ndodhur. I vetmi sinjalizim për banorët ishin xhamat e thyer të makinës, ku brenda panë një person të plagosur. Për dëshmitarët viktima ishte një person i panjohur dhe jo i zonës. Ka qenë një nga banuesit, i cili ka njoftuar për policinë krimin: “Ka të shtëna, është vrarë një person”. Dëshmitari, i cili do të mbesë anonim, rrëfen se ishte orar drekë dhe si çdo ditë po qëndronte brenda në dyqan. “Ishte drekë dhe në rrugë nuk kishte asnjë lëvizje. Makinën e viktimës nuk e kam parë asnjëherë në zonë dhe askush nga ne nuk e njihte. Në këtë lagje ne e njohim të gjithë njëri-tjetrin dhe na bën përshtypje çdo automjet që është i huaj. Ai automjet ka qenë i parkuar që në orën 10:00 të paradites, por ai që u vra nuk është banor këtu. Ishte afërsisht ora 14:30 kur kam dëgjuar një breshëri të fortë të shtënash. U tremba dhe u fsheha brenda në dyqan, pasi nuk arrija të kuptojë se nga vinte dhe nuk kisha guxim të dilja. Brenda pak sekondash është dëgjuar edhe një breshëri e dytë dhe gjithçka pushoi. Zhurmë makine nuk arrita të dëgjoj, por kur dola jashtë nuk po kuptoja se kush ishte vrarë dhe ku. Vetëm kur pashë xhamat e thyer e kuptova që ishte një i vrarë. Kam njoftuar policinë për ngjarjen. Nuk e di se kush kanë qenë autorët dhe as kam arritur që t’i shikoj”, – rrëfimi i një prej banorëve.
Dëshmitarja
Një nga banoret e zonës, më në afërsi të vendit të krimit ka arritur që të shikojë makinën e autorëve. Ajo është marrë në pyetje nga policia, ku është mbajtur për gati 3 orë. Para oficerëve të policisë dëshmitarja ka rrëfyer se ka dëgjuar të shtënat dhe ka parë një makinë të zezë që u largua me shpejtësi. Por për të ka qenë e pamundur që të kuptojë sesa persona ishin brenda në makinë. “Ishte drekë dhe po qëndroja brenda në dyqan. Jashtë ishte shumë qetësi, vetëm kur shpërtheu një breshëri arme. U tremba nga krismat dhe pashë makinën që iku me shumë shpejtësi. Mbaj mend që ishte një automjet i zi, por nuk e di çfarë lloji. Dola jashtë dyqanit dhe vura re një makinë që i ishin thyer xhamat. Kur u afruam pamë një burrë të gjakosur, të cilën nuk e njohim, pasi nuk ishte banor i zonës sonë. Isha shumë e alarmuar dhe e frikësuar nga ajo çka pashë dhe nuk di të them nëse makina e autorëve ishte në zonë, e parkuar apo doli nga hiçi. Për mua ishte një ditë e zakonshme pune dhe nuk është se u përqendrova që të shikoja lëvizjet jashtë”, – shprehte dëshmitarja.
Policia
Për blutë autorët e krimit kanë studiuar me detaje çdo element të kësaj vepre penale, duke vepruar në oraret më të përshtatshme dhe duke mos lënë asnjë dëshmitarë okular. Askush nga banorët nuk ka mundur dot që të fiksojë makinën nga u qëllua viktima. Në zonë nuk ka biznese të pajisura me kamera sigurie, ku të fiksohej momenti i mbërritjes së automjetit të krimit. Vrasësit kanë vepruar shumë shpejt në një orar mjaft të përshtatshëm, kur në rrugë nuk ka pasur asnjë lëvizje. Është qëlluar dy herë me breshëri ndaj viktimës, i cili ka mbetur i vdekur në automjet. Ka dyshime se autorët kanë qenë të pamaskuar duke e ditur se askush nuk do të arrinte dot që të identifikonte fytyrën. Sipas mekanizmit të ngjarjes personi që ka qëlluar viktimën ishte i ulur në sedijen e pasagjerit. Por ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për dy autorë apo tre. Policia dyshon se plagosja e ndodhur në shtator është e lidhur me krimin e së dielës, ku humbi jetën 47-vjeçari Viktor Skeja. Policia k shoqëruar 13 persona. Ndërsa në vendine ngjarjes janë sekuestruar 10 predha, kalibri 7.62mm. Nga kontrolli fizik viktimës i është gjetru nj armë zjarri, pistoletë në brez.
Pistat
Viktima është i skeduar për policinë dhe i njohur si me precedentë penale. Momentalisht janë duke u hetuar disa pista paralelisht, përfshirë këtu trafikun e drogës, konflikte pronësie, probleme të vjetra të viktimës. Sipas policisë për viktimën ka dyshime se ai mund të jetë autori i një vrasjeje të ndodhur kohë më parë në Laç me qëllim hakmarrjen. Vetë viktima ka qenë i përfshirë në episode të ndryshme kriminale, çka e zgjeron rrethin e të dyshuarve. Policia po tenton të verifikojë secilën nga pistat, që mund të jetë i lidhur me vrasjen. Viktima figuron i përfshirë në një konflikt pronësie në vitin 2011, si dhe person i dënuar në Itali për trafik droge. Viktor Skeja u plagos në shtator të 2013 në rrugën “Bardhyl” në njërën nga kazinotë. Për blutë kjo ngjarje ishte një shenjë paralajmërimi, por që nuk u bë e mundur gjetja e autorëve.
