Atentati në Kukës/ Plumba pistolete drejtorit të OSHEE, u ndërpreu energjinë debitorëve

OSHEE u kërkon organeve të drejtësisë të ndëshkojnë autorët e tentativës së vrasjes

elektricistiii_0Drejtorit rajonal të Kukësit, Astrit Cengu, është qëlluar dje më pistoletë nga disa persona të cilëve u ka shkëputur energjinë elektrike, si debitorë. Ngjarja ka ndodhur kur ekipet e OSHEE po ndërprisnin energjinë elektrike të rilidhur në një pikë shitje karburanti që ka borxhe të mëdha me faturat e papaguara. Pas rikontrollit është bërë rishkëputja e energjisë dhe në atë moment një nga djemtë e pronarit të pikës së shitjes së karburanteve ka qëlluar me arme zjarri në drejtim të drejtorit rajonal të OSHEE, Astrit Cengu dhe punonjësve që ishin me të. Pas njoftimit, policia shoqëroi autorët ndërsa kompania deklaron se puna do vazhdoje pavarësisht pengesave të shumta, presioneve dhe shantazheve.

Drejtoria e Operatorit të Shpërndarjes në Kukës ka nisur prej kohësh mbledhjen e borxheve që abonentë kanë ndaj kompanisë. Një nga debitorët ishte edhe pika e karburantit të shtetasit R. Cengu, i cili ka rilidhur energjinë e shkëputur nga Operatori i Shpërndarjes.

OSHEE deklaron se, “nuk do të tërhiqet në kryerjen e detyrave dhe misionit të saj, pavarësisht akteve të tilla të dhunës, që cenojnë rëndë jetën e punonjësve të saj, por edhe mbarëvajtjen e ushtrimit të detyrave, në kushtet e ndryshimit rrënjësor të menaxhimit të kompanisë”, thuhet në njoftimin e OSHEE.

 

 Pogradec/ Arrestohet pronari i hotelit, vdiq 20-vjeçari, u plagosën dy të tjerë

Policia e Pogradecit, ka arrestuar pronarin e hotelit, ku gjatë shembjes së katit të tretë gjeti vdekjen një 20 vjeçar ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë. Arrestimi i tij u bë pasi duke prishur shtesën e katit të tretë të lokalit në pronësi të tij në fshatin Piskupat, Pogradec, ka pajtuar për ta ndihmuar tre punëtore dhe gjatë punës ka rënë soleta e një pjese të ndërtesës, e për pasojë ka gjetur vdekjen Ervin Shkira, 20 vjeç, banues në Lin, ndërsa të plagosur kanë mbetur Astrit Korani, 37 vjeç, banues në Përrenjas dhe Vangjel Taho, 40 vjeç, banues në Pogradec, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në afërsi të fshatit Piskupat në bar-restorant “Leon” buzë liqenit.

Mësohet se pas afatit treditor, që INUK i kishte pronarit për ta prishur ndërtesën, ky kishte punësuar për ta shembur ndërtesën, dy punonjës dhe kamerierin e lokalit. Kjo ka rezultuar fatale, për të rinjtë, duke sjellë vdekjen e njërit prej tyre dhe plagosjen e dy të tjerëve. Burime nga policia bëjnë me dije se gjate prishjes së ndërtesës, punëtoret duhet të mblidhnin dhe hekurat në strukturën e ndërtesës. Të dëmtuarit ndodhen në spital në gjendje të rëndë. U ngrit grupi hetimor për të kryer veprimet, bëhet e ditur nga policia. Pronari i objektit si dhe 6 persona të cilët punonin për shembjen e katit pa leje u shoqëruan në polici dhe u morën në pyetje mbi ngjarjen.

 

 Elbasan/ Zjarr në një pikë servisi, pësojnë djegie 4 punëtorë

Katër punëtorë të një pike servisi në qytetin e Elbasanit kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e një zjarri të cilësuar si aksidental nga policia, i cili ka rënë në servisin ku ata punonin. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Mjekës të Elbasanit, në servisin e 58 vjeçarit R. J. Mësohet se punëtorët kanë qenë duke punuar me saldim për riparimin e serbatorit të naftës së mjetit kamion tip “Skoda” me targa AA 474 FG, në pronësi të F. B., në momentin që ka rënë zjarri. Punëtorët që kanë pësuar djegie janë R. J., 57 vjeç, banues në fshatin Mjekës, F. B., 54 vjeç, banues në fshatin Kryezjarr, S. H., 59 vjeç, banues në lagjen Shënkoll dhe Th. P., 26 vjeç, banues në fshatin Kuqan Elbasan. Ata janë dërguar me urgjencë në Spitalin kirurgjik Elbasan, ku morën mjekimin e nevojshëm dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

Share it :