Anxhela Tato
Besnik Dervishi ka udhëtuar me 200 gr C4, të vendosur në shasi pranë serbatorit
Prefekti kishte lënë takim me drejtuesin e Antikorrupsionit, kur punonjësi i Gardës konstatoi lëndën plasëse
Zbulohen 200 gramë lëndë eksplozive e lidhur me dy kapsolla detonatorë në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, i cili ka arritur t’i shpëtojë atentatit. Ishte ora 09:20 minuta, kur automjeti i tipit “Peugeot” u fut në perimetrin e oborrit të Kryeministrisë. Mësohet se Dervishi kishte lënë takim me drejtuesin e Antikorrupsionit, Ergys Hoxha, i cili po e priste jashtë ndërtesës për kafe. Pasi ka kaluar oborrin, prefekti i Vlorës i ka kërkuar një punonjësi të Gardës që ta parkonte dhe ky ka qenë momenti kur është konstatuar lënda e dyshimtë. Kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivët e Gardës në hyrje të zonës së brendshme të Kryeministrisë, konstatoi objektin e dyshuar si eksploziv në pjesën e poshtme të automjetit pranë gomës së pasme në krahun e shoferit, e lidhur me shasinë e automjetit. Forca të shumta police dhe njësia Antieksploziv mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe rrethuan zonën. Ka qenë gardisti rojë në hyrje të Kryeministrisë që ka lejuar makinën “Peugeot” të hyjë në mjediset e Kryeministrisë dhe nga kontrolli rutinë aparaturat sinjalizuan një objekt të dyshimtë në automjet. Pasi ka zbritur drejtuesin e mjetit, gardisti rojë ka njoftuar sallën operative të policisë. Forcat xheniere kryen një shpërthim të komanduar poshtë automjetit për të provuar nëse kishte eksploziv në makinë dhe nga kontrollet e imtësishme u vërtetua se në automjet ishte vendosur një sasi e vogël eksplozivi. Gjatë këtij operacioni, policia bllokoi qarkullimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe kontrolloi të gjitha automjetet e parkuara anës rrugës. Në vendngjarje mbërriti edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, si dhe kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një grup prokurorësh. Kreu i SHISH-it, Visho Ajazi, dhe ministri Saimir Tahiri ndodheshin në mjediset e Kryeministrisë.
Njoftimi
“Në datë 13.12.2013, rreth orës 09:30, automjeti tip “Peugeot”, me targa TR 5066 N, në pronësi të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës, është drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së Kryeministrisë. Nga kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivët e Gardës në hyrje të zonës së brendshme të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një objekt i dyshuar si sasi eksplozivi. Oficerët e Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të Kryeministrisë. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit dhe njësia Antieksploziv e repartit RENEA si dhe Prokuroria për Krimet e Rënda. Policia ka urdhëruar dhe ka marrë masa të menjëhershme për evakuimin e të gjithë personave rreth vendit të ngjarjes, duke siguruar edhe perimetrin e nevojshëm për kryerjen e veprimeve nga ana e ekspertëve antieksploziv. Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe nga këqyrja e detajuar e automjetit është vërtetuar se në mjet ishte vendosur një sasi prej më shumë se 200 gramë eksploziv C4, me të cilën ishin lidhur dy kapsolla detonatorë dhe një celular. Njësia Antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit. Grupit hetimor po vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje”.
Besnik Dervishi merret në mbrojtje nga policia, mohon konfliktet
Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet menjëherë pas zbulimit të 200 gramëve eksploziv në automjetin e prefektit Besnik Dervishi për veprën penale veprime me qëllime terroriste. Ndërsa do të merren në shqyrtim pamjet filmike të regjistruar nga ana e kamerave të sigurisë së Kryeministrisë, për të konstatuar nëse ka pasur lëvizje të dyshimta si dhe zbardhjen e dinamikës së plotë të ngjarjes. Automjeti dhe lënda eksplozive do t’i nënshtrohen ekspertizës teknike, e cila do të ndihmojë në hetimet e organit të akuzës. Për gati tri orë prokurorët pyetën prefektin e Vlorës, Dervishi, si dhe personin që ndodhej me të në makinë, në momentin kur u zbulua eksplozivi, aktualisht me detyrën shef i Antikorrupsionit, Ergys Hoxha, si dhe një gardist. Raportohet se hetimet drejtohen nga prokurori Olsi Çela, ndërkohë që paraprakisht bëhet e ditur se prefekti është pyetur për itinerarin që ka ndjekur orët e fundit. Mësohet se ai është shprehur se kishte lënë një takim me Hoxhën, por duke qenë se nuk po gjenin vend parkimi pranë ndërtesave në anë të bulevardit, kishin menduar ta linin automjetin në parkingun e Kryeministrisë. Ky duket të ketë qenë edhe momenti fatlum i Dervishit dhe zyrtarit tjetër, pasi eksplozivi është zbuluar gjatë kontrollit rutinë të Gardës. Pas daljes nga Prokuroria, Dervishi është shoqëruar nga agjentë civilë, të cilët e kanë marrë atë në ruajtje, menjëherë pas zbulimit të atentatit të dyshuar. Për shkak të natyrës delikate të hetimit, i gjithë procesi është në sekret të plotë dhe nuk ka asnjë informacion se kur mund të jetë vendosur lënda plasëse apo edhe në cilin qytet ose vend.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshime se eksplozivi u vu të enjten
Pas gjetjes së lëndës eksplozive të vendosur në makinën e prefektit të Vlorës, Prokuroria e Krimeve të Rënda zhvilloi në orën 19:00 një mbledhje me oficerët e policisë së Tiranës, Antiterrorit, prokurorët dhe SHISH për analizën e ngjarjes. Analiza e ngjarjes është bërë tek Krimet e Rënda pas ballafaqimit të fakteve dhe dëshmive të të shoqëruarve. Dyshohet se eksplozivi është vendosur në makinën e Besnik Dervishit të enjten në Vlorë, ndërsa në mbrëmje prefekti ishte kthyer në Tiranë. Sasia e eksplozivit, rreth 200 gramë C4, të vendosur poshtë makinës që kishte hyrë në Kryeministri, u zbulua nga Garda. Dyshohet se eksplozivi nuk u aktivizua për shkak të ndonjë defekti, ndërkaq çështja po shqyrtohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.