Tiranë/ Prezantohen si punonjës të CEZ-it, grabisin 75-vjeçaren
Policia këshillon qytetarët të bëjnë kujdes nga vjedhjet e banesave pasi hajdutët po përdorin një mekanizëm të ri vjedhje. Hajdutët tashmë prezantohen në banesat private si punonjës të CEZ dhe pasi lidhin me natriban, pjesëtarët e familjes arrijnë të grabisin pasuritë me vlerë të shtëpive. Ngjarje të tilla ndodhin kryesisht gjatë orëve të paradites së djeshme. Dy personat rreth të 30-tave janë paraqitur në orën 10 e 30 të mëngjesit të djeshëm në banesën e 75-vjeçares ku i kanë treguar dokumentet e dyshuar të falsifikuar me mbishkrimin CEZ. Pasi janë futur në banesë dy personat e kanë lidhur forcërisht të moshuarën me natriban këmbë, e duar dhe i kane mbyllur gojën. dhe pasi kane marre një shumë parash janë larguar qetësisht nga banesa. Burime policore bëjnë me dije se ka pasur denoncime dhe të disa rasteve të tij me këtë tipologji vjedhje, ngjarje të cilat janë vlerësuar me seriozitet nga strukturat e hetimit të vjedhjeve. Ndërsa mësohet sesi të dyshuar janë identifikuar dy persona që po punohet për kapjen e tyre.
Lezhë/ Vetëvrasja pas shkarkimit nga puna, Prokuroria nis hetimet
Nisin hetimet për të gjetur shkaktarin e vetëvrasjes së Mark Brahimajt nga Shënkolli i Lezhës. Policia lokale ka referuar çështjen në Prokurorinë e Lezhës për shkaktim të vetëvrasjes, sipas zëdhënësit së Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serani, kjo çështje është regjistruar pranë organit të akuzës dhe po hetohet. Por deri tani është pa autor. Fundi tragjik i Mark Brahimajt, sipas familjarëve të tij, erdhi pasi u shkarkua padrejtësisht nga puna si ish-pompist në hidrovorin e Tales, me urdhër të drejtorit të Bordit të Kullimit Petrit Gjoni. Brahimaj sipas të afërmve i dha fund jetës me çifte, sepse gjendja e tij psikologjike ishte tepër e rëndë pas këtij vendimi të padrejte. Të tillë e cilësoi vendimin edhe avokatja e ndjerit. Referuar dokumentacionit që ajo disponon për karrierën e Brahimajt, dokumente me të cilën po mbronte çështjen ligjërisht. 50-vjeçari kishte arsimin e mesëm dhe një sërë kualifikimesh, të cilat i kishte përfituar në 25 vjet pune në të njëjtën pozicion.
Gjykatë/ I kuruan kancerin me sodë, dëshmon nëna: Mjekët na mashtruan, na garantuan jetën
Në seancën e gjashtë gjyqësore ndaj dy mjekëve italianë Tullio Simoncini dhe Roberto Gandini, nëna e të ndjerit Luca Olivoto, i cili ndërroi jetë më tetor 2012 gjatë terapisë me sodë buke për të kuruar tumorin, ka bërë thirrje për drejtësi pak përpara se të hynte në procesin penal. Silvana Olivoto tha se familja e saj u mashtrua nga dy mjekët dhe për këtë autoritetet nuk duhet t’i hetonin ata vetëm për mjekim të pakujdesshëm, pasi të dy të akuzuarit i garantuan se nga ndërhyrja me bikarbonat natriumi nuk do të kishte asnjë rrezik për jetën e pacientit. “Problemi nuk është vetëm se duhet të jepet drejtësi për tim bir. Problemi është se këta persona nuk duhet të mashtrojnë njerëz që shpresojnë në shërimin nga tumori të familjarëve të tyre me mënyra të panjohura”, – deklaroi zonja Olivoto. Duke qenë se kjo lloj kure në Itali nuk lejohet, mjekët Simoncini dhe Gandini e kanë zbatuar këtë metodë në Shqipëri, në një spital privat, ku me sodë buke i janë nënshtruar kësaj kure edhe disa shtetas të tjerë. “Kishte edhe pacientë të tjerë në spital, dy italianë, një amerikan, një hungarez dhe një shqiptar. Dy prej tyre kam marrë vesh se kanë ndërruar jetë”, – tha më tej Olivoto. Silvana Olivoto ka dëshmuar në gjykatën penale së bashku me një shtetas italian për llogari të procesit të hapur ndaj dy mjekëve, të cilët përfaqësohen në Gjykatë nga avokatët e tyre mbrojtës.
Fier/ Grabitet menaxheri i një qendre tregtare, hajdutët dogjën makinën
Menaxheri i qendrës tregtare më të madhe në Fier, ETC është grabitur gjatë mesditës së djeshme nga persona të maskuar dhe të armatosur. Rreth orës 15:15 në parkingun e kësaj qendre tregtare disa persona kanë ndaluar menaxherin dhe një punonjëse tjetër të ETC-së duke u grabitur një shumë prej 3 milionë lekësh dhe më pas janë larguar me një automjet tip Fiat Punto. Mësohet se menaxheri po transportonte këtë shumë të madhe parash nga qendra tregtare për në bankë. Menjëherë pas është njoftuar për ngjarjen policia ka marrë masat duke u vënë në kërkim, duke bërë edhe krehjen e zonës për gjetjen e autorëve. Gjatë kërkimeve blutë e Fierit kanë gjetur të djegur automjetin me të cilin u larguan autorët e grabitjes në Hoxharë të Vjetër.




