Alma Çuka
Policia e Shtetit vë në pranga dy autorët e dyshuar të atentatit ndaj 40-vjeçarit, Xhemal Adushaj dhe Florenc Qepuri. Sekuestrohen kamerat e sigurisë të disa bizneseve që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes. Hetohet në disa pista, ndërkohë mbeten ende të pazbardhura arsyet e krimit. Për policinë nuk përjashtohet edhe kryerja e atentatit nga persona të paguar
Policia e Tiranës arrestoi dje në orët e mesditës autorin e dytë të atentatit të dy netëve më parë me armë ndaj 40-vjeçarit vlonjat, Krenar Hasanaliaj. Burime të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se objektivi i atentatit është një person me të shkuar kriminale. Këtë fakt, sipas policisë, e vërteton dëshmia e tij e penalitetit si dhe vendimet gjyqësore, ku figuron i dënuar për veprën penale të “Vjedhjes”, “Vrasjes” dhe “Trafikut të drogës”. Përfshirja e viktimës në disa vepra të mëparshme penale dhe kategorizimi i tij si person me precedent penal, e kanë lehtësuar disi punën e Policisë së Shtetit për të shkuar drejt gjetjes së autorëve të dyshuar të këtij krimi. Policia sqaron se ka vënë në pranga shtetasin Florenc Qepuri, i dyshuar si një nga autorët e përfshirë në atentatin e dy ditëve me parë. Ndërkohë pak orë pas kryerjes së krimit në zonën e Unazës së Re, policia arriti të vërë në pranga autorin e parë, shtetasin Xhemal Adushaj. Një tjetër provë materiale e sekuestruar nga policia pak, orë pas krimit ishte edhe motori, i përdorur nga autorët për kryerjen e vrasjes dhe braktisur më pas.
Ngjarja
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së enjtes në zonën e Unazës së Re, në kryeqytet, ndërsa 40-vjeçari Krenar Hasanaliaj mbeti i plagosur rëndë. Sipas hetimeve të para të policisë dhe pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë të bizneseve pranë vendit të ngjarjes, mësohet se dy autorët janë afruar pranë banesës së objektivit të tyre, pesë minuta para se të kryenin atentatin. Pamjet tregojnë se shënjestra e autorëve të krimit, në momentin e atentatit sapo ka zbritur nga makina dhe është drejtuar për nga hyrja e banesës së tij. Menjëherë pas atentatit me pesë plumba, i plagosuri u dërgua në Spitalin Ushtarak. Burime nga ky spital bëjnë me dije se gjatë ditës së djeshme, i plagosuri i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për të hequr nga trupi plumbat e mbetur. Mësohet se tre herë Krenar Hasanaliaj është qëlluar në kokë dhe dy herë në trup. Policia ka të gjitha dyshimet e mundshme se atentati ndaj 40-vjeçarit mund të jetë kryer për hakmarrje, ose larje hesapesh. Menjëherë pas plagosjes, autorët janë larguar me shpejtësi me një motor tip “Scooter”.
Krimet
I plagosuri është një person me precedentë penal. Mbi të rëndojnë akuza të rënda që nga vjedhja e deri tek vrasjet. Krenar Hasanaliaj kohët e fundit e kishte ndryshuar emrin në Krenar Habilaj.
Policia sqaron se Hadilaj dyshohet të jetë autori i një vjedhje me armë, me pasojë vdekjen e shtetasit Valter Kofina në vitin 1997, në Vlorë. Gjithashtu dyshohet të jetë autori i vrasjes së Dushan Shahaj në vitin 1999 në Vlorë. Në 2005 është dënuar me 6 vite burg për një tentativë vrasje. Në 2008 është dënuar për vjedhje me armë e falsifikim dokumentesh, me 11 vite burg e 6 mln lekë gjobë. Ndërsa para pak muajsh kishte aksidentuar për vdekje 2 pjesëtarë të një familje dhe është dënuar me 5 vite burg.
Vendimi/ Gjykata, arrestimet për energjinë, të ligjshme, 11 në burg, 2 në shtëpi, 7 të lirë
Gjykata e Tiranës i cilëson të ligjshme 20 arrestimet e para të Policisë së Shtetit ndaj personave akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike. Pas një seance që zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, Gjykata e Tiranës vendosi të linte në arrest me burg 11 nga 20 të pandehurit e akuzuar nga policia dhe prokuroria për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”. Për shtatë të pandehur vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për 2 të pandehur “Arrest në shtëpi”. Vendimi u shpall nga gjyqtari Arjan Aliaj, ndërsa kundër tij ishin përfaqësuesit ligjor të të pandehurve. Avokatët mbrojtës kundërshtuan akuzën me argumentin se ishin duke penalizuar abonentët familjar, për të cilët ata pretendojnë se në këtë rast bëhet fjalë për përgjegjësi civile dhe jo penale. Por nga ana tjetër, Prokuroria i kërkoi Gjykatës të caktoi si masë arresti për të pandehurit atë të “Burgut pa afat”. Vetëm për tre persona gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak. Sipas akuzës të pandehurit kanë abuzuar me energjinë elektrike. Ndonëse nuk kanë paguar faturat për vite me radhë, ata njëkohësisht kanë bërë edhe lidhje të jashtëligjshme, duke ndërhyrë në transformatorët. Nën akuzë janë edhe një pjesë e mirë e punonjësve të OSHE-së, për të cilët ndëshkimi sipas akuzës do të jetë i njëjtë. Operacioni i Policisë ka arritur në ditën e pesë të tij, ndërsa arrestimet vijojnë në të gjithë vendin.
Kërkohej nga Interpol Zvicra, shtetasi turk fshihej në Tiranë
Interpol Tirana ekstradoi dje drejt Zvicrës shtetasin turk Ali Riza Gurbuz, 57 vjeç, i kërkuar nga drejtësia zvicerane për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Mësohet se ky shtetas është arrestuar më datë 29.6.2013, gjatë kontrollit nga shërbimet e stacionit të policisë kufitare të Aeroportit të Rinasit, ku nga verifikimi në sistem rezultoi person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Rajonit të Zyrih, Zvicër, ka lëshuar ndaj shtetasit Ali Riza Gurbuz urdhrin e arrestit të datës 15.5.2001. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bernën, Zvicër, u bë i mundur ekstradimi drejt territorit zviceran i të kërkuarit.




