Anxhela Tato
Banesa në pronësi të Tafë Balilajt, e izoluar mes malesh, kamuflonte aktivitetin terrorist
Sekuestrohen kallëpe tritoli, detonatorë dhe granata, i arrestuari justifikohet se i mblidhte për t’i shitur
Zbulohet baza e prodhimit dhe e përpunimit të lëndës plasëse, e cila dyshohet se blihej dhe përdorej nëpër atentate të ndryshme. Banesa e izoluar mes malesh ishte vendi i përshtatshëm për të kamufluar aktivitetin terrorist, duke mos rënë në sy të banorëve dhe duke qenë pika më e mirë ku mund të fshihej dhe përgatitej tritoli. Kurtaj është fshati më i thellë i Komunës Gruemirë në Malësinë e Madhe dhe rrugët janë të kapërcyeshme vetëm me automjete të mëdha. Ndërsa për të mbërritur në bazën e tritolit duket të kalosh në qendër të fshatit Kurtaj dhe të ecësh me fuoristradë për 10 minuta, më pas për afro 30 minuta të duhet të ecësh në këmbë në një zonë të thepisur. Banesa e Tafë Balilajt, ndodhet në shpat të një mali, e veçuar nga i gjithë fshati. Këto veçori e bënin të favorizuar, duke e mbajtur larg vëmendjes së policisë për grumbullimin dhe shitjen e lëndëve eksplozive. Vetë pronari i banesës ka tentuar ta justifikojë bazën e eksplozivit me argumentin se e shiste, duke mohuar në mënyrë kategorike që të jetë një ndër pikat e përgatitjes së tritolit. Por sasia e gjetur në banesë dhe makineria e tritolit e hedhin poshtë rrëfimin e Tafë Balilajt. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë operacionit të zhvilluar në orët e paradites së djeshme nga policia e Shkodrës është sekuestruar edhe pajisja që përdorej për përpunimin e tritolit. Policia bëri të ditur se në banesën e Tafë Balilajt janë sekuestruar edhe 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatorë si dhe 100 copë granata, 3 automatikë.
Hetimet
Oficerët e krimeve të policisë së Shkodrës janë treguar shumë të kujdesshëm gjatë ditëve që mbanin në vëzhgim banesën e Balilajt për të mos rënë në sy në atë zonë, ku shumë rrallë mund të kalonte apo të qëndronte një person që nuk ishte banor i asaj Komune. Dhe pikërisht në këtë banesë janë gjetur 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatorë, 100 granata, 3 automatikë dhe 6 arka me fishekë. Policia ka arrestuar Tafë Balilajn, kryefamiljarin e shtëpisë ku u gjetën eksplozivët, i cili është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Ndërkaq, policia ka shoqëruar edhe bashkëshorten e Balilajt, e cila justifikohet me faktin se nuk kishte dijeni për çfarë bënte Tafa me djemtë. Policia ka marrë në pyetje Balilajt edhe disa të afërm dhe lidhje shoqërore të tyre për mënyrën e sigurimit të eksplozivëve, si edhe personat të cilët e blinin atë. Në kërkim është shpallur një nga djemtë e Balilajt, i cili akuzohet se ishte personi që mbante kontaktet për sigurimin, përgatitjen dhe shitjen e tritolit. I arrestuari është marrë në pyetje nga ana e policisë, e cila ndodhet ende në vendin e ngjarjes. Në deponimin e parë të tij, i arrestuari Tafë Balilaj deklaroi se eksplozivin e mbante për ta shitur. Policia po verifikon nëse kjo bazë ka shërbyer për të furnizuar me lëndë eksplozive në atentatet e ndodhura së fundmi në disa qytete të vendit. Shërbimet e policisë po vazhdojnë kontrollet në zonë. Grupi hetimor është në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet procedurale.
