Dy artistë bashkëkohorë nga Finlanda, Noora Geagea dhe EGS, ekspozojnë për gati një muaj në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë.
Ekspozita bazuar në artin e fotografisë dhe grafitit sjell një këndvështrim interesant për publikun shqiptar fryt i bashkëpunimit të dy artistëve bashkëkohorë.
Në konferencën për median morën pjesë drejtori i Galerisë Kombëare të Arteve, z. Artan Shabani, artistët Noora Geagea dhe EGS, aktori finlandez Niko Saarela, i cili është edhe personazhi i videos së realizuar nga Noora Geagea.
“Noora Geagea dhe EGS janë dy artistë të njohur në sistemin e artit bashkëkohor në të gjithë botën. Është kënaqësi për ne t’i kemi këtu në Galerinë Kombëtare, duke pasur parasysh që EGS vjen së fundmi nga Art Basel, një nga ekspozitat – panair më të rëndësishme të artit bashkëkohor. Edhe pse janë artistë me të vërtetë të konfirmuar, kanë ardhur në Galerinë Kombëtare të Arteve me një modesti të dallueshme duke na dhënë kënaqësinë e një bashkëpunimi shumë të mirë”, – tha drejtori i GKA, Shabani.
Artisti EGS, i cili përpara mediave u shfaq duke e fshehur fytyrën e tij, si një zgjedhje për të qëndruar anonim ndaj publikut me qëllimin që vepra e tij të marrë forcën më të madhe, rrëfeu se Shqipëria është një nga vendet që ka mbetur në kujtesën e tij që nga mosha 12 vjeçare kur vizitoi vendin tonë në vitin 1986.
“Ekspozita jonë, veçanërisht punët e mia me hartat janë pjesë e një procesi që ka nisur vite më parë dhe që frymëzohet nga eksperiencat tona në 5 kontinentet e globit, prandaj ekspozita titullohet “Five”. Pjesë e këtij arti është bërë edhe Shqipëria e cila ka mbetur në memorien time kur e vizitova për herë të parë me mamanë time në vitin 1986 në një kohë kur ishte shumë e vështirë për ta vizituar. Është hera e parë që përdor këtë kombinim ngjyrash në këto harta, pra kuq e zi, pasi kam respektuar këtë vend, ngjyrat tuaja kombëtare, pasi për mua si artist flamuri shqiptar është më i fuqishmi në botë, të paktën ky është gjykimi im duke e parë nga imazhi dhe dizajni. Ai flamur ka një imazh shumë të fortë”, – tha EGS.
Artistja Noora Geagea u shpreh: “Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Kemi udhëtuar, kemi parë vende dhe kemi takuar njerëz këtu në Shqipëri. Unë dua që puna ime të flas vetë dhe t’ju lejoj njerëzve një hapësirë ku gjithsecili të gjejë këndvështrimin e tij personal”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 22 korrik 2014.