Sekuestrimi
• 238 copë kallëpe tritoli
• 200 metra fitil zjarrpërcjellës
• 150 copë kapsolla detonatorë
• Tri armë zjarri automatike, model 56 mm
• Gjashtë arka me fishekë, model 56 mm
• 100 copë granata dore mbrojtëse
Prokuroria
Pista e hetimit, konflikti i Armand Cekës me biznesmenin e hidrokarbureve, për 800 mijë euro
Biznesmeni Armand Ceka është konfliktuar me një biznesmen hidrokarburesh para një viti dhe situata degjeneroi deri në shoqërimin në polici. Kjo është një ndër pistat ku është përqendruar hetimi i organit të akuzës. Sipas Prokurorisë, thelbi i konfliktit ka të bëjë me një sasi prej 800 mijë eurosh borxh që Ceka ia kishte biznesmenit. Me këtë biznesmen, emri i të cilit nuk bëhet publik, para një viti Ceka është konfliktuar fizikisht e pas tij kanë përfunduar të shoqëruar në komisariatin e policisë, ku edhe u pajtuan përkohësisht. Pista tjetër e hetimeve janë kallëzimet penale ndaj Cekës për mashtrim. Nga ana tjetër, policia ka arritur të sigurojë disa pamje filmike të një prej kamerave të sigurisë, e cila ka fiksuar momentin para, gjatë dhe pas shpërthimit të derës hyrëse të lokalit në pronësi të Cekës. Sipas policisë, po punohet për të identifikuar personin që mendohet se ka vendosur sasinë prej rreth 500 gramë eksploziv në lokalin që ndodhet në rrugën “Pjetër Budi”, si pasojë e të cilit u gjymtua Julian Çela, ndërsa mbetën të plagosur Artur Sharra dhe Armand Ceka. Të plagosurit janë marrë në pyetje nga prokuroria, ku kanë treguar vetëm momentet e shpërthimit pa dhënë ndonjë detaj për dyshimet e atentatorit. Edhe Ceka, në deklarimet e tija, sipas akuzës, nuk ka ndihmuar prokurorin për të dhënë emra konkrete, për të cilët dyshon se i kanë vendosur eksplozivin. Atentati i së mërkurës erdhi vetëm pak muaj pas atentatit të parë, të ndodhur në shtator të 2013, kur makina me të cilën po udhëtonte Ceka shpërtheu në rrugën “Siri Kodra”’ në Tiranë, duke i shkaktuar vetëm plagosjen 33-vjeçarit. Ndërsa ortakut të tij, L. T. i është bërë atentat në mars të 2012, në apartamentin ku banonte familja e tij.
Shkodër
Plagoset 37-vjeçari, dyshime për hasmëri ose konflikt
Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Salo Halili”. Sipas policisë i plagosuri Renato Gjoka, 37 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë dhe i është nënshtruar një operacioni. Policia sqaron se ai është plagosur në shpinë. Ndërkohë autorët e plagosjes janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Blutë e qytetit të Shkodrës ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të ngjarjes. Dyshimet e para përqendrohen tek pisat e konfliktit të çastit apo hasmërisë. Sipas të dhënave të bluve i plagosuri ka një ofiçinë për riparim makinash dhe një karrotrec. Gjoka u qëllua në hyrje të pallatit ku banonte. Ndërsa pritet që të merren në pyetje familjarë të 37-vjeçarit, për të zbuluar nëse i plagosuri ka pasur konflikte apo probleme. Nga ana tjetër dëshmitarët kanë treguar se dy djem i janë afruar 37-vjeçarit dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tij. Autorët kanë qenë të maskuar dhe kanë arritur të largohen me shpejtësi.
Tiranë
Grabitin dyqanin e celularëve, në kërkim 2 autorët
Maskat sulmojnë sërish, kësaj here pre ka rënë një dyqan celularësh në zonën e “Komunës së Parisit”. Burime nga policia bëjnë me dije se dy persona kanë grabitur një dyqan celularësh. Autorët kanë arritur që të marrin 65 mijë lekë të reja si dhe disa aparate celularë. Dëshmitarët i kanë përshkruar dy grabitësit duke ndihmuar blutë për krijimin e një identikiti. Bëhet fjalë për dy persona me gjatësi mesatare, të veshur me pantallona xhins dhe me kapele në kokë. Ndërsa pritet që të sekuestrohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë.




